Islami
Islam do të thotë dorëzim ndaj Allahut me teuhid (duke njësuar Atë), të përulurit Atij me respekt dhe largim prej shirkut dhe pasuesve të tij.
Bazat e Islamit
Dy shehadetet , namazi , zekati , agjërimi, haxhi .
Besimi është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet.
– Fjala e zemrës do të thotë të vërtetuarit dhe të dëshmuarit e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “E ai që e solli të vërtetën dhe që e vërtetoi atë, të tillët janë ata të ruajturit.” (Zumer, 33)
– Vepra e zemrës do të thotë të nënshtruarit dhe përulja ndaj Tij. Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuluni Atij…(Zumer, 54)
– Fjala e gjuhës do të thotë të shqiptuarit e shehadetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju (besimtarët) thoni: Ne i kemi besuar Allahut …” (Bekare, 136) “…përveç kush dëshmoi të vërtetën…” (Zumer, 86)
– Veprat e gjuhës dhe gjymtyrëve. Përsa i përket veprës së gjuhës përmendim sikurse: leximi i Kuranit dhe lutjeve (dhikrit) etj., ndërsa veprat e gjymtyrëve përmendim sikurse: namazi, haxhi, xhihadi etj.
Besimi shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me mëkate.
Argumentet se imani (besimi) shtohet, është Fjala e Allahut të Lartësuar: “…e atyre që besuan t’u shtohet edhe më besimi…” (Mudethir, 31) “…të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi…” (Enfal, 2)
Ndërsa argumentet për pakësimin e imanit (besimit) është fjala e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Vërtet, imani vjetërsohet në brendësi të ndonjërit prej jush (zemrave tuaja) ashtu sikurse vjetërsohet rrobja. Luteni Allahun që t’ua përtërijë imanin në zemrat tuaja.” (Transmeton Hakimi dhe thotë se hadithi është sahih.)
Bazat e imanit
E ato janë: Të besosh Allahun, enjgjëjt, të dërguarit, librat e Tij, Ditën e fundit dhe kaderit (caktimin e Allahut për të mirë dhe të keqe).
Shkallët e besimit në kader
a) Shkalla e parë: Dija. Allahu i Lartësuar thotë “…Për ta ditur ju se Allahu ka fuqi për çdo send dhe që me të vërtetë ka përfshirë çdo send me dijen e Vet.” (Talak, 12)
b) Shkalla e dytë: Caktimi (të shkruarit). Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Leuhi Mahfudh). (Jasin,12). “…dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron.” (Taha, 52).
c) Shkalla e tretë: Vullneti, Dëshira. Allahu i Lartësuar thotë: “Po ju nuk mund të doni gjë, përveç nëse do Allahu…”
d) Shkalla e katërt: Krijimi. Thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu është Krijues i çdo gjëje…” (Zumer, 62) “Allahu ju krijoi juve dhe atë që punoni.”(Safat, 96)
Përgatiti: Erion Sula