Pyetja:
A lejohet në Islam që meshkujt të mbajnë vathë në veshët e tyre?!
Përgjigjja:
Bismi’l-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim
Për meshkujt është e ndaluar që të mbajnë vathë ose që t’i shpojnë veshët me qëllim që të vënë vathë. Ekzistojnë disa arsye për këtë ndalesë:
Së pari, dijetarët islamë janë pajtuar që për meshkujt është e ndaluar të zbukurojnë vetën me ndonjë lloj stolie, përveç unazës prej argjendi. (Shih: Ibn Kudame, El-Mugni, 2/324 & El-Mevsu’a el-Fikhijje)
Juristi i mirënjohur hanefi, Imam El-Haskafi (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) deklaron në veprën e tij të famshme Durru’l-Muhtar:
“Nuk lejohet që një burrë ta zbukurojë vetën me çfarëdo lloj stolie nga ari apo argjendi (mutlakan), përveç unazës prej argjendi …” (Reddu’l-Muhtar ale’d-Durri’il-Muhtar, 6/358-359, Fasl fi’l-Libas)
Së dyti, vathët përgjithësisht ende konsiderohen si lloj zbukurimi për femrat (gratë), e madje edhe në Perëndim ato fillimisht janë mbajtur nga ata meshkuj që dëshironin t’i imitonin femrat. Të imituarit e femrave me qëllim në Islam konsiderohet e paligjshme (e ndaluar).
Zotëriu ynë, Abdullah ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. i ka mallkuar ata burra që i imitojnë gratë dhe ato gra që i imitojnë burrat. (Buhariu, 7/205)
Së treti, të mbajtuarit e vathëve është adet që është zhvilluar dhe përgjithësisht është i përhapur tek meshkujt jomuslimanë, e të imituarit e jomuslimanëve gjithashtu është i ndaluar në Islam.
Zotëriu ynë, Abdullah ibn Ummeri r.a. tregon se Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi s.a.v.s., ka thënë: “Secili që imiton një popull, ai është prej tyre.” (Sunen Ebi Davud, nr. 4031 & Musnedi i Ahmedit, 2/50)
Duke marrë parasysh të lartëshënuarën, themi se nuk është e lejuar që meshkujt (burrat) ta zbukurojnë vetën duke mbajtur vathë në veshët e tyre.
E Allahu i Gjithdijshëm e di më së miri!
Autor: Mufti Muhammed ibn Adem El-Kevtheri.
Përktheu: Daim Abazi
(Breziiri)