Dëshmia e rrejshme
Ebu Bekrete, radijall-llahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: A dëshironi që t’ju informoj për mëkatet më të mëdha? I thamë: Si jo o i Dërguar i Allahut! Ai tha: Shirku, mosdëgjimi i prindërve, pastaj sikur ishte mbështetur u drejtua dhe tha: Veni re: fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, fjala e rrejshme dhe dëshmia e rrejshme, vazhdmisht e përsëritte derisa menduam se nuk do të hesht.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Largohuni fjalës shpifëse” (Haxh – 13), poashtu thotë: “Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm” (Furkan – 72) Fjalë e rrejshme është për qëllim çdo fjalë përveç të vërtetës, pra çdo gënjeshter apo fjalë e kotë nënkuptohet nga hadithi i lartpërmendur. Kurtubiu thotë: Dëshmi e rrejshme është dëshmia me të pavërtetë për të arritur deri te gjërat e kota sikur: vrasjen e të pafajshmit, marrjen e pasurisë, lejimin e haramit, ndalimin e hallallit. Nuk ka mëkat më të dëmshëm se sa ajo e as më shkatërruese pas shirkut. Ibën Dekik El-ld thotë: Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, mund që t’i ketë kushtuar rëndësi ndalimit të dëshmisë së rrejshme për shkak lehtësisë së ndodhies së saj mes njerëzve dhe dëmit të saj sepse muslimani largohet prej shirkut si dhe natyra e shëndoshë nuk pranon mosrespektimin e prindërve kurse dëshmia e rrejshme ka nxitës të shumtë, mu për këtë i është dhënë më tepër rëndësi e jo që ky është mëkat më i madh se sa ato që u përmendën në hadith. Ai që nuk largohet prej fjalës së kotë nuk ka shpërblim për agjërimin e tij për shkak këtij mëkati, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Kush nuk e lë fjalën e kotë dhe të punuarit sipas saj dhe injorancën, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë hajen dhe pijen.” (Buhariu).
Burimi:
Ahmed Muadh Hakkij
Përktheu: Agim Bekiri (libri: Katërdhjet hadithe mbi moralin, Nun, Shkup, 2005)