Sprova e pasurisë4 min read

0
438

Sprova e pasurisë

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ata që nuk besuan dhe vdiqën si mosbesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plot faqen e dheut ari. Ata i pret një dënim i dhimbshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.” (Suretu Ali Imran: 91)

Në hadithin kudsi që transmeton Muslimi, ku Allahu i Madhëruar u drejtohet robërve të Tij, thuhet: “O robërit e Mi, të gjithë jeni të humbur përveç atij që unë e udhëzoj. Kërkoni dhe vetëm prej meje kërkoni udhëzim, do t’ju udhëzoj.” Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që ne ta kërkojmë udhëzimin nga Ai dhe që ne ta ndjekim rrugën e Tij për të shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Por gjithsesi njeriu gjatë kësaj jete do të hasë në shumë sprova në rrugën e tij drejt Allahut dhe botës tjetër e një ndër to dhe më e madhja është sprova e pasurisë.

Ndodh që pasuria njeriun ta pengojë nga rruga e Allahut deri në atë masë saqë ta bëjë ta mohojë besimin në Allahun e Lartësuar e të vdes ashtu si qafir, duke qenë përgjithmonë në ferr. Ne do t’ju sjellim një rrëfim shumë interesant se si pasuria mund të jetë pengesë ndaj udhëzimit në rrugën e Allahut të Lartësuar. Duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar, që në Kuran thotë: “Ti rrëfeji tregimet (umetit tënd), në mënyrë që ata të mendojnë.” (Suretu Araf: 176)

Më poshtë do të lexoni tregimin mbi poetin më të madh arab në kohën e Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Ashij bin Kajsi

Ashij bin Kajsi ishte ndër poetët më të mëdhenj arabë të asaj kohe në Nexhd. Posa dëgjoi për paraqitjen e Muhamedit si Pejgamber, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, përgatiti devenë e tij dhe me padurim u nis nga Jemamja (vend ky në kryeqytetin e Arabisë Saudite) drejt Medinës duke synuar që të takonte Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, me dëshirën e flaktë që ta pranojë Islamin.

Gjatë rrugës së tij të gjatë kishte thurur vargje mjaft interesante mbi Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke përsëritur këto vargje:

Vazhdoj të kaloj shkretëtirat e malet

e në zemër kam mall që ta takoj Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të,
me dëshirë për fenë islame
dhe me distancim nga adhurimi i idhujve.

Por fatkeqësisht, pak para se të mbërrinte në Medinë, e ndalën disa nga mushrikët dhe e pyetën se për nga ishte nisur. Ai u tregoi se ishte nisur që të takonte Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për ta pranuar Islamin.

Mushrikët u frikësuan se mos ky poet me famë të madhe do të pranonte Islamin dhe me vjershat e tij do ta përhapte në vendin e tij e do ta ndihmonte Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke e ditur se çfarë u kishte bërë një poet i vetëm, Hasan bin Thabiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, me poezitë e tij të mrekullueshme. E si do të ishte puna sikur ky poet me famë aq të madhe tek arabët të pranonte Islamin? Në atë kohë rolin kryesor të propagandës e luante poezia.
Ata i thanë: “O Ashij, feja e etërve të tu është më e mirë për ty sesa Islami!”

Ashij ua ktheu: “Jo, assesi nuk është si thoni ju, pasi feja e Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, është e vetmja fe e vërtetë.”

I thanë: “O Ashij, po ai ndalon prostitucionin…

Ashij: “Unë jam njeri i moshuar e nuk kam nevojë për gra.”

I thanë: “Po ai ndalon alkoolin.”

Ashij: “Alkooli humb mendjen dhe poshtëron burrat, nuk kam nevojë për të.”

Kur e panë vendosmërinë e tij për Islam, i thanë: “Do të të japim 100 deve vetëm që të kthehesh në vendin tënd e ta lësh Islamin.”

Tha: “E sa i përket pasurisë, po pranoj. Do të kthehem.”

I dhanë atij 100 deve dhe ai u kthye për në vendin e tij duke pranuar që të jetojë si jobesimtar. Pak para se të mbërrinte në vendlindje, u rrëzua nga deveja, theu qafen dhe vdiq. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Këtë (dënim të madh) ngase ata më tepër e deshën jetën e kësaj bote se sa jetën e botës tjetër, e Allahu nuk udhëzon njerëzit jobesimtarë.” (Suretu E-Nahel: 109)

Allahu na ruajttë nga sprova e pasurisë!

E, nëse na dhuron pasuri, e bëftë që atë ta kemi në duart tona e jo në zemrat tona!

Përktheu: Hevzi Kadriu