BallinaARTIKUJHadith dhe SunetCilësitë e munafikut (dyfytyrëshit) - Hadith me komentim

Cilësitë e munafikut (dyfytyrëshit) – Hadith me komentim

Cilësitë e munafikut (dyfytyrëshit)

Nga Ebu Hurejra – radijallahu anhu – përcillet se Pejgamberi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem  ka thënë: “Cilësitë e munafikut janë tri: Kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur besohet tradhton.” Këtë hadith e shënojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu.

Domethënia e hadithit
Nifaku (dyfytyrësia) është prej cilësive më të përbuzura dhe ndahet në dy lloje: Nifak në besim dhe nifak në vepër. Nifak në besim do të thotë që njeriu ta shfaqë Islamin dhe ta fshehë kufrin (mosbesimin). Njeriu i tillë do të jetë përherë në zjarr, siç ka ardhur në Kuran: ﴾Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.﴿ (Kuran 04:145)

Nifak në vepër janë cilësitë që i përmendi Pejgamberi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem  në këtë hadith, i cili flet për munafikun, e ato janë:
E para: Kur flet për çështje të fesë a të kësaj bote gënjen.
E dyta: Kur i premton dikujt diçka nuk i qëndron besnik premtimit dhe nuk është i sinqertë në fjalët që i thotë.
E treta: Nëse i besohet ndonjë pasuri e merr atë për vete ose shkujdeset ndaj saj dhe nëse i besohet ndonjë sekret ua tregon njerëzve.
Edhe në qoftë se këto cilësi nuk e nxjerrin vepruesin e tyre nga feja, por që mund ta çojnë në kufër, muslimani detyrohet që të ruhet shumë prej tyre.

Dobitë e hadithit
1. Nifaku është prej cilësive më të përbuzura, nga të cilat duhet larguar muslimani.
2. Personi që i ka cilësitë e përmendura në hadith është munafik me nifak në vepër.
3. Është e mundur që të bashkohen te muslimani veçoritë e besimit (imanit) dhe veçoritë e mëkatit (fiskut). Njeriu i tillë meriton dënimin varësisht nga veçoritë e mëkatit që gjenden tek ai.

Burimi:
Libri i hadithit
Grup autorësh
Përktheu: Jusuf Kastrati

Must Read