A ka mundësi të më tregoni shkurtimisht tregimin e Habilit dhe të Kabilit?
Pyetja:
A ka mundësi të më tregoni shkurtimisht tregimin e Habilit dhe të Kabilit? Allahu ju ndihmoftë në rrugën e Tij e ju shpërbleftë me xhenet!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kabili dhe Habili
Ngjarja e bijve të Ademit alejhi selam është e shkruar në Kuran, por emrat e tyre nuk përmenden, por ata përmenden vetëm si “dy bij të Ademit”. Emrat e tyre janë të përmendur në Tevrat: Kabil dhe Habil.
Allahu i Lartësuar thotë: “Lexoju (Muhamed) atyre (jehudive, të krishterëve e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbane, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve.” (Maide, 27)
Hava, bashkëshortja e Ademit alejhi selam, lindte fëmijë binjakë, një mashkull e një femër dhe sipas ligjit të Allahut të Lartësuar në atë kohë, Ademi alejhi selam i martonte bijtë me vajzat e veta, por jo ata që kishin lindur së bashku. Prej këtyre fëmijëve qenë Kabili dhe Habili. Me Habilin lindi Demimja, kurse me Kabilin lindi Vedia.
Sipas sheriatit (ligjit) të atëhershëm, Habili duhej të martohej me vajzën që kishte lindur së bashku me Kabilin, por Kabili kundërshtoi, sepse vajza që kishte lindur me të ishte më e bukur dhe thoshte se ai kishte përparësi që të martohej me të, pasi ishte edhe më i madh.
Kur Ademi pa se dy vëllezërit do të përçaheshin, mendoi për një zgjidhje që do t’i nxirrte prej kësaj vështirësie dhe që do të ruante paqen dhe harmoninë në mes tyre. Ai kërkoi prej tyre që secili t’i ofronte një kurban Allahut. Cilit prej tyre Zoti do t’ia pranonte kurbanin, do të kishte të drejtë të zgjidhte atë që dëshironte. Habili zgjodhi kurban delen më të mirë që kishte prej bagëtive dhe e ofroi atë për Zotin e Madhëruar, ndërsa Kabili ofroi drithin më të keq që kishte prej të mbjellave të tij. Allahu i Lartësuar e pranoi kurbanin e Habilit për shkak se ai ishte i sinqertë dhe më i bindur ndaj babait të tij. Kjo e mërziti Kabilin, u hidhërua dhe vendosi ta vriste vëllanë e tij.
Habili ishte më i mençur dhe më i sinqertë dhe e këshilloi vëllanë e tij të jetë më largpamës, se Allahu i pranon veprat e të sinqertëve. Pastaj i thotë se ai ka frikë ndaj Allahut të Lartësuar dhe nuk do të bënte asnjë hap që do ta hidhëronte Allahun e Lartësuar, edhe nëse e kërcënonte i vëllai me vrasje. Allahu i Lartësuar përcjell atë që Habili i thotë Kabilit: “Dhe, nëse ti e zgjat tek unë dorën tënde për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të mbytur; unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve!” (Maide, 28)
Mirëpo edhe pas kësaj këshille që i dha Habili, Kabili prapë veproi sipas mendjes së vet dhe nuk u largua nga ajo që kishte vendosur dhe e vrau vëllanë e vet, kështu që Habili u bë viktima e parë, kurse Kabili vrasësi i parë në botë.
Muhamedi salallahu alejhi ue selem lidhur me vrasjen që kreu Kabili thotë: “Nuk vritet asnjë njeri mizorisht e të mos marrë pjesë në atë mëkat biri i Ademit alejhi selam, Kabili, sepse ai është i pari nga njerëzit që mbyti dikë.”
Pasi e kreu veprën, ai menjëherë u mërzit e u dëshpërua dhe e kuptoi që kishte vepruar keq. Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë epshi i tij e bindi atë për mbytjen e të vëllait dhe e mbyti atë. Ai mbeti prej më të dëshpëruarve (hidhëroi prindërit, mbeti pa vëlla, u përbuz prej Zotit dhe u fut në xhehenem).” (Maide, 30)
Historianët tregojnë se pasi e vrau vëllanë, ai për një kohë të gjatë i ka bartur kufomën duke mos ditur se çfarë të bëjë me të, derisa Allahu ia dërgoi dy sorra, njëra e vrau tjetrën dhe bëri gropë në dhe për ta varrosur. Me këtë edhe Kabili kuptoi se çfarë të vepronte me kufomën e vëllait të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dërgoi një sorrë, e cila groponte në dhe, për t’i treguar atij se si ta mbulojë trupin e të vëllait. E ai i tha: “I mjeri unë, a nuk qesh i aftë të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloja trupin e vëllait tim?” Ashtu mbeti i penduar.” (Maide, 31)
Kjo ishte shkurtimisht ndodhia e dy vëllezërve, Habilit dhe Kabilit.
Alaudin Abazi
18.1.2008
Burimi: http://www.klubikulturor.com