Çdo 14 ditë, vdes 1 gjuhë dhe 1 kulturë
Çdo 14 ditë një gjuhë vdes. Në njëqind vitet e ardhshme mund të kenë humbur gjysma e 7000 gjuhëve që fliten sot në botë, me pasojë zhdukjen edhe të kulturave.
Në një studim të publikuar në revistën “National Geographic” thuhet se në botën tonë ka gjuhë që fliten nga një numër fare i vogël njerëzish, dhe ky sipas studiuesve është një nga faktorët kryesorë që çojnë në rrudhje, deri në zhdukjen e tyre.
Por sot, të gjendur përballë kësaj sfide, komunitete të ndryshme njerëzish, kryesisht indigjene, po shfrytëzojnë risitë e teknologjisë për të bërë të mundur mbijetesën e gjuhës së tyre dhe kalimin e saj në brezat e ardhshëm. I tillë është komuniteti Ktunaxa në Amerikën Veriperëndimore, që ka gjuhën e tij por që rrezikon të zhduket bashkë me gjuhën e tyre.
Një regjistrim i realizuar në vitin 1990 tregonte për rreth 400 folës të gjuhës Ktunaxa, por ata dymbëdhjetë që ruajnë strukturat origjinare të gjuhës dhe fjalorin e saj të paprekur apo të pandikuar, i përkasin kryesish brezit të vjetër. Dhe askush tjetër në botë nuk është në gjendje ta flasë atë gjuhë përveç këtyre të dymbëdhjetëve. Duke pasur parasysh numrin shumë të vogël të folësve të lindur të kësaj gjuhe, ekziston rreziku se kjo gjuhë do të shuhet me vdekjen e folësit të fundit.
Për të shmangur këtë, disa anëtarë të komunitetit, ata më të rinjtë dhe që kanë më tepër akses me arritjet më të fundit të shkencës, kanë vendosur të përdorin teknologjinë për të luftuar këtë rrezik. Ata kanë shkarkuar në internet, lojëra interaktive për fëmijë dhe materiale të tjera të transkriptuara, duke e bërë më të këndshme për këdo që dëshiron të mësojnë Ktunaxa. Gjithashtu, të rinjtë e këtij komuniteti kanë krijuar edhe programe online për të rriturit të cilët duan të rimësojnë gjuhën e tyre duke iu larguar sa është e mundur rrezikut të harresës.
Zgjidhja duket se po jep efektet e para, duke pasur parasysh që anëtarët e rinj të komunitetit vendas janë të gjithë të lindur në epokën dixhitale. Falë internetit, në këtë mënyrë materiali i ngarkuar është i arritshëm dhe i perceptueshëm për këdo, kudo që ai ndodhet.
“Sikur të mos kishim ndërmarrë këtë nismë, – thotë Marisa Philips, një nga ‘konservueset’ e gjuhës Ktunaxa, – ne rrezikojmë të humbasim jo vetëm gjuhën tonë, por edhe identitetin tonë si një komb dhe popull i fisit Ktunaxa”.
Teknologjia, e cila shumë shpesh është akuzuar për vrasjen e asaj që është më e natyrshmja, e asaj që rrjedh së brendshmi te një komunitet, pra gjuha, sot ndoshta mund të jetë e vetmja mënyrë për ta shpëtuar atë.
/Drita Islame/