BallinaPraktikaHaxhiShtyllat e Islamit

Shtyllat e Islamit

Shtyllat e Islamit

Shtyllat e Islamit janë themele mbi të cilat ai ndërtohet. Ato janë pesë, të cekura në transmetimin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë: të veçohet Allahu me adhurim (sipas një motërzimi tjetër, në lidhje me pesë:) të dëshmuarit se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e ramazanit dhe haxhillëkun.” Dikush tha: “Haxhillëkun dhe agjërimin e ramazanit.” Tha: “Jo, agjërimin e ramazanit dhe haxhillëkun. Kësisoj e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi, ndërkaq ky është motërzimi i Muslimit)

1. Për sa i përket dëshmisë, se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ajo nënkupton: besim të prerë, që shprehet me gjuhë lidhur me këtë dëshmi. Kjo dëshmi është konsideruar si një shtyllë e vetme edhe përkundër faktit se përmban një numër dëshmish, e kjo vjen: ose për shkak se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, është komunikues e përcjellës nga Allahu i Lartësuar, prandaj dhe dëshmia lidhur me robërinë e vet dhe të qenët i dërguar i Tij është pjesë e përsosurisë së dëshmisë se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut; ose kjo mund të jetë sepse këto dy dëshmi janë bazë e vlefshmërisë së veprave dhe pranimit të tyre. Ndaj, vepra nuk është e vlefshme e as e pranueshme përveç nëse bëhet me sinqeritet për Allahun e Lartësuar dhe në përputhje me Sunetin e tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Me sinqeritet ndaj Allahut realizohet dëshmia se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, kurse me ndjekjen e të Dërguarit të Allahut realizohet dëshmia se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Prej fryteve madhështore të kësaj dëshmie është çlirimi i zemrës dhe i shpirtit nga të qenët rob i krijesave dhe i ndjekjes së dikujt tjetër përveç të dërguarve.

2. Sa i përket faljes së namazit, ajo nënkupton ta adhurosh Allahun e Lartësuar duke e kryer namazin me vendosmëri dhe me përsosuri në kohët dhe në format e tij (të përcaktuara). Ndër frytet e kryerjes së namazit janë: zgjerimi i gjoksit, rehatia shpirtërore dhe largimi nga gjërat e turpshme dhe të këqija.

3. Sa i përket dhënies së zekatit, ajo e nënkupton adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar duke e shpenzuar sasinë e obliguar në ato lloje pasurish që duhet dhënë zekat. Ndër frytet e kësaj janë: pastrimi i shpirtit nga vesi i lig (koprracia), me ç’rast përmbushen nevojat e Islamit dhe të muslimanëve.

4. Sa i përket agjërimit të ramazanit, ai është adhurim ndaj Allahut të Lartësuar duke u vetëpërmbajtur nga ushqimi, pija dhe kontakti intim gjatë ditëve të ramazanit. Ndër frytet e tij janë: zbutja e shpirtit duke i lënë gjërat e dashura për ta arritur kënaqësinë e Allahut të Lartmadhërishëm.

5. Sa i përket haxhillëkut, ai e nënkupton adhurimin e Allahut të Lartësuar duke ia mësyrë Qabesë së Shenjtë, për t’i kryer ritualet e haxhillëkut. Ndër frytet e tij janë: zbutja e shpirtit duke dhënë mund financiar dhe fizik në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar. Rrjedhimisht, nga ky këndvështrim, haxhillëku konsiderohet një lloj xhihadi në rrugën e Allahut të Lartësuar.

Frytet e lartpërmendura, dhe të tjera që nuk i përmendëm, e bëjnë umetin një umet të pastër e të çiltër islam, duke e adhuruar Allahun me fe të vërtetë, duke i trajtuar njerëzit me drejtësi dhe me sinqeritet. Kjo për faktin se të gjitha ligjet e tjera të Islamit rregullohen paralel me rregullimin e këtyre bazave. Gjendja e umetit rregullohet me rregullimin e fesë së tyre, ndërkaq rregullimi i gjendjes së tyre dështon nëse shpërfillet rregullimi i fesë së tij.

Kushdo që dëshiron sqarimin e kësaj, le ta lexojë fjalën e të Lartësuarit tek thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë. A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.” (Araf, 96-99)

Le të analizohet historia e popujve të mëhershëm, sepse në histori ka mësim për ata që mendojnë dhe vizion për ata që nuk kanë perde përpara. E, ndihma kërkohet vetëm prej Allahut!

“Shpjegimi i bazave të besimit”
Muhamed ibn Salih el Uthejmin
http://burimijetes.info/

Must Read