BallinaAKIDEAkide të ndryshmeBesimi i Ehlus-Sunnetit për Kur'anin

Besimi i Ehlus-Sunnetit për Kur’anin

Besimi i Ehlus-Sunnetit për Kur’anin

Kur’ani që i është shpallur Muhammedit, salAllahu alejhi ue sel-lem, është i njejti Kur’an të cilin muslimanët e lexojnë dhe e shkruajnë në mus’hafet e tyre. (Mus’haf është libri në të cilin është përmbledhur Kur’ani). Kur’ani është fjalë e All-llahut të Madhërishëm dhe i askujt tjetër, edhe nëse njerëzit e lexojnë dhe ua dërgojnë atë njerëzve me lëvizjet dhe zërat e tyre. Fjala i takon atij i cili e ka artikuluar përmbajtjen e asaj fjale për herë të parë, e jo atij që atë fjalë e transmeton apo e dorëzon. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E nëse ndokush prej idhujtareve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt ….” [Et Teube: 6]
Ky Kur’an gjendet në librin e ruajtur, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Perkundrazi (ata që gënjejnë), ai është Kur’ani i famshëm. Në një pllakë të ruajtur mirë (në lehvi Mahfudhë).” [El Buruxh: 21-22]
“Se më të vërtetë ai është Kur’an i famshëm. Është në një libër të ruajtur.” [El Vakia: 77-78]
Kur’ani është fjala e All-llahut të Madhërishëm e shprehur në shkronja, domethënie të vet dhe me radhitje. Të kuptuarit e shprehjeve kur’anore është më i mirë, sesa vetëm të
mësuarit e tij përmendësh.
Ebu Bekri dhe Omeri, radijAll-llahu anhum, kanë thënë: “Më shumë duam ta kuptojmë Kur’anin, sesa ta mësojmë përmendësh.”
Nëse muslimanët e regjistrojnë Kur’anin në mus’hafë pa i vokalizuar ajetet, kjo lejohet. Sahabët e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) e kanë regjistruar Kur’anin pa kurrfarë vokalizimi. Kjo ka ndodhur sepse kanë qenë arabë dhe e kanë folur gjuhën letrare të Kur’anit. Pikërisht këta mus’hafe i ka përhapur Othmani (radijAll-llahu anhu) nëpër vendet Islame në kohën e tabi’inëve. Pas kësaj, është perhapur dialekti (në mesin e arabëve) dhe kështu ajetet kur’anore janë vokalizuar me ngjyrë të kuqe. Një pjesë e dijetarëve këtë e kanë gjykuar menjëhere, duke e konsideruar si risi, ndërsa disa të tjerë e kanë lejuar për shkak të nevojës që është paraqitur. Më e drejtë është se në të nuk ka kurrfarë dëmi, përkundrazi, dobia e asaj është me së e dukshme.
Prej kësaj rrjedh edhe konfirmimi i vërtetësisë së fjalëve të Pejgamberit, salAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë: “Me të vërtetë All-llahu flet me zë (i cili dëgjohet).” [Transmeton Buhariu]
.”..dhe do ta thërrasë Ademin alejhis-selam me zë.” [Transmeton Buhariu]
Ky është besimi i Selefu-Salihut nga ky ummet dhe besimi i të gjithë imamëve të cilët e kanë pasuar drejt Sunnetin e Pejgamberit, salAllahu alejhi ue sel-lem.
Dijetarët Islam thonë së Kur’ani është fjalë e All-llahut të Madhërishëm e cila nuk është e krijuar, kudo që lexohet apo shënohet. Nuk lejohet të thuhet kur njeriu lexon Kur’an se leximi i tij është i krijuar, sepse ai lexon fjalën origjinale të shpallur nga All-llahu i Madhërishëm, gjegjësisht Kur’anin. Por nuk duhet thënë se ai lexim nuk është i krijuar, sepse në të hyjnë veprimet e njeriut, e dihet se ato janë të krijuara. Askush nga gjeneratat e para të Islamit nuk ka thënë së zërat e njerëzve me të cilat lexohet Kur’ani janë të hershëm. Përkundrazi, Selefus-Salihu i ka mohuar fjalët e atyre që kanë thënë së të folurit e njerëzve në të cilin ka Kur’an nuk është i krijuar.
Sa i përket atyre që thonë së ngjyra me të cilën janë regjistruar fjalët e All-llahut të Madhërishëm është e përhershme, këta janë të padijshmit më të mëdhenj të Sunnetit. All-llahu i Madhërishëm thotë:
“Thuaj: Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përdundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti).” [El Kehf: 109]
Po ashtu, kush shton diçka në Sunnet dhe thotë së shprehjet e njerëzve janë të përhershme, atëherë ai është shpikësi më i humbur. Është i njejtë me ata që e mohojnë Sunnetin duke thënë se All-llahu i Madhërishëm nuk flet as me shkronja e as me zë. Përkundër këtyre, ata të cilët flasin se letra, lëkura dhe pjesa e gurit është fjalë e All-llahut të Madhërishëm, janë të njejtë si ata që thonë së All-llahu i Madhërishëm nuk ka folur nëpërmjet Kur’anit dhe se Kur’ani nuk është fjala e Tij. Ky teprim në vërtetim është njësoj si teprimi në mohim. Këto dy teprime janë jashtë suazave të Sunnetit dhe xhematit.
Detyrim është të thuhet së ky Kur’an në gjuhën arabe është fjala origjinale e All-llahut. Këtu hyjnë shkronjat e Kur’anit dhe domethënia e tyre. Vërtetojmë se ajo që ndodhet në mus’haf prej faqes së parë e deri në faqen e fundit është Kur’an, pa marrë parasysh se a është i vokalizuar si sot, apo është i pavokalizuar si në kohën e sahabëve. Nuk lejohet që ndër muslimanët të përhapet fitne me risi dhe polemikë verbale, e cila në vete nuk ka kurrfarë rëndësie e as realiteti. Nuk lejohet që në fe të futet ajo që nuk është pjesë e saj.

Must Read