Si t’i përfitoni njerëzit?!
Njerëzit, për nga natyra e tyre, e duan njeriun që është fjalëbutë, i cili nuk cenon nderin e askujt dhe nuk e lëndon askënd. Ata e duan, njëkohësisht, edhe njeriun e buzëqeshur dhe fytyrëçelur, njeriun mendjemprehtë dhe njeriun që i këshillon për gjëra të mira. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, interesohej për shkaqet që ndikojnë në përfitimin e zemrave.
Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte:
“Ju nuk do t’i përfitoni njerëzit me pasurinë tuaj, por ata i përfiton fytyra e çelur dhe morali i mirë.”[1]
I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, gjithashtu thoshte:
“Më së shumti i dua njerëzit që kanë moral më të mirë, që janë krahëlëshuar dhe që sillen butësisht me njerëz, ndërsa më së shumti i urrej ata që bartin fjalë, ata që i ndajnë të dashurit dhe ata të cilët pafajësisë ia veshin turpin.”[2]
I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, gjithashtu thoshte:
“Mos nënçmoni asnjë punë të mirë, qoftë edhe nëse e sheh vëllanë tënd me fytyrë të çelur!”[3]
Ai thoshte gjithashtu:
“Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, udhëzimi që ia jep njeriut që ka humbur rrugën është lëmoshë, heqja e pengesës, e gjembave dhe e eshtrave nga rruga është lëmoshë dhe hedhja e ujit nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë.”[4]
I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte gjithashtu:
“Edhe fjala e mirë është lëmoshë.”[5]
Ai po ashtu thoshte:
“Ushqeji njerëzit, përhape selamin, ji fjalëmirë dhe falu natën kur njerëzit flenë do të hysh me paqe në xhenet!”[6]
Burimi:
Marrë nga libri “Muhammedun Resulullah” i autorit Ahmed El-Mezjed
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
[1] Hadithin e transmeton Bezzari (8544).
[2] Hadithin e transmeton Taberaniu (835).
[3] Hadithin e transmeton Muslimi (4760) dhe Tirmidhiu (1756).
[4] Hadithin e transmeton Tirmidhiu (1879).
[5] Hadithin e transmeton Buhariu (2767) dhe Muslimi (1677).
[6] Hadithin e transmeton Ahmedi (9996).