Vizita e të sëmurit
Transmeton Ebu Hurejre se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë, apo viziton një vëlla të tij nga feja, atë e thërret një thirrës: “ U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë xheneti!” (Transmeton Tirmidhiu)
Koment i hadithit
Një nga obligimet e muslimanit ndaj vëllait të tij musliman është që ta vizitojë atë kur të sëmuret. Të vizituarit e të sëmurit është një nga sunetet e Profetit (salallau alejhi ue selem) dhe për të ka shpërblime të shumta, për të cilat flet edhe ky hadith.
Shkaku se ai i cili e praktikon këtë punë ka shpërblim të tillë është se me vizitën e të sëmurit njeriu ia futë gëzimin në zemrëen e të sëmurit dhe ia lehtëson në tejkalimin e vështirësive dhe problemeve me të cilat ballafaqohet.
Vizita e forcon lidhjen vëllazërore ndërmjet muslimanëve dhe kështu ngjallë dhe krijon dashuri ndërmjet tyre, prandaj edhe vizituesit i premtohet shpërblimi i hyrjes në xhenet.
Dobitë e hadithit
1.Vizita e të sëmurit është një nga obligimet e muslimanit ndaj muslimanit.
2.Shpërblimi i madh të cilën e arrin vizitori i të sëmurit.
3.Profeti (Paqja dhe bekimi qofshin mbi të!) tregon për një fshehtësi (gajb) për të cilën Allahu ia ka mundësuar atij ta kuptoj, ajo është se vizitori do të thirret me atë thirrje që përmendet në hadith. Pra kjo është një nga muxhizet e Profetit (salallahu alejhi ue selem).
Përgatiti: Alaudin Abazi