BallinaAKIDEAkide të ndryshmeMuslimanët dhe festat e fundvitit

Muslimanët dhe festat e fundvitit

 

Muslimanët dhe festat e fundvitit

 

    Festimi i festave të fundvitit ka marrë jehonë të madhe tek muslimanët duke i pasuar të tjerët verbërisht, si shkak i injorancës së tyre mbi fenë e Allahut, duke mos pasur njohuri, se kjo është e ndaluar rreptësisht dhe jep të kuptojë, se Islami qenka i mangët, jo i kompletuar dhe duhet të plotësohet nga fetë e tjera, kurse dihet qartë se Allahu e ka përkryer këtë fe: “Sot ua përsosa fenë tuaj dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj”. (Maide 3) Këto festime janë të ndaluara, haram për këto arsye:

1-Festimi i kësaj dite llogaritet si festë, që nuk ka bazë në sheriat është bidat-risi dhe risitë në fe i ka ndaluar Pejgamberi salaAllahu alejhi ue selem. Aishja përcjell se Pejgamberi salaAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë atë  që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar”. (Buhariu dhe Muslimi.) Nuk mund të veçohet ndonjë ditë e caktuar me gëzim apo me festime pa pasur argument nga Sheriati.

2-  Nuk i lejohet muslimanit të festojë ndonjë festë tjetër përveç festave të lejuara në Islam, siç na i ka lejuar i Dërguari i Allahut dy festat tona, festën e Fitër Bajramit dhe të Kurban Bajramit. Na përcillet nga Enesi, radiallahu anhu, se kur shkoi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, në Medinë i gjeti ata duke festuar dy ditë dhe iu tha: “Allahu jua ka zëvendësuar me dy festa më të mira, me festën e Fitër Bajramit dhe të Kurban Bajramit”. (Hadith sahih nga Ebu Davudi dhe Nesaiu.)

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, i ndaloi festat e tyre, që të mos përngjajnë me festat e muslimanëve. Nëse e neglizhojnë këtë çështje hoxhallarët dhe institucionet fetare, duke mos folur për to atëherë njerëzit i festojnë duke iu dhanë jehonë të madhe, sikurse për festat e muslimanëve.

3- Nuk lejohet në fenë tonë festimi  i asnjë ditëlindjeje të askujt edhe kur është datëlindja e Pejgamberit tonë Muhamedit salallahu alejhi ue selem, apo e çdo njeriu të rëndomtë. Me datëlindjen apo vdekjen e ndonjë Pejgamberi nuk lejohet festimi i tyre, se nuk lejohet të afrohemi tek Allahu në këto raste duke shfaqur gëzimin apo pikëllimin, apo diçka tjetër prej shenjave të festimit. Kur u zu dielli në kohën e të Dërguarit të Allahut njerëzit menduan se kjo ndodhi për shkak të vdekjes së djalit të tij Ibrahimit, mirëpo Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, e refuzoi këtë siç ka ardhur në hadithin e vërtetë, të cilin e përcjell Mugire b. Shube se i Dërguari i Allahut ka thënë se me të vërtet që dielli dhe hëna nuk zihet për vdekjen e as për lindjen e ndonjërit. Kur ta shihni këtë fenomen faluni dhe bëjini dua Allahut. (Buhariu.)

4- Festimi i datëlindjes së Isait salallahu alejhi ue selem – Jezusit ka teprim të dashurisë ndaj tij dhe kjo dukuri është simbol i të krishterëve në këtë ditë. I Dërguari i Allahut ka thënë për këtë: “Mos me ngrini mua ashtu siç e ngritën Isain-Mesihun, birin e Merjemes, por unë jam rob i Allahut dhe thoni robi i Allahut dhe i Dërguari Tij. (Buhariu.) E ka ndaluar Sheriati ngritjen dhe teprimin në ta dhe adhurimin e tyre përveç Allahut. Pejgamberët janë dërguar nga Allahu përgëzues, qortues dhe thirrës në adhurim ndaj Allahut e jo për adhurim dhe teprim ndaj vetes se tyre.

5- Festimi i vitit të ri është miqësim me jobesimtarët dhe pjesëmarrës në simbolet e fesë së tyre, si dëshmi dhe gëzim se ata janë në të vërtetën, ndërsa realisht ata janë në të kotën dhe të devijuarën dhe kjo është e ndaluar-haram dhe prej mëkateve të mëdha. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat! Mos zini miq, as jehuditë, as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush miqësohet me ata, ai është prej tyre. Vërtet Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqar.” (Maide 51.) Nëse muslimani nuk e ka si qëllim të kënaqet me fenë e tyre dhe pëlqimin e simboleve të tyre si: trinitetin, therjen jo në emrin e Allahut, bën një mëkat e nëse ka si qëllim kënaqësinë dhe pajtimin me ta, atëherë ai është jobesimtar dhe i dalë nga feja në mendimin e krejt dijetarëve. Populli injorant nuk është në gjendje ta dallojë këtë dhe për këtë muslimani duhet t’i largohet kishave dhe organizimeve të tyre në këtë ditë dhe ditëve të tjera .

6- Festimi i festave të tyre është përngjasim me të krishterët, si dhe veçori e simboleve të mosbesimit e kjo është prej mëkatëve më të mëdha, të cilin e ka ndaluar Sheriati dhe e ka qortuar vepruesin. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i përngjan një populli ai është prej tyre.” (Ebu Davudi.) Përngjasimi në formën e jashtme ndikohet nga përngjasimi i brendshëm, që përcillet me dashuri dhe harmoni në mes përngjasuesit dhe të përngjasuarit, për këtë edhe urtësia e Sheriatit i ka ndërprerë rrugët dhe mënyrat, të cilat e shpijnë muslimanin në pëlqimin e fesë së tyre.

7- Festa e ligjshme për myslimanët është pas kryerjes së adhurimit. Ky është falënderim ndaj Allahut për lehtësimin e adhurimit dhe gëzim për muslimanin pas kryerjes së ibadetit. Festa e Fitër Bajramit vjen pas kryerjes së agjërimit, ndërsa festa e Kurbanit pas kryerjes së Haxhillëkut dhe dhjetë ditëve të Dhul Hixhes. Ky është gëzim, adhurim, falënderim dhe kthim tek Allahu i Lartmadhëruar e nuk është gëzim për krijesat ose për ndonjë çështje të dynjasë e ky kuptim nuk gjendet në festën e Isait – Mesihut (vitit  të ri) dhe Sheriatin e tij, që është anuluar me sheriatin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, dhe për këtë nuk është e ligjshme për muslimanin ta festojë këtë festë dhe ta pasojë sheriatin e tij.

8- Festimi i kësaj dite është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit tonë Muhamedit salallahu alejhi ue selem, dhe me pasimin e rrugës së tij dhe ka qenë i Dërguari i Allahut ai që e ka kundërshtuar rrugën e ithtarëve të librit (jehudive dhe të krishterëve) dhe kjo ka qenë e pëlqyer në adhurimin, moralin, traditën e tij dhe për çështjet e dynjasë. Ashtu si edhe kundërshtimi i tij ndaj tyre për drejtimin e kiblës, formën e selamit e të tjera që janë prej veçorive të tyre. Kjo dëshmohet prej tij me thënie dhe vepra. Kjo është një bazë madhështore me të cilën muslimani është i detyruar të përkujdeset dhe për këtë na ka paralajmëruar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, se prej shenjave të fundit do të jenë që një pjesë e  muslimanëve do t’i pasojë dhe do t’i përngjasojë jehuditë dhe të krishterët. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Do t’i pasoni ata që ishin para jush pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, madje edhe nëse hynë në vrimën e hardhucës. Sahabët i thanë: O i  Dërguari i Allahut, a janë ata jehuditë dhe të krishterët? Ai tha: E kush tjetër!” (Buhariu dhe Muslimi), e kjo është diçka e pranishme e Allahu na ndihmoftë.

Dhe për këtë i ndalohet muslimanit t’i festojë festat e të krishterëve, prezantimin në të gjitha format, këmbimin e dhuratave, përurimin, shitblerjen dhe tregtinë, që i ndihmon ata në propagandimin e festave të tyre. 

 

 

 

Halid B. Suud Bulejhid

Përshtati: Bashkim BAJRAMI

Burimi: www.albislam.com

www.islemifejaevertete.com


Must Read