JETA – RRUGË PA KTHIM
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Rob i Allahut! Dije se do të vdesësh një ditë, edhe pse ti ndoshta nuk do, pastaj do të ringjallesh në një ditë gjykimi, edhe pse ti ndoshta nuk e beson, pastaj do të të peshohen veprat e tua të mira dhe në sajë të tyre do të shpërblehesh, edhe pse kjo për ty ndoshta është e panjohur. Prandaj mos të të mashtrojë dynjaja e cila është vetëm vend sprove për ty, madje as të të mos hutojë, sepse ajo do të zhduket.
Dije, o rob i Allahut, se në këtë jetë po ecën mbi atë rrugë, mbi të cilën patën kaluar edhe popujt e mëhershëm, të cilët jetuan më gjatë, ishin më të fuqishëm dhe ndërtuan më shumë. Mirëpo prapëseprapë pasuria e tyre humbi, trupat e tyre u tretën dhe shtëpitë e tyre u shembën. Dikur ishin kështjella e ndërsa sot u bënë rrënoja. Pas një jete luksoze u futën në dhé. Mbas këtij udhëtimi s’kanë më kthim; kjo, sepse do të takohen me Zotin e Gjithëfuqishëm. “Sepse kthimi i juaj është për tek Allahu, Ai ka fuqi për çdo send.” Hud, 4.
O rob i Allahut! Në popujt e hershëm, kur në tokë kishte dominuar padrejtësia dhe devijimi dhe njerëzit ishin zhytur në errësirë, ku njerëzit ia kishin kthyer shpinën Zotit dhe u luteshin idhujve (gjëra të tjera përveç Allahut), Zoti u dërgoi atyre të zgjedhurin e Tij (Nuhun -alejhi selam-) për t’i këshilluar ata, në mënyrë që ta ndiqnin të vërtetën e Zotit dhe t’i linin besimet e tjera. Kështu, ata do të shpëtonin nga Zemërimi i Tij që ishte nisur të binte mbi ta. Këtë e tregon Zoti në Kuran duke thënë: “Ne e dërguam Nuhun tek populli i vet (dhe i thamë): ‘Tërhiqja vërejtjen popullit tënd para se ata t’i godasë dënimi i rëndë!’.” Nuh, 1.
“Ai tha: ‘O Zoti im, unë e thirra popullin tim natën e ditën. Por thirrja ime vetëm ua shtoi ikjen’. Dhe sa herë që i thërrisja ata, që t’ua falësh (Ti) mëkatet, ata i venin gishtat e tyre në veshë dhe i mbulonin kokat me rrobat e tyre dhe vazhdonin në atë (devijimin) e tyre me një mendjemadhësi të fortë.” Nuh, 5-7. “Për shkak të mëkateve të tyre, ata u përmbytën (me ujë) dhe menjëherë u futën në zjarr (të xhehenemit) dhe ata përveç Allahut, nuk pat kush t’i ndihmonte.” Nuh, 25.
Megjithatë, siç thotë edhe vetë Zoti: “Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve do t’ju takojë ajo që fituat dhe ju nuk do të jeni përgjegjës për atë që vepruan ata.” Bekare, 134.
O rob i Allahut! Një fund i njëjtë i pret të gjithë ata që mohojnë Autoritetin e Tij Madhështor, Krenarinë e Tij dhe të Drejtën e Tij mbi ne. O rob i Allahut, ata kaluan dhe Zoti as nuk u dha afat, dhe as nuk u lejoi që të kthehen më. Edhe ne jemi duke ecur mbi atë rrugë që ishte ai popull i lashtë, a nuk po merr mësim prej kësaj ngjarjeje? Këtë pyetje na e drejton edhe Zoti në Kuran: “A nuk e panë ata se sa gjenerata kemi zhdukur para tyre dhe ata nuk u kthyen? Dhe të gjithë, do të paraqiten pranë Nesh, të tubuar.” Ja Sin ,31-32.
Prandaj, o rob i Allahut, përgatitu për takimin me Zotin e gjithësisë. Shpejto… para se të vijë dita që s’ka kthim mbrapa, sepse pastaj edhe po ta kërkosh kthimin nuk do të të jepet.
“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: ‘O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!’ Kurrsesi, (nuk ka kthim prapa) e ai që e thotë ka vetëm fjalë, e ata kanë para tyre një perde
(distancë të pakalueshme) deri në ditën kur ringjallen.” Muminun, 99-100.
Dije, o vëllai im, se ky është ligj i Allahut për të gjithë, që nuk ndryshon për askënd, prandaj të këshilloj, siç na ka këshilluar edhe Zoti në Kuran: “Ti përmbahu fuqimisht Fesë së Drejtë (Islamit), para se të vijë dita që nuk ka kthim, sepse (ky) është (ligj i) caktuar prej Allahut. Atë ditë ata (njerëzit do të) ndahen, e kush nuk besoi, barrën e mosbesimit të vet e ka kundër vetes, e kush bëri punë të mirë, ata ia përgatitën vetvetes vendin (xhenetin). E Ai (Allahu) do t’i shpërblejë nga të mirat e Veta, ata që i besuan dhe bënë vepra të mira dhe se Ai nuk i do jobesimtarët.” Rum, 43-45.
O rob i Allahut, jemi duke ecur në një rrugë që nuk ka kthim prapa, ditët tona nuk ndalen edhe nëse ne ndalemi, ato janë të pamëshirshme. Prandaj të këshilloj që të rikthehesh nga Zoti.
“Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj para se të vijë një ditë, që Allahu nuk e kthen më (pasi ta ketë caktuar). Atë Ditë nuk do të gjeni shpëtim dhe as nuk do të mund t’i mohoni (mëkatet që keni bërë).” Shura, 47.
O rob i Allahut, a e di se kush është kjo ditë? Ajo është dita e fundit. Dita jote e fundit. Mundësia jote e fundit për tu kthyer.
O rob i Allahut, a i ke numëruar, sa ditë para kësaj dite të janë dhënë? Të është dhënë dita e parë dhe pas saj t’u dhanë edhe 10-mijë ditë të tjera (27.3 vjet) dhe në asnjërën prej tyre nuk ndryshove. T’u shtua edhe një ditë… edhe një ditë… ja edhe një ditë tjetër… Edhe sa ditë pas kësaj dite të duhen? Edhe sa ditë të duhen për të ndryshuar, për t’u penduar dhe për t’iu kthyer Rrugës së Zotit, ashtu siç bënë shumë besimtarë?
O ti që e beson Zotin! Zoti po të thotë: “Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj para se të vijë një ditë, që Allahu nuk e kthen më (mbrapa). Shura, 47.
O rob i Allahut, sa e sa ditë para kësaj dite t’u dhanë vetëm e vetëm që ti të pendohesh dhe t’i kthehesh Rrugës së Zotit, por që ti nuk e bëre, derisa të erdhi ajo “ditë, që Allahu nuk e kthen më”. A mos po dëshiron që edhe ditën tënde të fundit të ta kthejë edhe një herë?
Atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë ndihmës tjetër, pos Tij. Do t’i shohësh zullumqarët që, kur të vërejnë dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë (mundësi) për rikthim (në dynja)?” Shura, 44.
Përfytyroje pak veten, o rob i Allahut, atë moment çdo gjë e mëparshme të ka mbaruar dhe ka marrë fund. Kanë marrë fund projektet dhe planifikimet e tua, ka përfunduar përpjekja (lufta) jote për dominim mbi tjetrin, ka marrë fund karriera jote, faktikisht ka marrë fund jeta jote.
Paramendoje pak veten kur të hapen varret për të dalë prej tyre dhe për t’u mbledhur në Ditën e Gjykimit. Ajo është Dita kur do të drejtohemi për tek Allahu, i Cili ka thënë: “Thuaj: ‘Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, do t’ua marrë shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj’. E, sikur të shihje mëkatarët se si ulin kokat e veta pranë Zotit të tyre: ‘Zoti ynë, tani pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tani jemi të bindur’”. Sexhde, 11-12.
“Sot shpërblehet secili njeri me atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, Allahu llogarit shpejt.” Gafir , 17.
Përfytyroje sadopak veten tënde, o rob i Allahut, përfytyro sadopak momentin kur të të vijë radha jote për të dhënë llogari, e ajo ditë do të jetë vërtetë ditë e vështirë, sepse atë ditë njerëzit do të përballen me mëkatet e tyre, ashtu siç e ka përshkruar Allahu në Kuran: “Kthimi i të gjithë juve është te Ai, premtimi i Allahut, është i vërtetë. Ai e filloi krijimin (tuaj së pari) e pastaj e përsërit atë (duke iu ringjallur) për t’i shpërblyer me të drejtë ata që besuan dhe bënë vepra të mira. E për ata që mohuan, ka pije valë dhe dënim të dhembshëm, për shkak se ata mohonin.” Junus, 4. “Dhe vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe në tokë – për t’i dënuar ata që bënë keq me të keqen e tyre dhe për t’i shpërblyer ata që bënë mirë me të mirën e tyre.” Nexhm, 31.
O vëllai im! Zoti është Serioz, sidomos kur flet për jetën dhe të ardhmen tënde. Ai dëshiron që të të shpëtojë nga ajo shoqëri mbi të cilën do të bjerë dënim i madh! Prandaj, nëse ia do të mirën vetes, kthehu dhe dëgjoje këshillën e Zotit që po të thërret për të mirën tënde:
“Dhe kthehuni nga Zoti juaj dhe përuluni (faluni) Atij, para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbahuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj (Kuranit), para se t’ju vijë
dënimi befas e ju të mos e prisni.” Zumer, 54-55.
O vëllai im! Kthehu me besim vetëm nga Zoti yt dhe lëri besimet në gjërat e tjera, përveç Tij, sepse besimi në ato (gjëra) apo të betuarit në to, nënçmojnë Zotin që të ka krijuar, të furnizon çdo ditë dhe që është i Vetmi
që t’i pret fatkeqësitë.
Përulu (falu) Atij dhe mos u trego mendjemadh, sepse Ai është më i Madh se ti dhe se je ti ai që ke nevojë për Të, e Ai s’ka nevojë për ty. Lexo çdo ditë prej Fjalës së Zotit (Kuranit) para se të jetë tepër vonë,
sepse atëherë pendimi nuk të bën dobi dhe për këtë, Zoti po na del borxhit: “Dhe të mos thotë ndokush: ‘O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj Allahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!’ Ose të mos thotë: ‘Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të devotshëm!’ Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: ‘Sikur të isha kthyer edhe njëherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!’Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i mohove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan.” Zumer, 56-59.
O vëllai im! Nëse dëshiron që ta fillosh një faqe të re në librin e jetës tënde, atëherë filloja që sot, sepse ndoshta e nesërmja e jote është dita jote e fundit. Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: ‘O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të përkushtuarve!’ Kurrsesi, nuk e shtyn Allahu askënd për më vonë, kur t’i vijë atij afati i vet. Allahu është i njohur hollësisht me atë që punoni ju.” Munafikun, 10-11.
“Robërve të Mi, të cilët besuan thuaju: ‘Të falin rregullisht namazin dhe të japin fshehtas e haptas, nga ajo që i furnizuam ata, para se të vijë një ditë që në te nuk ka as kompensim as miqësi’.” Ibrahim, 31.
“…Askush nuk e bartë barrën (mëkatin) e tjetrit. Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar. Dhe se mundi i tij më vonë (ditën e gjykimit) do të shihet. Pastaj ai shpërblehet me shpërblim të plotë (që meriton). Dhe se kthimi i fundit do të jetë tek Zoti yt.” Nexhm, 38-42.Ndërsa lutja ime e fundit është: “…Falënderojmë Allahun që na udhëzoi në këtë (besim të vërtetë), sepse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi…” A’raf, 43.
Çdo e mirë është prej Allahut, e çdo gabim është prej nesh dhe shejtanit.
O Allahu im, më frymëzo me orientim të drejtë dhe më ruaj nga e keqja e
vetvetes sime! Vërtet, Ti je Dëgjuesi, i Dijshmi!
Përgatiti: Bashkim Selmani
Burimijetes.info