Kthimi tek Allahu
Shpeshherë dëgjojmë dhe shohim, posaçërisht në këto ditë, mbi shkeljen e detyrimive të shenjta dhe mbi rritjen e krimeve si: prostitucioni, vjedhja, pirja e alkoolit, kidnapimet etj.
Të gjithë pyesin: Pse ndodh e gjithë kjo, perderisa ne jemi muslimanë?!
Shkaku qëndron në atë se njerezit janë larguar nga feja e Allahut (subhanehu ue teala) dhe pikërisht për këtë shkak është larguar nga ata Mëshira e Allahut.
Pra, kur njeriu bie në mëkate, largohet nga ai besimi (imani) derisa ai e kryen atë (mëkatin) dhe kjo duke u bazuar në hadithin e Muhamedit ( Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Nuk ka besim (iman) laviri derisa bën prostitucion dhe nuk ka besim (iman) vjedhësi derisa ai vjedh dhe nuk ka besim (iman) alkoolisti derisa pi alkool.”
S’ka dyshim se kthimi tek Allahu (subhanehu ue teala) realizohet me zbatimin e asaj që ka ardhur në Kuran dhe Sunet, sepse këtu qëndron lumturia e njeriut në të dy botët.
Të besuarit siç ka porositur Ai, e pastron shpirtin dhe e shton kujdesin ndaj Allahut (subhanehu ue teala) dhe urdhërave të Tij.
Me anë të kësaj, njeriu largohet nga mëkatet, nxiton në bindje, respekt dhe punë të mira.
Duke u nisur nga kjo, mund të themi se vërtet Islami e përmirëson njeriun dhe shoqërinë, dhe në çdo shtëpi të botës përhap sigurinë dhe paqen. Allahu (subhanehu ue teala) të vërtetën e ka thënë kur thotë: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut.” Maide, 50.
Detyra jonë, është që të kapemi për moralin e pastër dhe të mirë, sepse besimtarët dallohen dhe kanë epërsi ndaj njëri-tjetrit me besim (iman), dhe më i mirë prej tyre është ai që ka moral të lartë.
Muhamedi ( Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). ka thënë: “Vërtet, jam dërguar për përsosjen e virtyteve të moralit.”
Gjithashtu, feja jonë islame na porosit që të largohemi nga: kryelartësia, lavdërimi me pasuri apo diçka të ngjashme, për arsye se pasuria nuk është argument që Allahu (subhanehu ue teala) të do.
“Me të vërtetë Allahu (subhanehu ue teala) ia dhuron të mirat e kësaj bote atij që e do dhe atij që nuk e do, mirëpo nuk ia dhuron fenë askujt tjetër përveç atij që e do.”
Ajo në të cilën urdhëron Islami është: maturia, mbrojtja e vetvetes nga veprat e pamoralshme, ruajtja e organeve gjenitale nga të dy palët, prandaj, Islami e ndalon shfaqjen e bukurisë, sepse ajo është cilësi prej cilësive të kohës së injorancës.
Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Mos shfaqni bukurinë tuaj siç shfaqej në injorancën e hershme”. Maide, 33.
Të shpëtojmë nga të gjitha këto dhe të kthehemi tek Allahu (subhanehu ue teala) e të pendohemi.
Allahu (subhanehu ue teala. Thotë): “Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” Nur, 31.
Le të mos harrojë asnjëri nga ne, se dyert e pendimit janë të hapura.
Vërtet, Allahu (subhanehu ue teala) e shtrin Dorën e Tij gjatë natës për t’i falur gabimet që robi i Tij i bën gjatë ditës dhe e shtrin Dorën e Tij gjatë ditës për t’i falur gabimet që robi i Tij i bën gjatë natës.
Dhe jo vetëm kaq, por vërtet Ai, Allahu (subhanehu ue teala) na thërret natë e ditë.
Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Thuaj! O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj Mëshirës së Allahut, sepse vërtet, Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues.” Zumer, 53.
Ah, sa e mirë është kjo thirrje fisnike, ky lajm i mirë dhe i vlefshëm! Dhe njëkohësisht është ajeti kuranor ai që rrit shpresën tek njeriu për t’u penduar sinqerisht tek Allahu (subhanehu ue teala).
Dhe mjerë për atë njeri i cili shmanget nga feja islame dhe përcaktohet për braktisjen e fesë, për mosbindje, rebelizëm, prostitucion, alkool etj.
Allahu thotë: “Nëse u vjen nga Unë udhëzimi (libër, pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në këtë botë) e as nuk ka për të dështuar (në botën tjetër). E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.” Ai (që nuk besoi) do të thotë: Zoti im, përse me ngrite të verbër, kur unë isha me sy ?.” Ai (Allahu subhanehu ue teala) thotë: ‘Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu sot je i harruar.’”
“Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të tij, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” Ta Ha, 123 – 127.
Përktheu: Valdet Kamberi