BallinaAKTUALEAnalizaPj. 1 - Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në...

Pj. 1 – Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh (Hyrje)


Bismilahi Rrahmani Rrahim

RREGULLAT FETARE QË DUHET TË NDJEKË NJË MUSLIMAN NË RAST FITNESH – Pjesa e Parë

Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

 

Fjala e përkthyesit

Ky material, ndonëse është ligjëruar në një vend dhe në një situatë të ndryshme nga ajo e vendit tonë, përmban disa rregulla dhe parime që për nga rëndësia dhe zbatimi, i kalojnë përmasat e një vendi dhe kohe të caktuar. Këtu, përmenden parime dhe rregulla islame shumë të rëndësishme që u vlejnë të gjithë muslimanëve, në çdo kohë dhe vend, e veçanërisht, kur ata kalojnë sprova të rënda që rrezikojnë unitetin dhe bashkësinë e tyre fetare. Feja islame i kërkon çdo muslimani që në të gjithë jetën e tij të vetëkontrollohet në pajtim me parimet dhe normat e fesë së tij. Ky material na jep një panoramë të shkurtër dhe të përmbledhur, se si muslimani duhet ta vërë në jetë këtë vetëkontroll, se si ai duhet të vlerësojë njerëzit dhe situatat, për t’iu ruajtur sa më shumë gabimeve dhe për të fituar kënaqësinë e Allahut.


Hyrje

Lavdërimi i përket Allahut, Atij që thotë në Librin e Tij:

“Ne kemi caktuar për çdo popull rregulla fetare, sipas të cilave ata shkojnë, prandaj mos lejo kurrsesi (o Muhamed) që të diskutojnë me ty për atë çështje. Dhe thirri te Zoti yt! Sigurisht që ti je në rrugë të drejtë. Nëse ata grinden me ty, thuaju: “Allahu e di më së miri atë që bëni ju. Ai do të gjykojë në Ditën e Kijametit për kundërshtitë që keni pasur ndërmjet jush.” [1]

Lavdërimi i përket Atij, që gjithashtu thotë: “A nuk i mjafton Allahu, robit të Vet?! Ata të frikësojnë ty me zota të tjerë, përveç Tij.”[2]

Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.

Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër veç Allahut, të vetëm e të pashoq, dëshmi e dalë nga zemra e mbrujtur me njësimin e Zotit, që prej kësaj dëshmie mësoi veprat dhe fjalët që e kënaqin Allahun dhe i pëlqejnë Atij.

Dëshmoj po ashtu, se Muhamedi është robi i Zotit dhe i Dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe miku i Zotit. Ai ishte përgëzuesi dhe paralajmëruesi, që u dha sihariq njerëzve dhe i qortoi ata, u ligjëroi dhe u mësoi njerëzve të vërtetën. Lum ai që kapet pas Sunnetit të tij dhe pason gjurmët dhe udhëzimin e tij. Bekimet dhe uratat e Allahut qofshin për të, familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që ecën në shtegun e tyre, deri në Ditën e Kiametit.

Vëllezër! Lutuni Allahut t’iu ruajë nga fitnet (sprovat, ngatërresat), t’iu ruajë nga sprovat që shkatërrojnë fenë, mendjen dhe trupin, që prishin çdo gjë të mirë!

Lutuni Allahut t’iu ruajë prej tyre, sepse asnjëherë nuk ka të mira nga fitnet!

Profeti (salallahu alejhi ue selem) shpesh i lutej Allahut që ta ruante nga fitnet dhe paralajmëronte për rrezikun e tyre.

Imam Buhari në librin e tij, kapitullin që flet për fitnet, e ka filluar me ajetin: ‘Ruajuni një sprove (fitne) që nuk cenon vetëm ata që kanë vepruar në mënyrë të padrejtë prej jush’, dhe me atë se si i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) paralajmëronte për rrezikshmërinë e fitneve.

Fitnet kur vijnë, nuk dëmtojnë vetëm të padrejtin, por i dëmtojnë të gjithë. Kur ato shfaqen, nuk lënë vend të dëgjohen fjalët e të mençurve. Ne e kemi si detyrë që të paralajmërojmë për rrezikun e tyre, që para se ato të ndodhin. Të largohemi sa më shumë të jetë e mundur, nga çdo gjë që na afron me fitnet. Një nga shenjat para ndodhjes së Kiametit, është edhe shtimi i fitneve, siç na përcillet kjo në një thënie të Profetit (salallahu alejhi ue selem), ku ai thotë: ‘Do të afrohet koha, pakësohet puna, mbizotërojë koprracia dhe do të shtohen fitnet.’[3] Sprovat, fitnet kur shfaqen sjellin me vete probleme dhe telashe të atilla, që tregojnë për afrimin e ditës së Kiametit dhe Lajmëtari i Allahut, nga dhembshuria që kishte për ne, na paralajmëroi të ruheshim nga të gjitha fitnet.

Allahu i Madhëruar na ka paralajmëruar për rrezikun e fitneve në Fjalën e Tij: ”Ruajuni një sprove (fitne) që nuk cenon vetëm ata që kanë vepruar në mënyrë të padrejtë prej jush!”[4]

Ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti thotë: Ky ajet, edhe pse iu drejtohet shokëve të Profetit (salallahu alejhi ue selem), vlen për të gjithë muslimanët, sepse vazhdimisht Profeti (salallahu alejhi ue selem), paralajmëronte që të ruheshin prej fitneve.

El-alusi, një tjetër komentues i Kur’anit thotë: Fitnja në ajetin: ”Ruajuni një sprove (fitne) që nuk cenon vetëm ata që kanë vepruar në mënyrë të padrejtë prej jush!”, është komentuar në mënyra të ndryshme, si për shembull: ‘Lënia mbas dore e urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja, përçarja dhe divergjencat, mos kritika ndaj shfaqjes së bidatit, etj.’ Më pas, ai thotë: ‘Çdonjëra ka vlerë, sipas kohës së saj.’

Pra, në kohën e divergjencave dhe përçarjeve, ne duhet ta paralajmërojmë njeri-tjetrin me ajetin: ”Ruajuni një sprove (fitne) që nuk cenon vetëm ata që kanë vepruar në mënyrë të padrejtë prej jush!” Ruajuni pra divergjencave dhe përçarjes, pasojat e të cilave nuk prekin dhe as kufizohen vetëm tek ata që kanë bërë padrejtësi, por ato i prekin që të gjithë. Ndaj ne dëshirojmë që t’ua kujtojmë këtë gjë, sepse shohim se kemi një rizgjim islam të mbarë, i cili fton për te feja e Allahut dhe adhurimi i vetëm i Tij. Është detyra jonë t’i kujtojmë vetes dhe gjithë të tjerëve, që t’i përkushtohemi dijes së dobishme, besimit të të parëve të mirë, doktrinës së Ehli Sunneh uel Xhemah.

Ky është një rizgjim i bekuar, i cili shpresojmë të bëhet flamurtar i përhapjes së Fesë së Allahut, e që njerëzit ta duan, t’i kthehen fesë, e të kapen fort pas saj, ashtu siç shpresojmë që kjo lëvizje të qëndrojë e palëkundur mbi themelet e një dijeje të dobishme.

E shoh si detyrë që t’u transmetoj këtyre të rinjve dhe t’u shpjegoj atë që kam mësuar prej dijetarëve të Ehli Sunneh uel Xhemah, të mbështetur në fjalët e Allahut dhe në fjalët e Profetit (salallahu alejhi ue selem).

 

S’ka dyshim se nëse fitnet nuk vihen në qendër të vëmendjes dhe nuk merren parasysh pasojat e tyre, në të ardhmen kemi për t’u përplasur me situata mjaft të këqija. Kuptohet, këto situata të padëshiruara do të vijnë, nëse njerëzit e dijes nuk do t’i shohin situatat e ndryshme që kalon shoqëria me një sy realist e të drejtë, në njohjen e vërtetë të problemeve që ato shfaqin, çka do t’u jepte mundësi atyre, që sa më mirë të vepronin në të tilla momente fitnesh, ashtu siç dëshiron Allahu dhe do të dëshironte i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem).

Parimet dhe kriteret, patjetër duhet të ruhen, sepse me anë të tyre çdo njeri është në gjendje të ruajë veten nga gabimet e mundshme. Nëse ne do të ndjekim parimet ligjore të Fesë dhe rregullat praktike (të jetës), do të mjaftohemi me to dhe nuk do t’i kalojmë kufijtë e tyre, s’ka dyshim se do të arrijmë mjaft të mira, pas të cilave nuk do të bëhemi kurrë pishman, -në dashtë Allahu-. Për këtë arsye, për çdo çështje duhet të njihen parimet përkatëse, që çdokush të ketë mundësi të ruajë veten e tij, e të mos bëhet preh e diçkaje që nuk ia di përfundimin, nëse është e mirë apo jo.

Në mënyrë të detyrueshme, ne duhet t’i përmbahemi parimeve dhe rregullave, të cilat i kemi trashëguar prej dijetarëve të Ehli Sunneh uel Xhemah.


Por ç’kuptojmë me fjalën rregull dhe parim?

Parimi (kaide), është një ide themelore, tek i cili kthehemi për të gjykuar çështje të llojeve të ndryshme.

Kriteri (dabit), është një rregull, sipas të cilit jepet gjykimi për diçka dhe bëhet vlerësimi i problemeve të një lloji të ngjashëm e të vetëm.

Ne e kemi për detyrë që t’i njohim dhe përvetësojmë këto parime dhe rregulla të Ehli Sunnetit, siç na këshillon edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem), kur u drejtohej sahabeve dhe u thoshte: “Ai që do të jetojë gjatë prej jush, do të shohë mosmarrëveshje të shumta, prandaj kapuni pas Sunnetit tim dhe Sunnetit të Kalifëve të drejtë e të udhëzuar që do të vijnë pas meje. Shtrëngohuni fort pas tyre me dhëmballë!”[5]

Pas vdekjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem), sahabet hasën në mosmarrëveshje dhe shpëtuan, vetëm sepse ata u përmbaheshin parimeve të qarta, me të cilat vepronte Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe Kalifët e drejtë pas tij.

 

Dobitë që përfitohen nga zbatimi i këtyre rregullave

E para: Duke iu përmbajtur parimeve dhe rregullave, arrijmë të ruajmë një përfytyrim të drejtë për gjërat dhe në pajtim me normat e fesë. Këto rregulla dhe parime, e vënë nën kontroll përfytyrimin e një muslimani, që të mos bjerë ndesh me fenë e tij.

Është më se e ditur, se nëse një muslimani që e përfytyron një çështje, pa u bazuar te parimet dhe rregullat e fesë, mendja do t’i shkojë larg dhe do të hallakatet në veprimet e tij, që mund të jenë me pasoja për veten, familjen dhe popullin e tij. Që këtu, kuptojmë rëndësinë që ka t’u përmbahemi këtyre rregullave dhe parimeve, që e drejtojnë muslimanin në një të menduar dhe të vepruar të drejtë, në pajtim me fenë e tij.

E dyta: Duke iu përmbajtur këtyre rregullave, muslimani ruhet nga gabimet. Nëse një musliman do të shkojë mbas mendjes dhe opinionit të tij dhe sidomos në raste fitnesh, pa iu përmbajtur parimeve dhe rregullave të Ehli Suneh uel Xhemah, ai nuk ka siguri se nuk do të gabojë. Gabimi mund të rezultojë me pasoja të hidhura, për shkak se gabimi mund të përshkallëzohet dhe degëzohet së tepërmi. E pra, nëse u përmbahemi këtyre rregullave, do të ruhemi nga gabimet. Përse? Kush i formuloi këto rregulla dhe parime?

Këto parime dhe rregulla janë formuluar nga ‘Pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit’, në përputhje me argumentet, dhe kushdo që pason argumentin dhe ndjekësit e Sunetit dhe Xhematit, nuk do të bëhet kurrë pishman për këtë.

E treta: Një tjetër dobi që vjen si rezultat i praktikimit të këtyre rregullave, është edhe ruajtja e muslimanit nga gjynahet. Nëse ti do të shkosh pas mendjes tënde që të duket e drejtë, pa marrë parasysh këto rregulla dhe parime, ti nuk je i sigurt se nuk do të biesh në gjynah. Nëse shkon pas mendimit tënd, që të duket i drejtë, ti nuk e di se ç’pasoja mund të lënë në të ardhmen, fjalët apo veprat e tua. Nëse do të veprosh sipas bazave dhe rregullave të përgjithshme të fesë, të nxjerra nga argumentet përkatëse, ti me shpresë të Zotit, do të shpëtosh nga gjynahet dhe Allahu i Madhëruar ka për të të falur, sepse ti i je përmbajtur argumentit. Nuk ka gjë më të mirë, sesa t’i përmbahesh Shpalljes.

Nga këto tre dobi që përmenda, kuptojmë rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka t’i përmbahemi këtyre parimeve dhe rregullave, të cilat do t’i shpjegojmë më pas.


Këto parime dhe rregulla janë nxjerrë nga dy lloj argumentesh:

E para: Parimi apo rregulli është përmendur drejtpërdrejtë në Kur’an ose në Sunnet dhe pasuesit e Sunetit dhe Xhematit, i kanë marrë për bazë këto argumente.

E dyta: Rregullat janë marrë nga sunneti praktik, me të cilin kanë vepruar shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem), ata që erdhën pas tyre dhe imamët e nderuar të Sunnetit dhe Xhematit, kanë pasur edhe një histori praktike në rastet kur shfaqeshin fitne. Ata, në mënyrë praktike iu përmbajtën këtyre parimeve dhe rregullave të bazuara në argumente.

Pra, ne nuk kemi arsye për të devijuar dhe për të na marrë koka erë, nëse ndjekim historinë e tyre dhe bazohemi tek argumentet, që ata i zbatuan në jetën praktike.

Kjo është një mëshirë dhe mirësi e Allahut ndaj nesh, që na ka lënë shembuj për t’i pasuar. Dijetarët e Sunnetit dhe Xhematit, janë ata, te të cilët duhet të kthehemi për t’u konsultuar dhe marrë mendimin e tyre, sepse ata e njohin fenë dhe parimet madhore e të përgjithshme të saj, siç njohin edhe rregullat praktike, që të ruajnë nga gabimet dhe devijimet.

Pra, edhe njëherë bëhet e qartë detyrimi që kemi për t’iu përmbajtur këtyre rregullave dhe parimeve që do të përmend më pas, rëndësisë dhe dobisë që ato kanë për vete dhe shoqërinë ku jetojmë.

Lum për atë që shkon pas një të udhëzuari! Lum për atë që shkon pas argumenteve! Lum për të, sepse kurrë pas kësaj nuk do të bëhet pishman!


Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

 

U zbardh nga kaseta në letër nga Ekrem ibn Serdar Shejh – më 22/5/1411.h (9/12/1990 e.s)

Përshtati në shqip me disa shkurtime: Hoxhë Justinian Topulli, Tiranë – jtopulli.wordpress.com


www.islamifejaevertete.com

VAZHDON…


________________________________________

[1] Sure El-haxh: 67-69.

[2] Sure Ez-zumer: 36.

[3] Transmeton Buhari.

[4] Sure El-enfal:25.

[5] Transmeton Ebu Daudi.

Must Read