BallinaPse ISLAMI?Kthimi i MadhImana Islam - Rruga e saj drejt Islamit

Imana Islam – Rruga e saj drejt Islamit

 

Imana Islam – Rruga e saj drejt Islamit

 

“Allahu ia hap zemrën për (ta pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin, si të jetë duke u ngjitur në qiell”. (Kuran, 6: 125)

Atë e gjen duke bërë lutjet më të sinqerta për familjen e saj dhe për të gjithë muslimanët në botë. Ajo e di fort mirë rolin e saj në familje, në shoqëri dhe për përgjegjësitë e davetit. Imana është një femër thirrëse me fjalët, qetësinë, pjesëmarrjen apo dhe mungesën e saj. Gjithçka nisi kur ajo një natë deklaroi shehadetin, se nuk ka Zot të adhuruar me të drejtë pos Allahut, dhe se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, është rob dhe i Dërguari i Tij. Rrugëtimin e saj drejt Islamit e nisi nga dëshira për ta njohur Zotin e gjithësisë, Krijuesin e saj, dhe për t’i dhënë fund shqetësimit dhe pikëllimit që e kishte goditur dhe e kishte munduar atë qysh në moshë të re.

Ajo rrjedh prej një familje krishtere, maqedonase këtu në Maqedoni, jetonte në një shoqëri multietnike, ku secili dinte për fenë dhe për traditat e veta. “Kërkoja ta njoh Zotin, kush e krijoi këtë gjithësi, pse jetojmë, ajo që kishim dëgjuar nga rrëfimet e Biblës nuk i jepte përgjigje pyetjeve të mia, përkundrazi ato vetëm shtoheshin”- thotë ajo. Sikurse shumë motra të tjera, të cilat kanë pranuar Islamin, edhe Imanës nuk i ka munguar ajo frikë, se mos ndoshta përgjigjet do t’i gjejë në Kuran, e kjo pastaj do ta ndryshonte jetën e saj.

Ajo është nga ato të parat në vendin tonë që ka përqafuar Islamin, u bë muslimane disa vite më parë dhe tani është e njohur me emrin e saj të ri islam. Në shtëpinë e saj tashti gjen ambientin e një familje muslimane, ku këndohet dhe dëgjohet Kurani. Në të shikohen kanale televizive Islame ku përcillen programe edukative islame, ilahi dhe ligjërata islame. Nuk mungojnë edhe raftet e mbushura me libra, të cilat vetëm shtohen dhe i japin një hijeshi të veçantë shtëpisë brenda. Kjo motër mikpritëse është një grua e devotshme dhe një nënë e re e përkushtuar. Gjithashtu është një motër muslimane shumë e dashur në mesin tonë. Udhëzimi i saj me të vërtetë është frymëzim.

 Imana kujton të kaluarën e saj si një e krishtere jo edhe aq e përkushtuar, dyshimet në fenë e saj kishin qenë të pranishme vazhdimisht, apo siç e quan ajo një besim i verbër pa e ditur se në çfarë besojmë. Dyshimi në fenë dhe kërkimi i të përsosurës kishin marrë hovin mu atëherë kur nëna e saj kishte ndërruar jetë. Atëherë kishin nisur pyetjet e saj, rreth asaj se kush na krijoi dhe çfarë ka pas vdekjes, në të vërtetë cili është qëllimi i jetës. Asgjë nuk ka qenë e lehtë për të. Mungesa e nënës së saj, shqetësimi, depresioni dhe mërzia ia bënë asaj jetën edhe më të vështirë,  dhe në atë kohë ia bënë asaj vitet e adoleshencës veçanërisht të vështira. “Nuk e dija çka është sabri” – thotë ajo. Gjithçka filloi këtu për të vazhduar pastaj rruga drejtë arritjes apo kapjes së të vërtetës, e nxitur nga një zë nga brenda që vazhdimisht i thoshte të studiojë të gjitha fetë.

Në atë moshë të re, Imanën mund ta gjeje përveçse në shkollë edhe në oborret e xhamisë. Aty te një mur i ulët, në një pjesë të oborrit të xhamisë që gjendet më lart, ku mund të shikohet i gjithë qyteti. Me Kuran në dorë, duke lexuar e ulur me vëmendje. Një vetmi e këndshme, fshehtas edhe nga familja. Leximi i Kuranit e ka shtyrë atë të mendojë, se ç’është ky libër dhe se ky nuk qenka si librat e tjerë. “Edhe më tërhiqte, ndërsa në anën tjetër kisha pëshpëritje, se qetësinë gjeje diku tjetër, në fetë e tjera, për shembull në Teurat apo në meditim, në fetë Hinduse, apo Budiste” – thotë ajo. 

 “Fillova të lexoj Kuranin në gjuhën time dhe ndërkohë kërkoja libra dhe të dhëna në internet për Islamin”,- tregon fillimet e saj ajo. “Ajo që më së shumti më shtiu të mendoj dhe të meditoj ishte sureja Bekare, njësimi i Allahut, përshkrimi i Xhenetit dhe Xhehenemit, këto që nuk mund t’i kishte ndrequr apo të jenë të shkruara nga dora e njeriut. Përshkrime këto të cilat dalloheshin nga Bibla dhe fetë e tjera” – vazhdon ajo. Ajo gjithashtu numëron edhe kozmologjinë, embriologjinë dhe aspektet të tjera shkencore në Kuran, që i kishin tërhequr vëmendjen asaj. “Kur lexoja Kuranin, ndieja një aromë të bukur rreth meje, dhe pyesja veten se nga vjen, mos vallë prej jashtë, një aromë e bukur që nuk ishte si aroma e luleve apo e parfumit, një aromë me të vërtetë e bukur dhe e veçantë.” – kujton ajo mrekullitë e udhëzimit të saj. Në këtë rrugëtim ajo përmend edhe shoqërinë muslimane dhe të vërtetën që e kishin gjetur ata që ajo e lakmonte shumë.

Tani ajo është shumë e qetë, ka gjetur lumturinë, kënaqësinë, përmbushjen dhe qetësinë shpirtërore të saj. Ajo dëshiron që edhe të tjerët ta gjejnë këtë lumturi që e ka gjetur ajo. Ajo kalon ditën në ibadete për ta kënaqur Zotin e saj, mundohet të jetë sa më afër Allahut përmes namazit e agjërimit. E diplomuar si profesoreshë e Edukatës Fizike, ajo mban hixhabin krenare dhe e guximshme, pa bërë polemika rreth kësaj, sepse asaj i mjafton ajo se Allahu kështu i ka urdhëruar femrat të vishen. Mëson sure përmendësh nga Kurani dhe ndan kohë edhe për shoqërinë me motrat muslimane. Ndërsa kur përcjell ngjarje të incizuara, ku të tjerët pranojnë Islamin i kujtohen momentet, kur ajo deklaroi shehadetin dhe lutet, që këtë të vërtetë ta përjetojnë edhe të afërmit e saj dhe të gjithë ata që kalojnë nëpër sprovat që ka kaluar ajo. “Është një ndjenjë e mrekullueshme, nuk mund të mos më rrjedhin lotët, është një ndjenjë e bukur triumfale” – shton ajo. Përveç kryerjes së detyrimeve të veta, ajo i ka vënë për detyrë vetes edhe aktivitete të tjera. Ajo është një mësuese shumë e dashur e fëmijëve të mektebit.

Imana kur përqafoi Islamin e kuptoi edhe përgjegjësitë e saj ndaj Allahut dhe besimit të saj, Islamit. Edhe përkundër vështirësive me të cilat Allahu e sprovon besimin e saj, ajo thërret njerëzit në Islam, familjen e saj, dhe rrethin e saj me urtësi, durim, mençuri dhe vepra. Ajo ka parasysh çështjet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me të si bijë, grua dhe si nënë. Kujdeset për shtëpinë e saj dhe për edukimin e vajzës së saj, që ajo të jetë shembull dhe model për njerëzit. Vajza e saj Sumeja, sipas emrit të dëshmores së parë në Islam gëzon kujdesin më të madh nga nëna e vet. Sumeja është një vajzë shumë e ëmbël, e këndshme, edhe pse akoma nuk ka filluar t’i hedh hapat e para të ecjes, dhe mezi i nxjerr fjalët, ajo dallon të mirën dhe të dashurën. Ajo rritet duke dëgjuar Kuranin e edukohet nga prindër të udhëzuar. Ata luten që vajza e tyre të jetë gjithmonë në rrugë të drejtë, të ketë një jetë si muslimane e devotshme me  guximin e Sumejës,radijallahu anha.

Imana gjithashtu, shpreson se një ditë Allahu do t’ia pranojë asaj duanë, që edhe njerëzit më të dashur të saj me lejen e Allahut do të kthehen në fenë e vërtetë dhe të vetmen të pranuar tek Allahu. Ajo gjithashtu lutet edhe për durimin e të gjitha atyre që kanë hyrë në këtë karavan, rrugës drejt Allahut dhe Xhenetit të Tij.

Imana si një femër thirrëse e konvertuar në Islam mundohet që puna dhe vepra e saj të jetë sipas Sheriatit, dhe kapacitetet e saj t’i shërbejnë fesë së saj. Me të vërtetë është e çuditshme, se si një grua e tillë të jetë aq e qëndrueshme, e guximshme, e fortë dhe me vendosmëri të jetojë me Islam.  Allahu në Kuran thotë: “Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e vërtetë.” (Kuran: 72: 14). E kalitur në fe dhe me pjekuri në Islam ballafaqohet me të gjitha situatat që i dalin, të mira apo jo. Ne, motrat e saj, duhet të mësojmë nga sjellja, durimi dhe urtësia e saj. Islami na mjafton. Allahu i Plotfuqishëm në një ajet tjetër kuranor thotë:

“E përse të mos i mbështetemi Allahut, derisa Ai na udhëzoi në rrugën tonë (të drejtë). Për Zotin, ne gjithsesi do të durojmë e do t’i përballojmë mundimet që na bëni, e vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë i mbështeten.” (Kuran, 14: 12).


Bisedoi me të: Drita Maliqi

Burimi: www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com


Must Read