BallinaPraktikaFikhuPËRPARA SE TË ZGJEDHËSH SHOKUN (SHOQEN) E JETËS

PËRPARA SE TË ZGJEDHËSH SHOKUN (SHOQEN) E JETËS

PËRPARA SE TË ZGJEDHËSH SHOKUN (SHOQEN) E JETËS

Thotë Allahu i madhëruar: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr, ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja. Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë.” El Bekare, 221.

Shpjegimi i ajetit

“Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë.”

Kuptimi: Mos u martoni me gra idhujtare, derisa ato ta besojnë Zotin si Një të vetëm dhe të përqafojnë Islamin. Një besimtare, sado e shëmtuar që të jetë, ajo është më e mirë se një idhujtare, sado e bukur qoftë kjo e fundit. Ky ajet i përfshin të gjitha llojet e idhujtarëve, por është ajeti i pestë i sures Maide, në të cilin Allahu i Lartësuar përjashton nga ky ligj gratë prej ithtarëve të Librit (të krishterët dhe çifutet). Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:

“Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë.”

Ky është një gjykim që i përfshin të gjithë llojet e jomuslimanëve, për të cilin nuk ka ndonjë përjashtim, sikurse ndodh me gjykimin e mësipërm. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon urtësinë e ndalimit të këtyre martesave:

“Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr…”

Me fjalët, veprat dhe sjelljen e tyre, idhujtarët të ftojnë për në zjarrin e Xhehenemit. Në fakt, përzierja me ta është shumë e rrezikshme, dhe jo thjesht për çështjet e kësaj jete, por për vetë ahiretin. Duke marrë parasysh qëllimin që ka sjellë Allahu i Lartësuar për të ndaluar këto lloj martesash, mund të themi se është e ndaluar që të përzihesh dhe të krijosh afrimitet me çdo lloj idhujtari apo bidatçiu. Nëse Allahu i Lartësuar e ka ndaluar martesën me ta, nga e cila ndonjëri mund të synojë shumë dobi, atëherë si do të jetë gjykimi për përzierjen me ta në çështje me rëndësi më të vogël sesa martesa? Sigurisht, që ndalimi është më i fortë. Po ashtu, ndalimi bëhet akoma më i rreptë nëse në këto marrëdhënie, idhujtarët dalin superiorë ndaj muslimanëve.

Thënia e Allahut të Lartësuar: “Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë” dëshmon edhe për një dispozitë tjetër: në martesën e femrës duhet marrë patjetër në konsideratë leja e kujdestarit të saj ligjor. Por ku e si duket kjo? Vëreni me kujdes dallimet mes dy rasteve që trajtohen në ajet. Në fillim thuhet: “Mos u martoni me idhujtare…”. Më pas thuhet: “Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë…”. Kështu, në rastin e parë, ajeti u drejtohet meshkujve, që ata të mos martohen me idhujtare. Edhe në rastin e dytë, ajeti u drejtohet po meshkujve: “Mos i martoni vajzat tuaja…”. Këtu kundrinori është i nënkuptuar (gra), edhe pse nuk është përmendur drejtpërdrejt në ajet. Pra kuptimi i ajetit është: “Ju mos jepni gra për nuse tek idhujtarët, derisa ata të besojnë”. Nëse leja e kujdestarit ligjor të gruas do të ishte e parëndësishme, atëherë ajeti, në rastin e dytë, nuk do t’u drejtohej meshkujve që të mos jepnin gratë tek idhujtarët, por do t’u drejtohej vetë grave (duke u thënë atyre vetë: “Mos u martoni me burra idhujtarë!”).

“…ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja.”

Allahu i Lartësuar i fton adhuruesit e Tij që të ecin në rrugën drejt Xhenetit, në rrugën që të çon tek falja e Tij dhe mbulimi i gjynaheve. Falja e Zotit dhe mbulimi i gjynaheve janë të vetmet mundësi që e ruajnë njeriun nga ndëshkimet dhe vuajtjet. Pra, Allahu i Lartësuar i fton adhuruesit që të arrijnë mirësitë e Xhenetit dhe të shpëtojnë nga ndëshkimi në Xhehenem. Në fakt, Allahu i Lartësuar na fton të kryejmë vepra të mira, të marrim dije të dobishme dhe të pendohemi sinqerisht. Çfarë ftese e mrekullueshme! Ftesë për t’u pajisur me dije të dobishme, me vepra sipas kësaj dijeje dhe të sinqerta për Allahun, dhe ftesë për t’u penduar nga gjynahet.

“Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë.”

Allahu i Lartësuar i sjell këto dispozita dhe urtësitë e tyre për njerëzit, që ata t’i përkujtojnë vazhdimisht ato. Përkujtimi është i domosdoshëm për njerëzit, sepse nëpërmjet tij kujtohen gjërat e harruara dhe zbatohen ato që janë lënë pas dore.

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimijetes.info

Must Read