Sprovat i femrave

 

Sprovat i femrave

 

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Një nga sprovat e mëdha me të cilat përballet muslimani sot në këtë jetë është sprova e femrave. Me këtë sprovë ai përballet në treg, në rrugë, në vendet publike, në gazeta, revista dhe në media.

 Allahu i Lartësuar thotë: Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu” (Ali Imran; 14).

I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam i ka tërhequr vëmendjen umetit të tij nga sprova e femrave. Buhariu dhe Muslimi përcjellin një hadith nga Ebu Seid Hudriu radijallahu anhu, që thotë se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Nuk kam lënë pas meje sprovë tjetër më të dëmshme për burrat se sa gratë.”[1]

I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka njoftuar se sprova e parë me të cilën janë përballur Beni Israilët ka qenë gratë. Imam Muslimi shënon në Sahihun e tij hadithin e përcjellë nga Ebu Seid Huderiu, se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Dynjaja është e bukur dhe e gjelbër. Allahu do t’ju vendosë mëkëmbës në të dhe do të shohë sesi do të punoni. Prandaj kijani frikën dynjasë dhe kijani frikën grave, sepse sprova e parë për Beni Israilët ishte tek gratë.”[2]

I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka njoftuar se ai që bën durim ndaj kësaj sprove do të bëjë pjesë ndër shtatë njerëzit, që Allahu do t’i mbulojë me hijen e Tij. Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Shtatë (vetë) Allahu do t’i mbulojë me hijen e Tij atë ditë, kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij”. Ndër ta përmendi: “Një burrë që e kërkoi një grua me pozitë dhe bukuri dhe ai iu përgjigj: “Unë kam frikë Allahun.”[3]

Kadi Ajadi thotë: “Gruaja me pozitë dhe bukuri është përmendur në mënyrë të veçantë, sepse ajo kërkohet shumë dhe është e vështirë që të mbërrish tek ajo, sidomos kur i ka të dyja; edhe postin, edhe bukurinë, madje kur bëhet fjalë që ajo vetë e kërkon diçka të tillë. Në këtë mënyrë ajo i ka kursyer burrit kohën për të kontaktuar me të dhe lidhjen pas saj. Kështu, bërja durim për shkak të frikës ndaj Allahut të Lartësuar, ndërkohë që ajo vetë ka kërkuar prej tij, që t’ia japë këtë mundësi, duke i pasur të dyja; postin dhe bukurinë, përbën një nga gradët më të larta dhe një nga adhurimet më të mëdha. Si shpërblim Allahu i Lartësuar ka vendosur që ta mbulojë me hijen e Tij. Një grua me pozitë do të thotë një grua që ka prejardhje fisnike.»[4] Në lidhje me një njeri të tillë dhe të tjerë si ai Allahu i Lartësuar thotë:“Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (Naziat; 40, 41).

Shembulli i këtij njeriu që bën durim ndaj sprovës së femrave është Profeti fisnik, i biri i një fisniku, e ky biri i një fisniku ishte Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is’hakut, i biri i Ibrahimit, paqja e Allahut qoftë mbi ta. Allahu i Lartësuar thotë:“Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe pa dyshim keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë.” (Jusuf; 23). Përkundrazi Jusufi alejhi salatu ue selamparapëlqeu burgun në vend që t’i gjunjëzohej kësaj sprove. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt tyre dhe do të bëhem nga ata që nuk i dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf; 33).

Ibën Kajimi thotë: “Allahu i Lartësuar ka paraqitur ndershmërinë e lartë të Jusufit alejhi salatu ue selam, sepse shtysat me të cilat u përball nuk i kishin ndodhur askujt para tij. Ai ishte i ri dhe i riu ka epshe dhe dëshira të ndërthurura. Ai ishte beqar dhe nuk kishte se si ta shfrynte këtë gjendje, ishte i panjohur dhe larg familjes dhe vendit të tij. Njeriu që jeton me familjen dhe shokët e tij ka turp prej tyre, se mos kuptojnë diçka prej tij, por nëse je i huaj kjo pengesë nuk ekziston. Ai ishte në pozitën e një skllavi dhe skllavi nuk e përçmon atë që e përçmojnë njerëzit e lirë. Ajo ishte një grua e bukur dhe me pozitë, kështu që shtysa për t’u afruar me të ishte më e madhe, se me një grua që nuk është e tillë. Ndërkohë ishte ajo që po e kërkonte një gjë të tillë dhe në këtë mënyrë eliminohej mundimi i burrit për të kërkuar dhe frika e tij nga mungesa e përgjigjes. Bashkë me kërkesën ajo shtoi edhe dëshirën e saj të plotë dhe joshjen përmes së cilës mund të largohej prej Jusufit alejhi selam çdo provim dhe sprovë për të kuptuar ndershmërinë nga pandershmëria e tij. Ajo ishte në vendin e pushtetit dhe në shtëpinë e saj. Kjo i jepte asaj mundësinë për të gjetur vendin e duhur dhe pozicionin që nuk kapej nga sytë e njerëzve. Pavarësisht kësaj ajo i mbylli edhe dyert, në mënyrë që të sigurohej nga çdo hyrje e papritur dhe shkoi tek Jusufi me hir dhe pa pahir. Por me gjithë këtë Allahu e ruajti Jusufin dhe ai nuk iu bind asaj, i dha përparësi të drejtës së Allahut dhe të drejtës së burrit të saj përpara gjithë kësaj që i ofronte ajo grua lirisht. Kjo është një çështje me të cilën nëse njeriu sprovohet me të, nuk i dihet se si përfundon çështja e tij.”[5]

Poeti thotë:

Katër sjellje më ndalojnë nga paturpësitë,

Prej të cilave njeriu fisnik së tepërmi ruhet,

Më ruan turpi, Islami, thinjat dhe morali,

Sepse njeriu shkon pas asaj që i do shpirti.

Durimi ndaj këtyre sprovave dhe parapëlqimi i kënaqësisë së Allahut para dëshirave të vetvetes është një nga veprat më të mira përmes së cilave njeriu afrohet tek Zoti i tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.”(Naziat; 40, 41).

Dy imamët, Buhariu dhe Muslimi na përcjellin një hadith nga Ibën Omeri se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Teksa po ecnin tre burra i zuri një shi dhe u strehuan në një shpellë në një mal. Papritur hyrja e shpellës u zu nga një shkëmb, që ra nga mali dhe ua mbylli hyrjen. Ata iu drejtuan njëri-tjetrit: “Shikojini veprat e mira që keni bërë për Allahun dhe lutuni Allahut, se ndoshta na largon shkëmbin. Njëri prej tyre tha: “O Allah! Kam pasur një vajzë xhaxhai, të cilën e kam dashur aq shumë sa mund të dojë një burrë një grua dhe i kërkova që të më afrohej, por ajo refuzoi vetëm nëse i jepja njëqind dinarë. U lodha shumë derisa i mblodha njëqind dinarë dhe pastaj shkova tek ajo. Kur rashë mbi këmbët e saj ajo më tha: “O rob i Zotit! Kije frikë Allahun dhe mos e vendos unazën (mos bëj marrëdhënie të ndaluara) veçse me të drejtë (me martesë). Unë u largova prej saj dhe Ti e di fare mirë, se këtë e kam bërë vetëm për hatër të Fytyrës Tënde, prandaj largoje paksa shkëmbin dhe shkëmbi u largua pak.”[6] Hadithi vazhdon.

Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët që nuk kanë mundësi të martohen që të bëjnë durim dhe të ruajnë nderin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le ta përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me mirësinë e Tij.”[7] (Nur; 33).

Një nga mënyra e largimit prej sprovës së grave është mbulimi i shikimit, ruajtja e organeve dhe martesa e lejuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre(nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më e mirë për ta! Me të vërtetë Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.” (Nur; 30).

Buhariu dhe Muslimi përcjellin një hadith nga Ibën Mesudi, se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë:“O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi le të martohet, sepse ajo (martesa) jua mbron më shumë shikimin dhe jua ruan më shumë organet.”[8]

Poeti thotë:

Nga shikimi shkaraz fillon çdo telash,

Nga shkëndijë e vogël ndizet zjarr i madh,

Sa shikime prej syve në zemër depërtuan,

Si shigjetë prej harkut tej e tej e shpuan,

Për aq kohë sa robi me vështrime bredh,

Mbi rrezik hedh hapin e rreziqe mbledh,

Shpirtin ta plagos, ajo syrin ta kënaq,

Larg qofsh o gëzim që prish rend e paqë.

I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka bërë me dije se Xheneti është shpërblimi i atij që ruan organet e tij nga harami. Buhariu përcjell në Sahihun e tij një hadith nga Sehël ibën Sadi, se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selamka thënë: “Kush më garanton atë që ka mes nofullave dhe atë që ka mes kofshëve unë i garantoj atij Xhenetin.”[9] Së fundmi, falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e tij qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, mbi të gjithë shokët e ndjekësit e tij.


 

Dr. Emin Ibn Abdullah Esh-Shekavi

Përktheu: Genc PLUMBI

Burimi: www.albislam.com

www.islamifejaevertete.com




[1] – Buhariu 5096 dhe Muslimi 2740.

[2] – Muslimi 2742.

[3] – Buhariu 1423 dhe Muslimi 1031.

[4] – Komentet e Sahihul Muslimin nga Neveviu 3/122.

[5] – “Bedaiu et-tefsir” 2/445, 446.

[6] – Buhariu 2215 dhe Muslimi 2743.

[7] – En-Nur; 33.

[8] – Buhariu 5066 dhe Muslimi 1400.

[9] – Buhariu 6474.

Must Read