BallinaTEZKIJEAmbiciet dhe SuksesiRealiteti i qëndrueshmërisë në fe është të jesh i vazhdueshëm në...

Realiteti i qëndrueshmërisë në fe është të jesh i vazhdueshëm në metodologjinë e duhur dhe në rrugën e drejtë

Për të gjetur realitetin e qëndrueshmërisë në fe ndihmohemi me fjalët e begata që përcillen nga sahabët dhe tabi’inët. Fjalët e tyre e sqarojnë kuptimin dhe realitetin e saj.
Siddiku i këtij ummeti Ebu Bekri radijallahu anhu duke e shpjeguar ajetin:

“Pa dyshim, ata që thonë:“Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” thotë:”Janë ata të cilat nuk i shoqërojnë Allahut asgjë.”(6)

Përcillet se Umeri radijallahu anhu duke qenë mbi minber lexoi: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” pastaj tha: “Ata që nuk përdridhen ashtu siç bën dhelpra.” (7)

Ibën Abbasi radijallahu anhuma për pjesën e ajetit “pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë” u shpreh:”në dëshminë la ilahe il-lAll-llah”; ngjashëm me këtë përcillet edhe nga Enesi, Muxhahidi, Esued bin Hilali, Zejd bin Eslemi, Suddiu, Ikrime dhe të tjerë. (8)

Po ashtu nga ibën Abbasi përcillet të ketë thënë:”Qëndrojnë në kryerjen e detyrimeve të Tij.” (9)

Ndërkaq, nga Ebu Alije kemi thënien e tij:”Pastaj janë të sinqertë në besimin dhe veprat e tyre.”(10)

Nga Katade përcillet kjo thënie:”Qëndrojnë në bindjen ndaj Allahut.” (11)

Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) të gjitha këto thënie i solli në veprën “Xhamiul-ulumi uel-hikem (12)”, pastaj qëndrueshmërinë e përkufizoi kësisoj: “Qëndrueshmëria (el-istikameh) është ecja rrugës së drejtë, domethënë fesë së drejtë, pa devijuar nga ajo djathtas apo majtas. Kjo përfshinë kryerjen e të gjitha bindjeve, të dukshme e të fshehta, dhe, në anën tjetër, braktisjen e të gjitha punëve të ndaluara, po ashtu. Andaj, kjo porosi përmbledh në vete të gjitha kategoritë e fesë.” (13)

Të gjitha këto kuptime janë të përafërta dhe e shpjegojnë njëra-tjetrën, ngaqë qëndrueshmëria është fjalë përmbledhëse që e përfshinë fenë në tërësi.

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan:
“Qëndrueshmëria është një fjalë përmbledhëse që e përfshinë tërë fenë; ajo është të tregohesh vërtetë i sinqertë me Allahun dhe të përmbushësh besëlidhjen
me Të.” (14)

————–
Referenca:

6) Po aty (21/464)
7) Përcjellë nga Taberiu në Tefsirin e tij (21/465).
8) Po aty (21/464-465).
9) Po aty (21/465).
10) Mauerdi në En-nuket uel-ujun, (5/275).
11) Abdurrezzaku në Musannef, (2618).
12) (Fq. 383-384).
13) (Fq. 385).
14) Medarixhus-Salikin (2/105)

✍️🏻Autor: Dr. ABDURREZZAK IBN ABDULMUHSIN EL BEDR
✍️🏻Përkthyes: Petrit Perçuku

Must Read