Viti i ri përgjak dhe helmon edhe në Maqedoni
54 në Urgjencë, 52 në Toksikologji
Pesëdhjetë e katër pacientë janë pranuar dhe janë kontrolluar gjatë natës së Viti të Ri në Qendrën urgjente kirurgjikale në Shkup. Prej tyre 18 pacientë janë pranuar si rezultat i traumës së caktuar, deklaroi sot specialisti i traumatologjisë Andrea Gavrilovski. Pjesa më e madhe e të pranuarve, siç tha, janë lënduar nga armë zjarri para mesnatës, pastaj me mjete shpërthyese dhe goditje me thikë.
“Prej atyre 18 pacientëve, shtatë janë hospitalizuar në Klinikën për traumatologji dhe nga një në klinikat për kirurgji të fëmijëve, neurokirurgji, kirurgji plastike dhe kirurgji torakale. Prej pacientëve të pranuar tre janë plagosur nga fishekzjarrët, ndërsa pesë deri në gjashtë në fatkeqësi rrugore. Të tjerët janë kontrolluar, trajtuar dhe lëshuar në shërim shtëpiak”, theksoi Gavrilovski. Ai theksoi se ka pacientë në gjendje kritike, por tani për tani nuk është asnjë që është në gjendje të rrezikshme për jetë.
Në Klinikën për toksikologji gjatë kohës së natës së Vitit të Ri, informon sot drejtori Andon Çibishev, janë kontrolluar 52 pacientë prej të cilëve 34 janë burra dhe 18 janë gra. “28 janë me helmime alkoolike, prej tyre 22 janë burra dhe gjashtë femra. Mesatarja e moshës së helmimeve nga alkooli është 17 vjet, dhe për fat të keq shumë e ulët. Këtë vit sërish u përsërit përvoja, ekipi kujdestar intervenoi te një vajzë e cila kishte më pak se 14 vjet, ishte në gjendje të vështirë, është mbajtur deri në orët e hershme të mëngjesit në Klinikë dhe për fat të mirë gjithçka përfundoi siç duhet dhe ajo është lëshuar në shërim mjekësor”, tha Çibishev. Ai theksoi se krahas këtyre 28 helmimeve me alkool ka pasur edhe dy helmime me oksid të karbonit për shkak të pajisjeve të dëmtuara për ngrohje, njëra me mbidozim me kanabis dhe njëra ndezje të pankreasit për shkak të konsumimit të sasisë së madhe të ushqimit. “Të gjithë pacientët janë trajtuar me sukses dhe asnjë prej tyre nuk është mbajtur në spital dhe të gjithë janë lëshuar në shërim shtëpiak”, shtoi Çibishev./koha.mk/