Mbreti i mençurë

Mbreti i mençurë

 

Do të ndaj me ju një tregim që tregon vendimin e mençur të një të riu se si të jetojmë këtë jetë.Ky tregim është vetëm një shembull.

Na ishte një vend kohë më parë ku njerëzit do ta ndërronin mbretin për çdo vit. Personi që do të bëhej mbret duhej të pajtohej me një kontratë, sipas së cilës ai do të dërgohej në një ishull mbas një viti mbretërim. Kështu që një mbret e mbaroi afatin apo periudhën e tij dhe ishte koha për të që të shkonte në ishull dhe të jetonte atje. Njerëzit e veshën atë me rroba të shtrenjta, e vendosën në një elefant dhe e dërguan rreth qyteteve që t’u thoshte lamtumirën të gjithë njerëzve. Ky ishte momenti i pikëllimit për të gjithë mbretërit të cilin sunduan për nga një vit. Mbas lamtumirës, njerëzit e dërguan mbretin me një barkë në ishullin e vetmuar dhe e lanë atje.
Në rrugën e tyre mbrapa, ata zbuluan një anije që ishte fundosur vetëm pak kohë më parë. Ata panë një njeri të ri, i cili kishte shpëtuar duke u mbajtur në një pjesë druri që lundronte. Meqë iu nevojitej një mbret i ri, ata e morën këtë njeri dhe e dërguan në vendin e tyre, ku kërkuan prej tij që të bëhej mbret për një vit. Në fillim ai refuzoi, por më vonë u pajtua të bëhej mbret. Njerëzit i treguan atij për të gjitha rregullat dhe normat dhe se si ai do të dërgohej në një ishull mbas një viti.
Mbas tri ditësh mbret ai pyeti ministrat nëse mund t’ia tregonin ishullin ku të gjithë mbretërit e tjerë ishin dërguar. Ata u pajtuan dhe e dërguan në ishull. Ishulli ishte i mbuluar me xhungla të dendura dhe zërat e kafshëve të egra dëgjoheshin duke dalë prej tyre. Mbreti hyri pak brenda për të parë se si ishte dhe zbuloi trupat e vdekur të të gjithë mbretërve të mëparshëm. Ai e kuptoi se posa ata ishin lënë në ishull, kafshët kishin ardhur dhe i kishin vrarë. Mbreti u kthye në vend dhe kërkoi nga njerëzit ta pajisin me 100 punëtorë të fuqishëm. I mori 100 punëtorët dhe i dërgoi në ishull dhe u tha që të largonin të gjitha kafshët e egra dhe të prisnin të gjithë drurët. Ai do ta vizitonte ishullin çdo muaj që të shihte se si po përparonte puna. Në muajin e parë, të gjitha kafshët ishin larguar dhe shumë drurë ishin prerë. Në muajin e dytë, i tërë ishulli ishte pastruar. Pastaj mbreti u tha punëtorëve të mbillnin kopshte në pjesë të ndryshme të ishullit. Ai gjithashtu dërgoi atje kafshë të dobishme, si pula, rosa, dhi, lopë etj.. Në muajin e tretë ai i urdhëroi punëtorët të ndërtojnë shtëpi të mëdha dhe skela për anije. Me kalimin e muajve ishulli u kthye në një vend të bukur.
Mbreti i ri vishte rroba të thjeshta dhe harxhonte shumë pak nga fitimet e tij. Ai i dërgoi të gjitha fitimet në ishull, që t’i ruante. Nëntë muaj kaluan kështu. Mbreti i thirri njerëzit dhe u tha atyre: “Unë e di që kam për të shkuar në ishull mbas një viti, por do të dëshiroja të shkoja menjëherë atje”. Por njerëzit nuk u pajtuan më këtë dhe thanë që ai duhet të priste edhe tre muaj që të plotësonte vitin.
Tre muaj kaluan dhe tani ishte një vit i plotë. Njerëzit e veshën mbretin e ri dhe e vendosën në një elefant që ta dërgojnë rreth vendit, që t’u thotë lamtumirë të tjerëve. Megjithatë, ky mbret ishte jashtëzakonisht i lumtur që po e linte mbretërinë. Njerëzit e pyetën: “Të gjithë mbretërit e tjerë qanin në këtë moment, po ti pse po qesh?” Ai u përgjigj: “A nuk e dini se çka thonë njerëzit e mençur? Ata thonë se kur ti erdhe në këtë botë si foshnje, ti qaje ndërsa të tjerët qeshnin. Jeto jetë të tillë që kur je duke vdekur, ti do të jesh duke qeshur dhe çdokush rreth teje do të qajë.” Unë kam jetuar jetë të tillë. Derisa të gjithë mbretërit e tjerë ishin humbur në salltanetin e mbretërisë, unë gjithmonë kam menduar për të ardhmen dhe e kam planifikuar atë. E kam shndërruar ishullin vdekjeprurës në një vendbanim të bukur, ku mund të qëndroj i qetë.
Ne duhet të marrim mësim prej këtij tregimi se si të jetojmë jetën tonë. Jeta e kësaj bote është që të përgatitemi për jetën në botën tjetër. Në këtë jetë nuk duhet të mashtrohemi nga gjërat e bukura të kësaj bote dhe të harrojmë se çka vjen në botën tjetër. Bile, edhe nëse jemi mbretër, ne duhet të jetojmë një jetë të thjeshtë, si i dashuri ynë, i Dërguari Muhamed alejhi selam dhe të ruajmë të gjitha kënaqësitë për botën tjetër. Allahu na e lehtësoftë!


Përktheu dhe përshtati nga anglishtja Meriton Muriqi

Burimi: fanari.al

 

Must Read