BallinaARTIKUJHistori dhe TregimeVetëm tetë çështje i përfitoj nga mësuesi i tij!

Vetëm tetë çështje i përfitoj nga mësuesi i tij!

Urtësi

Transmetohet se shejh Behliju, Allahu e mëshiroftë, kur iu drejtua Hatimit, Allahu e mëshiroftë, me këto fjalë: “O Hatim, jetove me mua për një kohë të gjatë. Çfarë mësove nga unë?”
Hatimi iu përgjigj: “Kam mësuar nga ti tetë çështje.”

E para: Shikova njerëzimin, ku çdo njëri prej tyre ka miqtë e vet e kur të arrijnë te varri, do të ndahen nga njëri-tjetri. E unë veprat e mira i zura për miq, që të jenë me mua në varr.

E dyta: Shikova fjalën e Allahut të Lartësuar: “…dhe ndaloje veten prej epsheve.” (En-Naziat: 40)
E detyrova veten time që të ndalet nga pasioni i epsheve, derisa u përqendrua në ibadet.

E treta: Pashë se çdo njeri që posedon diçka me vlerë, e ruan atë, pastaj shikova fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ajo që keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetshme.” (En Nahl: 96)
Pas kësaj, çdo gjë që e pata pranë vetes e dhurova për Allahun e Lartësuar, që të jetë e përjetshme.

E katërta: Shikova njerëzit se si lakmojnë pasurinë, pozitën, famën e ato nuk janë asgjë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Më i ndershi nga ju është ai që është më i devotshëm.” (Huxhurat: 13)
Punova për devotshmërinë që të jem tek Allahu i Lartësuar i ndershëm.

E pesta: Pashë njerëzit ziliqarë dhe shikova fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë…” (Ez Zuhruf: 32)
E lashë zilinë, se ajo është ta kundërshtosh atë që Zoti ka caktuar.

E gjashta: Pashë njerëzit të armiqësuar dhe shikova fjalën e Allahut të Lartësuar: “Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik.” ( Fatir: 6)
E lashë armiqësinë ndaj njerëzve dhe mora djallin armik të vetëm.

E shtata: Pashë njerëzit si e ulin veten në kërkim të furnizimit dhe shikova fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj.” (Hud: 6)
Punova për atë që më takon, e dhashë pasurinë për Allahun duke qenë i bindur në premtimin e Tij, i lartësuar qoftë.

E teta: Pashë njerëzit si janë mbështetur në tregtinë dhe profesionet e tyre e unë iu mbështeta Allahut të Lartësuar: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj.” (Hud: 6)
Duke qene i bindur në premtimin e Tij, i lartësuar qoftë.

Marrë nga libri “Muhtesar minhaxhu elkasidin”
Përktheu dhe përshtati: Rashit Zylfiu
17.5.2009

Must Read