BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirALLAHU KA FUQI PËR GJITHÇKA (Tefsir)

ALLAHU KA FUQI PËR GJITHÇKA (Tefsir)

ALLAHU KA FUQI PËR GJITHÇKA

Thotë i Madhëruari: “Po për atë që kaloi pranë një vendbanimi të rrënuar që nga themelet dhe tha: ‘E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi?’ Allahu e la atë të vdekur për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: ‘Sa qëndrove ashtu (i vdekur)?’ Ai tha: ‘Një ditë, ose një pjesë të ditës.’ Allahu i tha: ‘Jo, ti ke ndenjur ashtu për njëqind vjet. Shikoje ushqimin dhe pijen tënde! Ato nuk janë prishur fare. Shikoje edhe gomarin tënd! E për të bërë ty argument për njerëzit, shiko se si i lidhim sërish eshtrat dhe pastaj i veshim me mish!’ Kur atij iu bë e qartë kjo, tha: ‘U binda se Allahu është vërtet i Plotfuqishëm për gjithçka!’” El Bekare, 259.

Shpjegimi i ajetit

Edhe ky është një argument tjetër që tregon se Allahu i Lartësuar është i Vetëm në pushtetin e tij mbi krijesat. Ai është i Vetmi që jep jetën dhe vdekjen dhe që përkujdeset për gjithçka.

“Po për atë që kaloi pranë një vendbanimi të rrënuar që nga themelet dhe tha:..”

Ky njeri shkoi pranë një vendbanimi të rrënuar e pa banorë. Shtëpitë ishin të shembura, ndërsa të gjithë banorët kishin vdekur. Aty kishte humbur çdo shenjë jete. Vendi kishte një pamje të shkretë dhe të frikshme. Duke parë këtë skenë, ky njeri tha:

“E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi?”

Ai e shihte shumë të vështirë një gjë të tillë, për shkak të padijes që kishte rreth pushtetit dhe fuqisë së Allahut të Lartësuar. Megjithatë, Allahu i Lartësuar, duke dashur të mirën për këtë njeri, i tregoi atij një shenjë në veten e tij dhe në gomarin që ai mbante me vete. Njeriu kishte me vete edhe ca ushqim e pije. Kështu, i Lartësuari tregon:

“Allahu e la atë të vdekur për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: ‘Sa qëndrove ashtu (i vdekur)?’ Ai tha: ‘Një ditë, ose një pjesë të ditës’.”

Njeriut iu duk një kohë shumë e shkurtër, sepse ai i kishte humbur të gjitha ndjesitë gjatë vdekjes, pas së cilës u ringjall në të njëjtën periudhë të vitit me kohën kur vdiq.

“Allahu i tha: ‘Jo, ti ke ndenjur ashtu për njëqind vjet. Shikoje ushqimin dhe pijen tënde! Ato nuk janë prishur fare’.”

Pra, ato nuk kishin ndryshuar aspak gjendjen e tyre, ndonëse kishin kaluar gjithë ato stinë e vite. Kjo dëshmon për fuqinë e Allahut, i Cili i ruajti ushqimin dhe pijen që të mos ndikoheshin nga faktori kohë dhe të mos prisheshin. Dihet që ushqimi dhe pija janë gjëra që prishen shumë shpejt.

“Shikoje edhe gomarin tënd!”

Gomari i tij kishte ngordhur dhe ishte tretur tërësisht. Atij i kishin dalë kockat, të cilat i ishin shpërbërë dhe i ishin shpërndarë andej-këtej.

“E për të bërë ty argument për njerëzit…”

Kuptimi: Allahu i Lartësuar do ta bëjë këtë njeri argument për njerëzit, duke treguar qartë fuqinë e plotë të Tij për të ringjallur të vdekurit nga varri. Kjo provë do të shihej me sy dhe do të përjetohej në realitet. Allahu i Lartësuar e bëri këtë, që të vërtetonte fjalët e profetëve rreth ringjalljes dhe Ditës së Llogarisë.

“…shiko se si i lidhim sërish eshtrat dhe pastaj i veshim me mish!”

Kuptimi: shikoji kockat, se si i lidhim me njëra-tjetrën. Pastaj shikoje me sytë e tu se si Allahu i Lartësuar do t’i veshë me mish ato kocka të lidhura, sikurse urdhëron Ai.

“Kur atij iu bë e qartë kjo, tha: ‘U binda se Allahu është vërtet i Plotfuqishëm për gjithçka!’”

Nga kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit shihet se ky burrë nuk e besonte ringjalljen. Megjithatë, Allahu i Lartësuar deshi që ta udhëzonte dhe ta bënte atë shembull për njerëzit e tjerë. Ky shpjegim mbështetet në tri fakte:

Së pari, ai njeri tha: “E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi?” Nëse do të ishte një profet apo adhurues i mirë i Zotit, ai nuk do ta thoshte kurrë një gjë të tillë.

Së dyti, Allahu i Lartësuar i shfaqi disa shenja te ushqimi e pija, te gomari dhe te vetja e tij, që ai ta shihte të vërtetën me sytë e tij, dhe ta besonte atë që e mohonte. Në ajet nuk thuhet gjë se atij fshati iu kthye jeta apo u rindërtua. As konteksti i ajeteve nuk e tregon një gjë të tillë. Pastaj, kjo nuk do të kishte ndonjë dobi. Çfarë prove do të ishte për ringjalljen një fshat që ribëhet pas shkatërrimit?! Por e tillë do të ishte pikërisht prova që ai e pa vetë me sy tek ushqimi, pija, gomari dhe te vetja e tij.

Së treti, në ajet thuhet: “Kur atij iu bë e qartë…”. Pra, vetëm pasi atij iu bë e qartë ajo që nuk e dinte dhe nuk e besonte, ai e mësoi dhe u bind për atë (për ringjalljen). Megjithatë, Allahu e di më mirë.

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli

Must Read