BallinaAKTUALEAnalizaBixhozi, llojet dhe rreziku prej tij

Bixhozi, llojet dhe rreziku prej tij

Bixhozi, llojet dhe rreziku prej tij

Bixhozi është çdo lloj loje që bëhet me pasuri mes dy palëve, ku fituesi merr pasurinë nga humbësi. Me këtë përkufizim çdo njeri mund ta dijë për një veprim apo lojë a hyn në bixhoz apo jo.

Pasuria është njëra nga pesë gjërat e domosdoshme që duhet të ruhen, të cilat janë: feja, shpirti, mendja, nderi dhe pasuria. Ato janë të domosdoshme në mënyrë që jeta e njerëzve të rregullohet në këtë botë dhe botën tjetër.

Meqë pasuria ka këtë vlerë të madhe, atëherë shohim se Islami është kujdesur për ruajtjen e saj me kujdes të veçantë duke vendosur rregulla dhe mënyra për përfitimin e saj dhe njëkohësisht duke bërë të ndaluar çdo rrugë që çon në shkatërrimin dhe humbjen e saj.

Islami udhëzon për ruajtjen e pasurisë dhe nxit në shtimin e saj përmes ligjshmërisë së transaksioneve të ndryshme, si: shitblerja, qiraja, mbjellja e të tjera. Përveç kësaj, Kur’ani ka nxitur për punimin e tokës dhe nxjerrjen e të mirave të saj.

Islami na mëson për ruajtjen e pasurisë dhe nxitjen në shtimin e saj përmes ndalimit të çdo mënyre të përfitimit të saj pa të drejtë si p.sh.: kamatës, bixhozit, ryshfetit, shitblerjeve të ndaluara, vjedhjes, tregtisë me narkotikë e alkool e të tjera mënyra përfitimi të pasurisë në mënyrë të ndaluar.

Rëndësia e ruajtjes së pasurisë në Islam shfaqet shumë qartë duke e ditur se Allahu është poseduesi esencial i kësaj pasurie, ndërsa njeriu vepron me këtë pasuri vetëm si zëvendës dhe nëpunës. Allahu thotë: “…dhe shpenzoni nga ato që Ai ua ka lënë trashëgim…” (El Hadid: 7)

Kjo sjell obligueshmërinë e ruajtjes së pasurisë nga njeriu sepse ajo është pasuri e Allahut, kurse ne jemi përgjegjës që të veprojmë me pasurinë ashtu si dëshiron pronari i parë i pasurisë. Për këtë themi se duke qenë se ruajtja e pasurisë është obligative me fe dhe me logjikë, atëherë humbja e saj me bixhoz është e ndaluar dhe armiqësi ndaj pasurisë.

Duke ditur rrezikun e bixhozit, i cili është pothuajse i njëjtë me nënën e të këqijave, alkoolin, duke ditur dëmet e tij materiale, morale, shëndetësore, shoqërore, politike dhe përhapjen e tij në vendin tonë, do ta trajtojmë në pika të shkurtra në këtë shkrim.

Çfarë quajmë bixhoz?

Bixhoz është çdo lloj loje që bëhet me pasuri mes dy palëve, ku fituesi merr pasuri nga humbësi.

Nëse e analizojmë këtë përkufizim, arrijmë në këto konkluzione:

1) Esenca e bixhozit është në lojë dhe dëfrim.

2) Çdo lloj loje me pasuri do të thotë se lojërat që bëhen pa të holla nuk konsiderohen bixhoz.

3) Fituesi merr pasurinë nga humbësi na tregon se nëse shpërblimi vjen nga një palë e tretë, konsiderohet dhuratë për ekipin fitues.

4) Mes dy palëve do të thotë se ndodh që njëra palë të jetë një person ose më shumë, mund të jetë njeri, por mund të jetë edhe mjet, siç janë lojërat e bixhozit mes njeriut dhe mjetit të bixhozit apo bixhozit me mjetet elektronike

5) Gjithashtu përkufizimi tregon se bixhozi përmban në vetvete mëdyshje dhe fshehtësi se kush do të fitojë sepse asnjë lojtar nuk e di a do të fitojë apo do të humbë.

Gjykimi mbi bixhozin

Që bixhozi është vepër e shëmtuar dhe e ndaluar në Islam dëshmon Kur’ani, Sunneti dhe konsensusi i dijetarëve.

Allahu i Madhërishëm thotë: ”O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyra nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (Maide: 90-91)

Edhe nga fjalët e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem shohim se bixhozi është vepër e shëmtuar dhe e ndaluar.

1) Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Kush nga ju betohet në Latin dhe Uzanë e thotë pasha Latin e Uzanë, le të thotë La ilahe il-lAllah. Kush i thotë shokut të vet eja të luajmë bixhoz, le të japë lëmoshë.”[1]

Imam Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë: ”Ka urdhëruar për dhënien e sadakasë si shpagim për mëkatin që ka shprehur gjatë të folurit të tij.”[2]

2) Transmeton imam Ahmedi se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kali është tre llojesh: kali që përdoret në rrugën e Allahut, kali që përdoret në rrugën e shejtanit dhe kali për nevoja të njeriut…”, më pas thotë: ”Ndërsa kali për shejtan është ai i cili luhet bixhoz me të apo jepet peng.”[3]

Hadithi tregon se kali me të cilin luhet bixhoz me të është kali i shejtanit dhe kjo tregon se kumari ose bixhozi është vepër e shejtanit, kurse ne e dimë se shejtani nuk urdhëron për diçka tjetër pos në mëkat ndaj Allahut.

3) Transmetohet nga Sulejman ibën Burejde nga babai i tij, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Kush luan me zar[4], është si të fusë dorën e tij në mishin e derrit dhe në gjakun e tij.”[5]

4) Transmetohet nga Ebu Musa el Esh’ariu radijallahu anhu të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: ”Kush luan lojën me zar, vetëm se e ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[6]

Dijetarët kanë rënë në ujdi se bixhozi me të gjitha llojet e tij është i ndaluar për shkak të rrezikut të tij.[7]

Disa shembuj të bixhozit

Kur kemi përkufizuar bixhozin, kemi thënë se bixhozi është çdo lloj loje që bëhet me pasuri mes dy palëve, ku fituesi merr pasurinë nga humbësi. Me këtë përkufizim çdo njeri mund ta dijë për një veprim apo lojë a hyn në bixhoz apo jo.

Nga gjërat që hyjnë në bixhoz dhe që janë të pranishme në vendin tonë veçojmë:

1) Lojërat me zar apo ndryshe loja e tavllës. Më lart e kemi përkufizuar këtë lojë dhe treguam se është e ndaluar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kjo lojë për fat të keq është përhapur edhe në vendin tonë. Ajo sjell vetëm varfëri, mjerim e skamje. E lusim Allahun që popullin tonë ta vetëdijesojë që të mos bjerë pre e ujqve që mezi presin të marrin nga njerëzit edhe kafshatën e fundit të gojës.

2) Lojërat e fatit.Nga lojërat e fatit që edhe sot luhen në vendin tonë është loja e lotos, gjithashtu edhe lojërat përmes të cilave shpërndahen shpërblimet, në të cilat fiton zarfi i atij që nxirret nga kutia.

3) Lojërat e bastit apo bastoret.Për fat të keq ky lloj bixhozi është përhapur me të madhe në vendin tonë, i cili dita-ditës po zhytet në varfëri të skajshme.

4) Çdo lloj organizimi i ndonjë sporti ku pjesëmarrësit paguajnë një shumë të caktuar, pastaj nga ajo shumë shpërblehet fituesi i parë, i dytë dhe i tretë hyn në bixhoz. Për t’u larguar nga bixhozi duhet që palët që marrin pjesë të mos paguajnë asgjë për pjesëmarrjen, kurse shpërblimet t’i japë pala e tretë organizatore.

Mund të ketë edhe lojëra të tjera në vendin tonë që hyjnë në bixhoz, por ne do të mjaftohemi me kaq sa për ilustrim.

Dëmet e bixhozit

Dëmet e bixhozit mund t’i ndajmë në dëme individuale dhe dëme shoqërore.

Disa nga dëmet e bixhozit ndaj individit janë:

a) Dëmet e bixhozit në mendjen dhe jetën e bixhozxhiutIslami është kujdesur për shëndetin dhe trupin e njeriut me një kujdes të veçantë dhe nga ky aspekt vjen edhe ndalimi i bixhozit, pasi ai është nga shkaqet e shkatërrimit të njeriut dhe humbjes së mendjes. Studimet e mëvonshme dhe më të përsosura që janë realizuar mbi bixhozxhinjtë tregojnë se tek ata që e ushtrojnë bixhozin në mënyrë të vazhdueshme, ai ndikon në bilancin kimik në tru. Këtë e ka vërtetuar Piter Kaltun, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Nju Xhersit në Amerikë, i cili bëri prova në shumë prej atyre që luanin bixhozin në vazhdimësi.

b) Ndikimi i bixhozit në fenë e kumarxhiutPamë se bixhozi ndikon negativisht në mendjen dhe jetën e njeriut, duke qenë njëkohësisht edhe një mjet për shkatërrimin e fesë së njeriut. Allahu në Kur’an ka përmendur dy të këqija që shkaktohen nga bixhozi, të cilat janë: bixhozi e largon njeriun nga përmendja e Allahut dhe nga namazi, sepse kumarxhiu është i zënë me bixhozin dhe zemra e tij nuk është e lirë që të përmend Allahun.

c) Ndikimi i bixhozit në pasurinë e bixhozxhiut Ruajtja e pasurisë është nga gjërat e domosdoshme dhe kjo është arsyeja përse sheriati islam nxit në ruajtjen e saj dhe njëkohësisht e ka renditur armiqësinë ndaj saj së bashku me armiqësinë ndaj fesë, shpirtit dhe nderit. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: ”Me të vërtetë pasuria juaj, gjaku juaj dhe nderi juaj është i ndaluar siç është e ndaluar kjo ditë në këtë muaj, në këtë vend.”[8]

Duke qenë se Islami e ka krahasuar pasurinë me gjakun dhe nderin, atëherë nuk lejohet në asnjë mënyrë marrja e saj nga pronari, përveçse me mënyrë të ligjshme apo me vetëdëshirë, ndërsa marrja e saj përmes bixhozit konsiderohet ngrënie e pasurisë së tjetrit pa të drejtë dhe është e ndaluar me Kur’an, siç thotë Allahu:

“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm.” (En-Nisa: 29)

d) Rreziku i bixhozit në humbjen e kohës

Koha ka një rëndësi të veçantë në jetën e bashkësive njerëzore dhe në veçanti në jetën e muslimanit, sepse koha është vetë jeta e njeriut. Sheriati islam e vërteton rëndësinë e kohës dhe tregon përgjegjësinë që do të ketë njeriu për të në Ditën e Gjykimit. Islami urdhëron për shfrytëzimin e kohës në vepra të dobishme dhe ndalon nga humbja e saj në punë të kota dhe të padobishme.

Bixhozxhinjtë humbin kohën dhe jetën e tyre në vendet e bixhozit duke qëndruar me orë të tëra mbi tavolinën e bixhozit duke lënë kështu pas dore obligimet fetare ndaj Zotit të tyre dhe të drejtat e familjes dhe të fëmijëve të tyre.

Dëmet shoqërore të bixhozit mund të themi se janë këto:

a) Futja e armiqësisë dhe urrejtjes mes atyre që luajnë dhe kalimi i kësaj armiqësie në shoqëri

Allahu në Kur’an e ka theksuar këtë çështje shumë qartë. Allahu thotë:

”Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje…”

b) Përhapja e krimeve të ndryshme në shoqëri

Nëse krimi i bixhozit përhapet në shoqëri, patjetër do të përhapen edhe krime të tjera për një arsye shumë të thjeshtë: kur bixhozxhiu humb pasurinë e vet, atij i shtohet dëshira për ta rikthyer pasurinë e tij në dorë. Por kur e humb tërë pasurinë që ka, atëherë ai sheh si rrugë pasurimi krimet e tjera si vjedhja, vrasja, kamata, terrorizimi i njerëzve, prostitucioni etj. Kjo është arsyeja që vendet e Evropës ankohen shumë nga krimet e bixhozxhinjve.

c) Shkatërrimi i edukimit dhe lindja e përtacisë

Bixhozi i bën njerëzit të mos punojnë, por të presin risk nga bixhozi, duke lënë kështu anash metodat dhe rrugët e përfitimit të pasurisë me ndershmëri dhe djersë.

d) Shkatërrimi i shtëpive plot gjallëri

Kjo ndodh kur kujdestari i familjes luan bixhoz dhe humb pasurinë. Sa familje që kanë jetuar në rehati e bollëk brenda një nate janë shndërruar në familje të mjera dhe të varura për shkak të bixhozit?!

E lusim Allahun që ta largojë popullin tonë nga çdo rrugë që çon në shkatërrimin e tyre si në këtë botë edhe në botën tjetër! E lusim Atë t’i drejtojë ata në rrugën e drejtë, që të jenë fitues në këtë botë dhe në botën tjetër! Amin!

Marrë nga libri i përgatitur për shkallën e magjistraturës ”Bixhozi dhe llojet e tij në dritën e sheriatit islam”, Fakulteti i Sheriatit në Universitetin e Jordanisë

Autor: Shukri Ali Abdurrahman Et-Tavil

==============================================

[1] Mutefekun alejhi.

[2] “El Minhaxh sherh Sahih Muslim ibën El Haxhaxh” (11\108), autor Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë.

[3] Transmeton Ahmedi (1\395), Hejthemiu në “Mexhma’ ez-zevaid” (5\261) thotë: ”Transmeton Ahmedi dhe transmetuesit e tij janë thikatë”.

[4] Loja me zar është e njohur që nga kohërat e hershme, në gjuhën arabe loja me zar quhet “En-nerd” apo “En-nerdeshir”, Zari është kub i vogël (prej druri, qelqi, plastike, etj.), që ka gjashtë faqe katrore të barabarta të shënuara me pika nga një deri në gjashtë dhe përdoret për të luajtur. Me të luhen lojëra të ndryshme dhe më e përhapur është të luhet me para (bixhoz), por mund të luhet pa para vetëm për të kaluar kohën apo për t’u zbavitur. Marrë nga webfaqja www.klubikulturor.com. Autor Alaudin Abazi.

[5] Muslimi (2260)

[6] Transmeton Ibën Maxheh (nr. 3762), Albani thotë: “Hadithi është i mirë (hasen).”

[7]“ Ahkamul Kur’an” (2\110), autor El Xhesasi.

[8] Mutefekun alejhi.

Must Read