BallinaAKIDEAkide të ndryshme12 Argumente se Muhammedi është i Dërguari i vërtetë

12 Argumente se Muhammedi është i Dërguari i vërtetë

12 Argumente se Muhammedi është i Dërguari i vërtetë

Vëllezër dhe motra kudo që të jeni esselamu-alejkum ve rahmetullah! Me këtë ese, nuk po i drejtohem vetëm pasuesve të Islamit, të cilëve u takoj edhe unë, por në të vërtetë po e shkruaj këtë artikull për secilin mashkull dhe femër anembanë botës.
E lus All-llahun që të mundësojë që kjo ese të arrijë në secilin vesh, të bien në shikimin e secilit sy dhe të kuptohet nga secila zemër…
Muhammedi djali i `Abdullahut është i Dërguari i All-llahut dhe Lajmëtari i fundit i dërguar nga All-llahu për banorët e botës.
Vëllezërit dhe motrat e mia! Duhet ta dini se Lajmëtari, Muhammedi i biri i `Abdullahut (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të), është Lajmëtari i All-llahut në realitet dhe në vërtetësi. Argumentet dhe dëshmitë të cilat e tregojnë vërtetësinë e tij janë të shumta. Askush pos mosbesimtarit, i cili vetëm për shkak të arrogancës së tij, nuk mund t’i mohojë këto shenja.
Prej argumenteve:
1. Muhammedi (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) është rritur si analfabet, i paaftë të lexojë dhe shkruajë, dhe ka mbetur i tillë deri në vdekjen e tij. Prej gjithë popullit të tij ka qenë i njohur si i sinqertë dhe i besueshëm. Para se ta pranon shpalljen, ai nuk ka pasur dituri të mëparshme të religjionit apo të ndonjë Lajmi të mëparshëm. Ai ka mbetur i tillë dyzet vitet e para të jetës tij. Mandej atij i erdhi Shpallja me Kur’anin të cilin tani e kemi në duart tona. Ky Kur’an i përmend shumicën e rasteve të cilat gjinden në shpalljet e mëparme, duke na treguar për këto ndodhi në detajet më të imta sikur vet ai ti kishte përjetuar. Këto raste u shpallën në mënyrë precize ashtu siç gjinden në Tevratin e shpallur Musës dhe në Inxhillin e shpallur Isaut. Andaj as jehuditë të as krishterët nuk ishin në pozitë ta përgënjeshtrojnë për çfarëdo që ka thënë.

2. Muhammedi (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) po ashtu ka parashikuar të gjitha gjërat të cilat mund t’i ndodhin atij dhe ummetit të tij pas vdekjes së tij, në lidhje me ngadhnjimin e tyre, largimin e mbretërive tiranike të Kisraut (titulli mbretëror i mbretërve Zoroastrian të Persisë) dhe Cezarit, si dhe përhapjen e fesë Islame anembanë botës. Këto ndodhi janë paraqitur saktësisht në atë kohë në të cilën Muhammedi i ka parashikuar, mu sikur ai ardhmërinë ta lexonte nga ndonjë libër i hapur.

3. Muhammedi (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) po ashtu solli Kur’anin në arabisht në kulminacion të elokuencës dhe qartësisë. Kur’ani i ka sfiduar arabët që kanë qenë elokuentët më të rjedhshëm të kohës së tij, të cilët në fillim e përgënjeshtruan atë, që të sjellin së paku një kaptinë si në Kur’ani. Prandaj arabët elokuentë të atyre ditëve, nuk kanë qenë në pozitë ta kundërshtojnë këtë Kur’an.
Me të vërtetë, deri në këtë ditë, askush nuk ka patur guxim të pohojë se ai ka qenë në gjendje të thurë fjalë të cilat janë të barabarta, apo së paku të afërta me rendin, hijeshinë, bukurinë, dhe shkëlqimin e këtij Kur’ani madhështor.

4. Historia e jetës të këtij të Dërguari Fisnik është shembull më i përsosur i të qenurit i drejtë, i mëshirshëm, i dhembshur, i vërtetë, i guximshëm, bujar, zemërgjërë, i larguar prej të gjitha karakteristikave të këqia dhe asket në të gjitha çështjet e kësaj bote, duke u përpjekur vetëm për shpërblimin e jetës së ardhme. Përveç kësaj, në të gjitha veprat dhe sjelljet e tija, ai gjithmonë e ka pasur në mend All-llahun dhe i është frikuar Atij.

5. All-llahu ka mbjellë dashuri të madhe për Muhammedin (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) në zemrat e atyre të cilët e besuan dhe e panë atë. Kjo dashuri ka arritur deri në atë nivel, saqë cilido prej shoqëruesve të tij me gjithëdëshirë do ta sakrifikonte vetveten e tij (saj), babain apo nënën e tij për atë.
Deri më sot, ata të cilët besojnë në Muhammedin e respektojnë dhe e duan. Cilido qoftë prej atyre të cilët besojnë në të, do ta jipnin familjen dhe pasurinë e tyre si shpërblim për ta parë atë, madje edhe vetëm njëherë.

6. Askund në histori nuk është ruajtur biografia e ndonjë personi siç është ruajtur biografia e jetës së Muhammedit, i cili është njeriu më me ndikim në historinë njerëzore.
Gjithashtu bota as që e ka njohur ndokend të cilin e përmendin çdo mëngjez dhe mbrëmje dhe i cili shumë herë tjera gjatë ditës, u bie në mend atyre të cilët besojnë në të. Duke e kujtuar Muhammedin, besimtarët do ta përshëndesin atë dhe do ta lusin All-llahun ta bekojë atë. Ata e bëjnë këtë me gjithë zemër dhe me dashuri të vërtetë ndaj tij.

7. Gjithashtu nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë njeri në botë i cili ende pasohet në të gjitha veprat e tija nga ata të cilët besojnë në të.
Ata të cilët besojnë në Muhammedin, flejnë në mënyrën në të cilën ai ka fjetur, pastrojnë veten (me anë të abdestit dhe gusllit) në mënyrën në të cilën ai e ka pastruar veten, pasojnë veprat e tija në mënyrën e ngrënies, pirjes dhe veshmbathjes.
Me të vërtetë, ata që besojnë në Muhammedin në të gjitha aspektet jetësore pasojnë edhe mësimet të cilat ai i ka shpërndarë në mesin e tyre dhe rrugën të cilën ai e ka udhëtuar gjatë jetës së tij.
Gjatë çdo gjenerate, prej ditëve të tija e deri në ditët e sotme, besimtarët në të Dërguarin Fisnik në mënyrë të plotë kanë pasuar mësimet e tija. Me disa prej tyre, kjo ka arritur nivelin që ata dëshirojnë të pasojnë dhe t’i bashkangjiten rrugës së të Dërguarit në gjërat e tija personale në lidhje me ato gjëra, të cilat All-llahu nuk i ka kërkuar prej tyre, e të cilit ata i kryejnë gjatë adhurimit të tyre. Për shembull, disa prej tyre ushqehen vetëm me ato ushqime specifike ose veshin vetëm ato tesha specifike të cilat i ka pëlqyer Lajmëtari.
Përveç kësaj, të gjithë ata të cilët besojnë Muhammedin i përsërisin ato lëvdata të All-llahut, lutjet e veçanta, si dhe përmendjet të cilat ai i thoshte gjatë veprave të tija gjatë ditës dhe natës, siç janë fjalët të cilat ai i thoshte kur i përshëndeste njerëzit, fjalët të cilët i thoshte duke hyrë dhe duke dalë prej shtëpisë, duke hyrë dhe duke dalë prej xhamisë, duke hyrë dhe duke dalë prej banjos, duke shkuar të flejë dhe duke u zgjuar prej gjumit, duke vërejtur hënën e re, duke vërejtur pemët e reja nëpër drunj, duke ngrënë, pirë, veshmbathur, kalëruar, udhëtuar dhe duke kthyer prej udhëtimit, etj.
Përveç kësaj, të gjithë ata të cilët besojnë Muhammedin, në mënyrë të plotë i kryejnë, madje edhe në detajet më të imta, të gjitha aktet e adhurimit, siç janë namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi mu ashtu siç ka vepruar dhe siç i ka mësuar të tjerët të veprojnë ky Lajmëtar Fisnik (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të).
Të gjitha këto gjëra u mundësojnë atyre që besojnë në të, ta jetojnë jetën e tyre në të gjitha aspektet me këtë Lajmëtar Fisnik si shembull i tyre, mu sikur ai të qëndronte para tyre, me qëllim që ata ta pasojnë në të gjitha punët e tyre. \

8. Asnjëherë nuk ka pasur dhe as që do të ketë ndonjë njeri dikund në këtë botë i cili ka pranuar dashuri të tillë, repsekt, nder, dhe dëgjueshmëri në të gjitha gjërat, të vogla apo të mëdha ashtu siç ka bërë ky i Dërguar Fisnik.

9. Që nga ditët e tija, në të gjitha religjionet botërore dhe gjatë çdo periudhe kohore, ky i Dërguar Fisnik ka qenë i përcjellë nga individë prej të gjitha racave, ngjyrave dhe popujve. Shumë prej atyre të cilët e kanë pasuar atë, më pare kanë qenë krishterë, jehudi, paganë, idhujtarë ose edhe pa anjëfarë religjioni. Në mesin e atyre të cilët kanë zgjedhur ta pasojnë, ka pasur edhe të tillë që kanë qenë të njohur për gjykimin e tyre të shëndoshë, për mençurinë, mendimet dhe parashikimet e tyre. Ata zgjodhën ta pasojnë këtë të Dërguar Fisnik pasi që ishin dëshmitarë në shenjat e vëretësisë së tij dhe në argumentet e mrekullive të tija. Ata nuk zgjodhën ta pasojnë Muhammedin nga detyrimi për ta bërë këtë ose nga dhuna, ose për shkak të asaj se kishin pranuar traditat e baballarëve dhe nënave të tyre.
Me të vërtetë, shumë prej pasuesve të këtij të Dërguari (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të), zgjodhën ta pasojnë atë gjatë kohës kur Islami ishte i dobët, kur kishte pak muslimanë dhe kur kishte persekutime të rrepta të pasuesve të tij në botë. Shumica e njerëzve të cilët kanë pasuar këtë të Dërguar (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) nuk e kanë bërë këtë me qëllim që të përfitojnë ndonjë dobi materiale. Me të vërtetë, shumë prej pasuesve të tij kanë përjetuar format më të vështira të dëmtimit dhe persekutimit si rezultat i pasimit të këtij të Dërguari. Krahas tërë këtij dëmi dhe persekutimi, kjo nuk i largoi ata nga religjioni i tij. .
Vëllezërit e mi, e tërë kjo tregon qartë se cilido që posedon pak logjikë, do ta kuptojë se ky i Dërguar me të vërtetë dhe në realitet ka qenë i Dërguari i All-llahut dhe se nuk ka qenë vetëm një njeri i cili ka pohuar se është i Dërguar ose ka folur për All-llahun pa dituri.

10. Me tërë këtë, Muhammedi ka arrdhur me një religjion të madhërueshëm në besimin dhe ndërtimin ligjor të tij.
Muhammedi e ka përshkruar Allahun me kualitete të plota të përsosmërisë dhe në kohën e njëjtë e ka përshkruar edhe në mënyrë të pastër çfarëdo mospërsosmërie. Kështu as filozofët e as njerëzit e mençur nuk kanë mundur ta përshkruajnë All-llahun në mënyrë të tillë. Me të vërtetë, është e pamundur të paramendohet se cilado mendje njerëzore do të mund të parafytyronte ekzistencën e një qenie e cila posedon aq aftësi të plota, aq dituri dhe madhëri, e Cila e ka nënshtruar të krijuarën, e Cila ka përshkuar çdo gjë në gjithësi, të vogël apo të madhe, dhe e Cila posedon aq mëshirë të përsosur.
Gjithashtu nuk është në aftësinë e ndonjë krijese njerëzore të vendsë një ligj të përsosur të bazuar në drejtësi, barazi, mëshirë dhe vërtetësi për të gjitha aktivitetet njerëzore në këtë botë sikur ligjet të cilat Muhammedi i ka sjellë në të gjitha sferat e aktiviteteve njerëzore, siç është shitblerja, martesa, ndarja, qiraja, dëshmia, ruajtja, kujdestaria, si dhe të gjitha kontratat tjera të cilat janë të domosdoshme për mirëqenien e jetës dhe qytetërimit në botë.

11. Eshtë e pamundur që cilido njeri të paramendojë mençurinë, sjelljen e mire dhe fisnikërinë e karakterit siç e ka bërë këtë ky i Dërguar i nderuar (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të).
Në mënyrë të përmbushur dhe të plotë, Muhammedi ka përhapur mësimin për karakterin dhe sjelljen ndaj prindërve, kusherinjëve, shokëve, familjes, njerëzimit, kafshëve bimëve dhe të gjitha objekteve tjera të vdekura. Eshtë e pamundur për mendjen, e njeriut ta përshkojë tërë atë mësim ose ta zëvendësojë me një mësim të ngjashëm.
E tëra kjo, në mënyrë të qartë tregon se ky Lajmëtar nuk e ka sjellë këtë religjion prej dëshirës së tij, por në të vërtetë ky ka qenë mësim dhe inspirim të cilin e ka pranuar nga Ai i Cili krijoi botën dhe qiejt e lartë dhe krijoi këtë gjithësi në arkitekturën e saj të mrekullueshme dhe të përsosur.

12. Ndërtimi ligjor dhe besimi në religjionin të cilin e solli Lajmëtari, Muhammedi (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të), i ngjanë ndërtimit (inxhineringut) të qiejve dhe të tokës. E tëra kjo tregon se Ai i cili ka krijuar qiejt dhe tokën është Ai i Cili e ka dërguar këtë ligj të madhëruar dhe këtë religjion të drejtë.
Grada e pamundësisë të imitohet ligji Hyjnor i cili i është dërguar Muhammedit është në grade të njejtë me pamundësinë të imitohet krijimi Hyjnor i qiejve dhe i tokës. Ashtu si nuk mund njerëzimi të krijojë gjithësinë, në mënyrë të njëjtë njerëzimi nuk mund ta krijojë një ligj të ngjajshëm me atë të All-llahut të cilin ai ia ka shpallë shërbëtorit dhe lajmëtarit të Tij, Muhammedit (bekimi dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të).

Abdurrahman AbdulHalik,
albislam

Must Read