BallinaARTIKUJHadith dhe SunetUdhëzime të arta pejgamberike

Udhëzime të arta pejgamberike

Udhëzime të arta pejgamberike

Transmeton Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një njeri erdhi te Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, cili njeri është më i dashuri tek Allahu dhe cilat janë veprat më të dashura tek Allahu?”

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, iu përgjigj: “Njerëzit më të dashur tek Allahu janë ata që janë më të dobishmit për njerëzit. Kurse veprat më të dashura te Allahu janë: futja e gëzimit te një mysliman, t’ia largoj një brengë atij, ti`a lajë borxhin, t`ia largoj urinë.
Për mua është më e dashur të shkoj me një vëlla timin (ti ndihmoj) për ndonjë nevojë të tij, se sa të qëndroj një muaj itikaf në këtë xhami (xhaminë e Pejgamberit).
Ai që e përmban hidhërimin e tij, Allahu ia mbulon të metat. Ai që frenon mllefin e tij edhe pse ka mundësi që të hakmerret, Allahu ia mbush zemrën me shpresë Ditën e Kiametit. Ai që ecë me vëllanë- e tij derisa t`ia kryejë ndonjë hall, Allahu ia forcon këmbët atë ditë që shumë këmbë do të rrëshqasin (Ditën e Gjykimit). Kurse sjellja e keqe e prish fenë ashtu sikurse e prish mjaltin uthulla.”1

Ky është një hadith, i cili paraqet shkollën pejgamberike të moralit, hadith i cili në mënyrë shumë interesante paraqet veprat dhe njerëzit më të dashur tek Allahu. Ky hadith flet për rregullimin e raporteve shoqërore dhe krijimin e një shoqërie të mirë e bamirëse. Udhëzimet të cilat përmenden në këtë hadith janë ato që pastrojnë shpirtin, përmirësojnë shoqërinë, sjellin lumturi te individët e shoqëritë, përhapin frymën vëllazërore mes muslimanëve, i forcojnë marrëdhëniet mes besimtarëve dhe mbi të gjitha realizojnë dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar.
Vëlla i nderuar, këto udhëzime të dhëna kështu nuk i ke askund, në asnjë shoqëri dhe në asnjë civilizim, udhëzime të pashembullta, sepse vijnë nga: “Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (En-Nexhm: 4)
Pa u zgjeruar, do të fillojmë sqarimin e këtyre udhëzimeve dhe këshillave duke u ndalur në disa pika.

Pika e parë

Ky hadith thekson që të jemi të dobishëm për njerëzit në të gjitha format e mundshme, sepse kjo është shkak për të fituar shpërblime të mëdha. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në fillim të hadithit thotë: “Njerëzit më të dashur tek Allahu janë më të dobishmit për njerëzit.”
Ky hadith i mëson muslimanët që të jenë dashamirë të së dobishmes, ta duan humanizmin, t`ua duan njerëzve atë që i duan vetes. Pa dyshim se ky hadith në këtë formë luan rol shumë të madh në ndryshimin e gjendjeve të këqija të shoqërive tona, ku dominon egoizmi, zilia, grykësia, padrejtësia, moskujdesi për tjetrin e kështu me radhë. Shoqëria muslimane duhet ndërtuar në këtë formë, ndryshe edhe nuk bën edhe nuk mundet.

Mund të jemi të dobishëm për të tjerët nëse i ndihmojmë që t’i zgjidhin nevojat dhe hallet që kanë, pa marrë parasysh a janë në ngushticë, vuajnë nga vështirësitë, kanë brenga, kanë nevojë të ndihmohen materialisht, etj. Këtë mund ta bëjmë duke i mbrojtur nga zullumi, duke marrë pjesë në ndjenjat e tyre gjatë gëzimeve dhe mërzive, lumturive dhe fatkeqësive, etj.
Rregulli i solidarizimit mes besimtarëve dhe kujdesi për t`ua kryer nevojat muslimanëve është një parim shumë i rëndësishëm në fenë tonë. Nga kjo pikënisje ka ardhur në këtë hadith detajizimi i këtij rregulli kur thuhet: “… Për mua është më e dashur të shkoj me një vëlla timin (ti ndihmoj) për ndonjë nevojë të tij, se sa të qëndroj një muaj itikaf në këtë xhami (xhaminë e Pejgamberit)…”. Dhe “… Ai që ecë me vëllanë e tij derisa t`ia kryejë ndonjë hall, Allahu ia forcon këmbët atë ditë që shumë këmbë do të rrëshqasin (Ditën e Gjykimit). …”. Vëlla i nderuar, të ndalemi dhe ta shohim në veten tonë se ku jemi në raport me këtë rregull.

Pika e dytë:

Ka theksuar ky hadith disa cilësi të veçanta dhe disa vepra që kanë shpërblim të madh tek Allahu i Lartësuar, si: largimi i brengës, larja e borxhit dhe largimi i urisë.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i ka urdhëruar këto vepra në hadithet e tij, sepse vetëm në këtë formë mund të demonstrohet uniteti në një shoqëri dhe lidhshmëria e fortë mes tyre.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ushqeni të uriturin, vizitoni të sëmurin dhe çlironi të robëruarin.” (Buhariu). Si mendon o njeri, nëse realizohen këto udhëzime pejgamberike ne jetën tonë do të kishte ndonjë situatë të palakmueshme në jetën shoqërore?

Ja disa shembuj nga jeta e shokëve të Muhamedit salallahu alejhi ue selem, që të kuptosh se çfarë kanë synuar të arrijnë ata me ndihmesën ndaj njëri-tjetrit. Ebu Katadeja po kërkonte një borxhli, kurse ai fshihej. Pas një kohe e gjeti, kurse ai i tha: “Jam në ngushticë”. I tha: “Pashë Allahun, a je vërtet në ngushticë?” I tha: “Pasha Allahun, jam në ngushticë.” I tha: “Kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Kë do ta gëzojë shpëtimi nga brengat e Ditës së Kiametit, le t`ia lehtësojë atij që është në ngushticë ose le t`ia falë borxhin.” (Muslimi).
Dhe kështu Ebu Katadeja e fali atë.

Ebu Hurejra thotë: “Ebu Xhaferin e quanim babai i të ngratëve, sepse shkonte në shtëpi e nëse nuk gjente asgjë, na sillte enën ku kishte mbetur pak mjaltë dhe ne lëpinim atë që kishte mbetur.” (Tirmidhiu).

Ali ibn Husejni mbante bukë në shpinë gjatë natës dhe i përcillte të ngratët në errësirë dhe thoshte: “Sadakaja në errësirën e natës e fikë hidhërimin e Zotit”. Muhamed ibn Is’haku rahimehullah thotë: “Njerëzve të Medinës (të varfërve) u vinte ushqimi e ata nuk e dinin se nga ju vjen. Atë ditë që vdiq Ali ibn Husejni u ndërpre ai ushqim që u vinte natën dhe e kuptuan se ai paska qenë shpërndarësi i fshehur gjatë natës. Thuhej se ai kujdesej për njëqind shtëpi të varfra në Medinë.”

Pika e tretë:

Ky hadith stimulon futjen e gëzimit dhe lumturisë në zemrën e muslimanit me fjalë të mirë, me ndihmesë të ndryshme, me pjesëmarrje në brengat e hallet e tij, etj. Disa njerëz mendojnë se mirësia dhe ndihmesa ndaj të tjerëve është vetëm nëse i ndihmojmë ata materialisht, por kjo nuk është e saktë. Njerëzit siç kanë nevojë për ndihmesa materiale kanë nevojë edhe për fjalë të mirë, respekt, nderim e mirësjellje. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na tregon disa cilësi me të cilat duhet të pajisemi dhe stolisemi për të sjellë gëzim dhe lumturi në shoqërinë në të cilën jetojmë: “Mos nënçmoni asnjë mirësi, qoftë edhe nëse takon vëllain të buzëqeshur.” (Muslimi) Pra, edhe kjo është mirësi me të cilin shpërblehemi. Dëgjo si thotë ai: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka (lëmoshë).” (Tirmidhiu). Këto cilësi i kanë poseduar burrat e devotshëm nga gjeneratat e para dhe kanë dhënë shembull konkret në këtë drejtim. Zbatimi i këtyre porosive pejgamberike ka qenë edhe shkaku i cili i ka bërë ata fatlumë dhe shoqëri e artë në historinë njerëzore.

Pika e katërt:

Ky hadith thërret për posedimin edhe të një vlere të lartë, që është durimi kur hidhërohet njeriu dhe përmbajtja e vetes gjatë mllefit. Durimi gjatë hidhërimit dhe përmbajtja e vetes gjatë mllefosjes është prej veçorive të burrave të mirë dhe cilësi prej cilësive të njerëzve të devotshëm. Allahu i Gjithëmëshirshëm i sqaron këto cilësi në Kuran duke thënë: “Ata të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran:134). Komentatorët e Kuranit kanë thënë: “frenimi i mllefit” ka domethënien se njeriu kur ka mundësi të hakmerret, këtë nuk e bën, ai nuk shfaq as fjalë e as vepër e cila mund të kuptohet si hakmarrje, edhe pse ai ka mundësi ta bëjë këtë gjë. Në një hadith thuhet: “Nuk ka gëlltitje me shpërblim më të madh sesa gëlltitja e hidhërimit për hir të Allahut.” (Ibën Maxheh-hasen). Asnjëherë njeriu nuk do të duhej t’i lejojë vetes që të marrë vendim për të tjerët kur është i hidhëruar, sepse vendimi që do të marrë në atë gjendje më shumë do të sjellë pasoja negative sesa zgjidhje të problemit.

Pika e pestë:

Pika e fundit dhe më e rëndësishmja është se ky hadith qorton moralin e keq dhe tregon se morali i keq ka edhe fundin e keq. “Kurse sjellja e keqe e prish fenë, ashtu sikurse e prish mjaltin uthulla.” Vërtet është një krahasim i jashtëzakonshëm, pasi besimtari i cili kryen obligimet fetare, por është me sjellje të keqe, është sikurse shembulli i mjaltit i cili është shumë i ëmbël, por kur përzihet me uthull atëherë brenda një kohe të shkurtër prishet.

Besimtarë të nderuar! Kini frikë Allahun dhe përgjigjuni Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili ju thërret në gjëra të cilat ju gjallërojnë, kapuni për këto virtyte të larta, pajisuni dhe stolisuni me to, nëse dëshironi të jeni të lumtur dhe fitimtarë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Marrë nga hytbja “Bëj Mirë” www.albislam.com
Përzgjodhi Alaudin Abazi

1 Hadithin e shënon Taberaniu, Ibn Ebi Dynja, e të tjerë dhe është hasen. Shiko “Es-Sahiha”, nr. 903.

Must Read