MIKU DHE “MIKU”

MIKU DHE “MIKU”

Nganjëherë stuhitë mund të jenë aq të fuqishme sa që, gati sa nuk të rrëzojnë. Pak para rënies, mbahesh për dikë. Ai që të qëndron afër në kohë krize, ai është miku i vërtetë.
Miku dhe miqësia nuk matet me distancë apo afërsi fizike. Madje, distanca fizike nuk është tregues i cilësisë në miqësi. Është kujdesi që buron nga përzemërsia dhe gatishmëria për të përkrahur mikun ajo që e bën mikun mik. Ndonjëri mund të jetë larg fizikisht dhe, si pasojë e rrethanave, mund ta takosh rrallë, por e di se, sa i përket mbështetjes njerëzore, ai mbetet i palëkundur. E kundërta e atyre që, në kohë mirëqenie janë gjithnjë të disponueshëm për kafe e llafe, dhe në atë nivel përfundon miqësia.
Për të pasur miq nuk duhet qenë i përkryer. Miku duhet të të pranojë me gjithë të metat që i ke dhe gabimet që i bën. Fundja, ai që kërkon mik të përkryer mbetet pa miq.
Miku duhet ndihmuar dhe përkrahur edhe kur ia qëllon, edhe kur gabon. Në të mirë inkurajohet për të vazhduar. Vlerësimi pozitiv nuk duhet të jetë lajkë dhe hipokrizi. Ai, për mikun, është motivim për të vazhduar dhe për të bërë edhe më shumë. Në raste të këtilla është e domosdoshme që të menaxhohet edhe xhelozia, e cila, mes miqsh mund të jetë evidente.
Ndërsa në rast të gabimeve, miku këshillohet për të hequr dorë dhe për tu përmirësuar. Dashamirësia duhet ta ushqejë prore miqësinë e kjo nuk të lë në zonën personale të komoditetit, derisa miku nuk është në rrugën e duhur.

Hoxhë Ekrem Avdiu

Must Read