BallinaARTIKUJHadith dhe SunetPasha Allahun, kjo fe do të përhapët!

Pasha Allahun, kjo fe do të përhapët!

Pasha Allahun, kjo fe do të përhapët!

Habab ibën Ereti, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një ditë shkoi tek i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili po qëndronte i ulur mbi pallton e tij nën hijen e Qabesë dhe filloi t’i ankohej për gjendjen e mjeruar, duke iu lutur me fjalët: Sikur të kishe kërkuar ndihmë për ne, sikur të ishe lutur! 

Atëherë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Në kohë të tjera para jush merrej njeriu (besimtari) dhe pasi hapnin një gropë në tokë e futnin në të e pastaj e ndanin për gjysmë me sharrë, duke filluar ta presin nga koka. Gjithashtu krihej me krehër hekuri, i cili ia ndante mishin (dhe muskujt)nga kockat, megjithatë asgjë nga këto mundime nuk e largonin nga feja e tij. Pasha Allahun do të plotësohet(përhapet) kjo fe aq shumë deri sa do të ecë udhëtari prej Sanasë deri në Hadrameut, duke mos iu frikësuar askujt, pos Allahut dhe ujkut se mos i han delet, mirëpo ju jeni popull që po nguteni”.

Ky hadith është i saktë. Atë e shënon imam Buhariu në “Sahihun” e tij nr. 3612, 3852, 6943, dhe Ebu Davudi në “Sunen”, nr. 2649. Pjesa e hadithit e futur në kllapa (dhe muskujt) përmendet tek Buhariu vetëm në hadithin nr. 3852, si dhe tek Ebu Davudi.

Shkaku i hadithit: 

Përmendet në transmetimet e sakta, se Hababi, radijallahu anhu, ishte rob tek një grua kurejshite që quhej Umu Enmar. Ai punonte shpatë-ndreqës dhe pasi dëgjoi për thirrjen e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, e pranoi Islamin, mirëpo mushrikët e munduan aq shumë sa me lejen e pronares së tij filluan edhe t’ia digjnin trupin me hekur të skuqur derisa i shuhej nxehtësia e hekurit në dhjamin e trupit të tij. Kështu një ditë ai shkoi tek Profeti dhe i bëri këtë lutje.

Komenti i hadithit:

Hadithi tregon për kohën kur muslimanët ishin të dobët në Mekë dhe kërkuan nga Profeti të lutej për ndihmë. Ai filloi t’i inkurajonte duke u treguar atyre shembuj të keqtrajtimeve të besimtarëve para kohës së Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem. Ju tregoi shembuj të keqtrajtimeve maksimale, ku më pas nuk kishte më vështirë dhe nuk kishte shpëtim. Gjithashtu nëpër disa hadithe të tjera ai përmend se jobesimtarët nuk i kursenin as profetët e tyre nga keqtrajtimet dhe vrasja, prandaj besimtarët duke i mësuar këto shembuj kuptojnë se nuk janë të vetmit që po ju ndodhin gjëra të tilla, përkundrazi ka pasur edhe besimtarë të tjerë, madje edhe profetë, të cilët tek Allahu padyshim ishin më të mirë se sa ju dhe prapë Allahu për urtësi të caktuara e lejoi që të vdisnin dhe të keqtrajtoheshin nga duart e qafirëve.

Fjala: sikur të kishe kërkuar ndihmë për ne, sikur të ishe lutur!

Me këtë Hababi nënkupton se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, mund të lutej dhe atij Allahu do t’ia pranonte lutjet, megjithatë ai nuk u lut dhe përgjigja e tij u fokusua në dy aspekte: i pari: duke u treguar për popujt përpara nesh dhe vuajtjet e tyre dhe për të ardhmen e muslimanëve, nëse i përmbahen një kushti: e ai kusht kuptohej përmes fjalës:“mirëpo ju jeni popull që po nguteni”.

Me këtë fjalë në fund të hadithit u dha mësimin dhe mënyrën se si arrihet deri tek fitorja, pra me mos-ngutje, me sabër dhe duke ndjekur radhën e gjërave apo rregullave që janë të vendosura nga Allahu në fytyrë të tokës.

Nëse ndalemi dhe pyesim veten: A thua pse Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk u lut për ndihmë të përgjithshme, që t’i shfaroste Allahu të gjithë qafirët dhe kështu të merrte fund çdo brengë e muslimanëve?

Shkakun do ta kuptonim përmes këtyre pikave:

– I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte njeri i inspiruar, ishte largpamës dhe dëshironte t’i edukonte shokët e tij dhe besimtarët, se fitorja nuk arrihet vetëm duke qëndruar duarkryq dhe duke pritur që ajo të zbresë nga qielli, nuk duhet të bëhemi parazitë e duke pritur vetëm nga lutjet dhe fitorja të vijë prej qielli.

– Besimtarët duhet të punojnë, të mos ndalen së vrapuari lart e poshtë dhe duhet t’i arrijnë shkaqet e fitores. Pra, kurrsesi nuk duhet të tregohen pasivë, të pakujdesshëm dhe neglizhues.

-Ai duke mos u lutur për fitoren e gatshme gjeneratave të tjera që do të vinin më pas nuk iu lente shkas të ankoheshin, se në kohën profetike ishte më lehtë pasi me një lutje ata fituan kundër armiqve të tyre, ndërsa në kohët tona është vështirë, sepse nuk ka Profet në kohën tonë të lutet për ne që të fitojmë e kështu do të humbnin çdo shpresë besimtarët.

-U dha një mësim gjeneratave të mëvonshme, se fitorja kërkon sakrifica, e duke sakrifikuar sahabët bashkë me Profetin do të thotë automatikisht, se edhe gjeneratat pas tyre ishte e arsyeshme që të mundohen nga armiqtë e kështu askush të mos ketë kritika apo zili ndaj tjetrit. 

Shkaqet dhe urtësia e vonesës së fitores:

Padyshim se çdo gjë që ndodh në fytyrë të tokës ajo ndodh me urdhrin dhe lejen e Allahut, prandaj edhe vonesa e fitores i ka shkaqet e veta, por nuk mungojnë as edhe urtësitë. Duke mos pasur si qëllim përmbledhjen e të gjitha urtësive unë do të veçoja disa prej tyre, si në vijim:

1-                      Kundërshtimet e mëdha mes vete, sidomos ato në çështjet e fesë, ku secili pretendon se rruga e tij është e qëlluara e të tjerët janë në gabim, por e vetmja rrugë e vërtetë është Kurani dhe udhëzimi i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe kuptimi i këtyre dy burimeve sipas kuptimit të tri gjeneratave të para. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.” (Enfal, 46)

2-                      Vonohet që umeti islam të japë apo të shpenzojë për arritjen e saj çdo gjë të shtrenjtë që ai zotëron, duke iu bërë kështu gjëja më e shtrenjtë fitorja pas sakrificave të mëdha. Ndërsa sikur t’u vinte fitorja duke mos ua prekur gjërat që ata i duan, si p.sh. pasurinë, shtëpinë, pozitën, familjen etj., ato nuk do t’ia dinin vlerën kësaj fitoreje dhe për ta nuk do të ishte e rëndësishme, sepse akoma kanë gjëra të tjera sipas tyre të rëndësishme pas të cilave duhet të vrapojnë. Kështu që fitorja nuk do të ishte aq e rëndësishme për ta. Mirëpo fitoren nuk e sjell Allahu derisa për Umetin nuk bëhet çdo gjë e rëndësishme, derisa ata nuk do të sakrifikonin për të çdo gjë të kësaj bote e kështu pasi ta arrinin t’ia dinin vlerën ta ruanin dhe të kenë kujdes të mos u merret.

3-                      Vonohet që Umeti Islam t’i provojë të gjitha potencialet e tij dhe të bindet se asgjë nuk mund të jetë shkak për fitore, nëse ajo nuk bëhet përmes mbështetjes tek Allahu, përmes pasimit të rrugës së Tij. Muslimanët duhet ta përmirësojnë besimin e tyre dhe ta kuptojnë njëherë e mirë, se asgjë nuk mund të jetë shkak për fitore pos Allahut Fuqiplotë, i Cili është i vetmi që i ngre dhe i ul popujt. Ky Umet sikur të fitonte kundër armiqve me para, atëherë kjo gjë do të ishte me rrezik, sepse ata do ta donin paranë ndoshta aq shumë sa edhe t’ua prishte besimin. Por fitorja arrihet vetëm përmes besimit, që besimi pastaj të jetë i shenjtë për ta.

4-                      Duke i përjetuar vështirësitë Umeti ynë lidhet edhe më shumë me Allahun dhe pasi Zoti të japë urdhër për fitore muslimanët nuk mund të bëhen të padrejtë si të tjerët që ishin me ta, pasi ata vetë e kanë provuar padrejtësinë dhe kështu e dinë se ç’do të  thotë një ndjenjë e tillë. Kështu duke u bërë të drejtë njëherësh kanë arritur një nga kushtet më të rëndësishme të mbajtjes së pushtetit në duart e tyre, pra drejtësinë përmes së cilës Allahu i mban të rregulluar qiejt, tokën dhe çdo gjë që ekziston.

5-                      Ndodh të vonohet ndihma, për arsye se muslimanët ka raste kur luftojnë për synime jo të drejta, apo për qëllime të përfitimeve ose dëshirave të kësaj bote. Mundet  që dikush të luftojë për pasuri, pushtet, famë, trimëri, krenari personale, e shkaqe të tjera, të cilat nuk mund të konsiderohen si luftë në rrugë të Allahut pas së cilës vjen ndihma e Zotit. Ndërsa Allahu kërkon nga ne që luftën secili ta bëjë vetëm për një qëllim dhe që është ngritja lart dhe mbi çdo gjë fjala dhe bindja se: “Allahu është i vetmi Zot që meriton adhurimin dhe Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”.

Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush lufton që ta ngrejë fjalën e Allahut mbi çdo fjalë tjetër ai është duke luftuar në rrugë të Zotit.” (Buhariu dhe Muslimi)

6-                       Për shkak se të keqen që janë duke e luftuar muslimanët ndoshta akoma nuk iu është bërë e qartë mbarë botës dhe mund të ketë edhe prej vetë muslimanëve, që nuk e kanë kuptuar këtë të keqe të qafirëve sa duhet e kështu Allahu e vonon ndihmën dhe nuk i shkatërron ata, që kjo padrejtësi e tyre t’i bëhet e qartë çdokujt në botë myslimanit apo qafirit; dhe pasi të shkatërrohen këta të fundit askujt të mos i mbetet merak shkatërrimi i tyre, apo askush të mos ëndërrojë që të njëjtat shtete të kufrit të kthehen prapë në pushtet, thënë me një fjalë askush të mos i kujtojë për të mirë dhe të mos dëshirojë rikthimin e tyre.

7-                      Ka raste kur ndihma vonohet, sepse shoqëria muslimane akoma nuk është e përgatitur ta pranojë të vërtetën ashtu si duhet, ta praktikojë atë dhe t’i qëndrojë besnik urdhrave të tij. Kështu nëse ndihma do të vinte para kohe do të ishte mundësia që vetë muslimanët t’i refuzonin detyrimet dhe kërkesat fetare. Kështu do të bëhej e lehtë arritja deri tek fitorja, por e vështirë mbajtja në duar e kësaj fitoreje.

8-                      Mosangazhimi ynë sa duhet është shkak që Allahu ta vonojë ndihmën, sepse Zoti nuk ia jep askujt diçka pa punuar për ta arritur atë, gjithashtu dihet se çdo gjë që fitohet pa djersë dhe pa mund nuk vlerësohet sa duhet. Këto janë disa prej shkaqeve dhe urtësive të vonesës së  ndihmës nga Allahu, të cilat kur të shkojnë në vendin e tyre atëherë prite ndihmën dhe mos dysho aspak për të.

Kur do të vijë ndihma e Allahut?

Ndihma vjen kur ne t’i kemi parasysh dhe t’i marrim seriozisht këto gjëra:

1-               Gjendja në të cilën është Umeti ynë assesi nuk duhet të jetë shkak që ne t’i humbasim shpresat për rikthimin e asaj që na takon në fytyrën e tokës, përkundrazi ne duhet të kryejmë një punë shumë të madhe dhe me përfitim, duke dhënë maksimumin secili nga ne në fushën e vet.

2-               Çdokush nga muslimanët duhet ta mbushë një vend të zbrazët në Umet dhe të përballet me armiqtë e Islamit në një front të caktuar, atëherë kjo gjë do të sillte sukses.

3-               Një fjalë e urtë thotë: “Ajo nuk kthehet derisa nuk kthehemi”, pra nuk kthehet ndihma tek ne derisa ne nuk kthehemi kah ajo, apo e thënë më ndryshe derisa të mos i fillojmë t’i kryejmë detyrimet e Allahut, Ai nuk na e jep ndihmën. Të largohemi prej mëkateve. Allahu i çon telashet për shkak të mëkateve. Ai thotë: “Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush”. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” Sahabët në luftën e Uhudit thyen një urdhër të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, e për shkak të saj pësuan humbje, ndërsa ne: a thua po i llogarisim sa herë secili nga ne i thyen urdhrat e Allahut dhe ato të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem?!

4-               Të punosh për Islam, për arritjen e fitores, por kjo punë të karakterizohet prej rregullit, të jetë e qartë dhe në pajtim me kërkesat kuranore dhe ato profetike e jo të mbështetet në parregullsi, epshe dhe dëshira personale të secilit prej nesh, ngase një gjë e tillë nuk sjell asgjë tjetër pos dështimit, por edhe sikur të ndodhte të sillte shkëndija të fitores ato do të shuheshin shumë shpejt, sepse çdo gjë që ngrihet mbi çrregullime fundin e ka të shpejtë. Asnjëri prej nesh nuk duhet të punojë me epshe apo emocione, sepse armiqtë e Allahut një prej shkaqeve përmes të cilave kanë arritur t’i nënshtrojnë muslimanët është pasimi i rregullave të caktuara larg çdo emocioni dhe dëshire personale.

Durimi dhe devotshmëria janë dy kushte primare të fitores. Sabri është shkak për t’i duruar të gjitha vështirësitë në rrugë të Allahut. Ndërsa devotshmëria ta mundëson të vazhdosh me programin jetësor që ke zgjedhur për të jetuar me të dhe gjithmonë është rifreskim i besimtarit për ta mbajtur larg çdo dëshpërimi deri në vdekje. Allahu thotë: “Zoti është me durimtarët.” (Bekare,153),  gjithashtu i Lartësuari thotë: “Fundi i mirë i takon të devotshmëve.” (Araf, 128).

Shkruan: Hafiz Lulzim Susuri

Burimi: http://albislam.com

Must Read