BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunDobitë e namazit të sabahut (1)

Dobitë e namazit të sabahut (1)

Dobitë e namazit të sabahut (1)

Me të vërtetë falja e namazit të sabahut me xhemat ka shpërblim të madh. Ne do të përmendim disa prej dobive të namazit të sabahut.

1. Falja e namazit të sabahut ka shpërblimin e namazit të natës

Dihet se namazi i natës është prej adhurimeve më të lavdëruara dhe prej veprave që më së shumti e afrojnë njeriun afër Allahut të Lartësuar dhe ia rrisin njeriut imanin. Gjithashtu ky namaz, duke u vetmuar në orët e vona të natës vetëm me Allahun e Lartësuar, është prej Sunetit të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.

Duke ditur të gjitha këto vlera dhe shpërblime të namazit të natës, ne nuk po kemi mundësi të ngrihemi për t’u falur, duke e lënë anash këtë namaz dhe gjithmonë vijnë duke u dobësuar qëllimet tona, saqë gjymtyrët tona janë rënduar e nuk po kanë mundësi të ngrihen për namaz nate. Si shkak i mosfaljes së namazit të natës janë edhe fëmijët dhe familja, me të cilët po merremi më shumë seç duhet.

O ti që po kërkon shpërblimin e Allahut të Lartësuar, dije se falja e namazit të sabahut me xhemat në xhami e ka shpërblimin si të kesh falur tërë natën namaz. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e fal jacinë me xhemat e ka shpërblimin si të ketë falur gjysmën e natës namaz, kurse ai që e fal namazin e sabahut me xhemat e ka shpërblimin si të ketë falur tërë natën namaz.” Transmeton Muslimi, 656.

Sa shans i mirë është ky, mirëpo a je ti prej atyre që nuk e humbin këtë shpërblim të madh?
Nuk mbaron këtu, pasi prania jote në namazin e sabahut në xhami është më e mirë sesa të falesh tërë natën. Nëse dëshiron argument për këtë, atëherë lexo këtë ngjarje.

Transmeton Ebi Bekr ibn Sulejman ibn Ebi Hathmete, se Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, një mëngjes nuk e kishte parë Sulejman ibn Ebi Hathmeten në namazin e sabahut në xhami. Omeri shkoi në treg, kurse shtëpia e Sulejman ibn Ebi Hathmetes ishte rrugës, në mes xhamisë dhe tregut. Ai shkoi afër shtëpisë së tij dhe i tha Umu Sulejmanit (nënës së Sulejmanit): “Nuk e pashë Sulejmanin në xhami në namazin e sabahut.”
Ajo i tha: “E ka zënë gjumi sepse ka falur shumë namaz nate.”
Omeri i tha: “Të fal namazin e sabahut në xhami është më e dashur për mua sesa të fal tërë natën namaz nate.” Transmeton Maliku me sened të vërtetë, 291.

Shiko pra, o vëlla musliman, se si nuk e ka pranuar Omeri arsyetimin e një njeriu për mospraninë e tij në namazin e sabahut në xhami, edhe pse arsyetimi i tij ishte se ai e kishte kaluar tërë natën duke falur namaz nate duke qëndruar para Allahut të Lartësuar. E si do të pranohet arsyetimi i disa personave të cilët e kalojnë natën duke shikuar filma, seriale apo duke ndjekur epshet e tyre?!

2. Prania në namazin e sabahut është shkak që Allahu i Lartësuar t’i ndriçojë ata me një ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit

Transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ata të cilët shkojnë (shpeshtojnë shkuarjen) në xhami nëpër errësirë i përgëzoj me një ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit.” Transmeton Ebu Davudi (561) dhe shejh Albani ka thënë se ky hadith është sahih. Shih Sahih Ebi Davud, 525.

Fjalët “Shkojnë (shpeshtojnë shkuarjen) në xhami” kanë për qëllim ata të cilët shkojnë shpesh në xhami dhe e bëjnë shprehi të vazhdueshme të qenët në namazet me xhemat e jo ata të cilët shkojnë ndonjëherë në xhami.

Dije se e mira shpërblehet me të mirë. Allahu i Lartësuar thotë në librin e Tij: “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër pos së mirës!” (Er-Rahman, 60)

Kur ti ke dalë në errësirë për ta falur namazin e sabahut ndërkohë që të gjithë njerëzit janë duke fjetur në shtretërit e tyre, shpërblimi yt në Ditën e Gjykimit do të jetë një ndriçim i plotë, sepse ti i je nënshtruar Allahut të Lartësuar dhe i je drejtuar Atij. Nuk ka mirësi më të madhe dhe përgëzim më të madh sesa ky përgëzim; kur njerëzit do të jenë në Ditën e Gjykimit në errësirë, ti je që do të kesh ndriçim të plotë. Pra, vëlla shpejto dhe arrije këtë mirësi dhe mos u vono!

Përktheu: Eroll Nesimi

Must Read