GJENDJA DHE REAGIMI IDHUJTARËVE KUR FTOHEN PËR TË PASUAR RRUGËN E DREJTË
Allahu i Lartësuar flet për gjendjen e idhujtarëve dhe për mënyrën se si reagojnë ata kur ftohen për të pasuar rrugën e drejtë, të sjellë nga Profeti i Allahut. Ai na tregon përgjigjen e tyre, kur ftohen për të pasuar Shpalljen nga Zoti i gjithësisë. Kështu, edhe pse janë njohur me ftesat e mësipërme, ata thonë:
1. “Kur atyre (idhujtarëve) u thuhet: “Pasoni atë që shpalli Allahu!” Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë që kishin të parët tanë!”” – Pra, ata mjaftohen me pasimin e verbër të paraardhësve të tyre, duke qëndruar mospërfillës ndaj udhëzimit të sjellë nga profetët e Zotit. Ata nuk i shqetëson fakti që të parët e tyre, rrugën e të cilëve e pasojnë verbërisht, kanë qenë injorantë, të humbur dhe të larguar nga rruga e drejtë e Zotit. Justifikimi i tyre për refuzimin e së vërtetës është shumë i dobët dhe i pavend. Madje, ai vërteton se refuzimi i tyre bëhet me vetëdije, dhe kështu ata nuk tregohen të drejtë në vlerësimin e së vërtetës.
Nëse do të synonin dhe do të përpiqeshin sinqerisht që të gjenin udhëzimin e vërtetë, pa dyshim që do ta mësonin dhe pranonin atë. Çdokush që synon të vërtetën dhe bën një krahasim mes saj dhe të kotës, e kupton lehtësisht se cila është e vërteta dhe, nëse do të jetë njeri i drejtë, do ta pasojë pa u lëkundur atë. Pastaj i Madhëruari thotë:
2. “Edhe sikur të parët e tyre të mos kishin kuptuar asgjë dhe të mos ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.” – Kjo tregon se ata janë njerëz që nuk e pranojnë apo nuk janë të aftë që ta pranojnë të vërtetën. Ata nuk e mposhtin dot kryeneçësinë e tyre. Për këta lloj njerëzish, Allahu i Lartësuar sjell një shembull, i cili përshkruan gjendjen e tyre kur ftohen të ndjekin fenë e drejtë të Allahut.
3. “Mohuesit u përngjajnë bagëtive, të cilat, kur i thërret dikush (bariu), ato dëgjojnë vetëm britmë dhe zë.” – Pra, ata u përngjajnë bagëtive, të cilat veç sa dëgjojnë zërin e bariut, por nuk kuptojnë se çfarë thotë ai. Edhe mohuesit, ashtu si bagëtitë, e dëgjojnë atë që i fton në rrugën e drejtë, por nuk reagojnë me logjikë ndaj zërit që dëgjojnë. Për këtë arsye, Allahu thotë:
4. “Ata janë të shurdhër, memecë, të verbër dhe nuk kuptojnë asgjë.” – Ata janë ‘summun’, pra, të shurdhër, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me logjikë, për ta kuptuar dhe për t’iu bindur asaj. Ata janë ‘umjun’ – të verbër, që nuk i shohin faktet, për ta dalluar të vërtetën nga e kota, dhe nuk marrin mësime prej tyre. Ata janë gjithashtu ‘bukmun’ – memecë, që nuk e thonë kurrë të vërtetën, e cila është në dobinë e tyre.
Cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Allahu i Lartësuar thotë: “ata nuk kuptojnë”. Pra, shkaku është që ata nuk kanë mendje të shëndoshë, por janë mendjelehtë dhe injorantë. E si mund të dyshosh në mendjelehtësinë e dikujt që, kur ftohet në rrugën e drejtë, kur ftohet për t’u larguar nga shkatërrimi e për t’u ruajtur nga ndëshkimi, kur urdhërohet për vepra të mira, që janë në dobi të tij, kur ftohet në rrugën që i siguron suksesin dhe lumturinë, ai, çuditërisht, e refuzon ftesën dhe nuk i bindet urdhrit të Zotit të tij?!
Çfarë mund të thuhet tjetër për një njeri, i cili, me vetëdije, i hyn rrugës së Zjarrit, duke ndjekur të kotën dhe duke shpërfillur të vërtetën?! A mund të thuhet që një i tillë është i mençur?! Jo, padyshim që ai është më mendjelehti dhe më injoranti që mund të ekzistojë.
Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimi Jetes.com