Viti i parë i martesës – këshilla të arta
Martesa është një prej mirësive të Allahut dhe një prej argumenteve të Tij në gjithësi. Familja e re që krijohet është lënda e shoqërisë së mirë dhe themeli i strukturës së saj të shëndoshë.
Periudha që i paraprin martesës siç është përzgjedhja, fejesa dhe akt-martesa konsiderohet një nga periudhat më të bukura të jetës, për shkak të ndjenjave dhe ëndrrave të bukura me të cilat mbushet djali dhe vajza në fillimin e jetës së tyre bashkëshortore, e cila përfshihet nga dashuria dhe rrethohet nga zogjtë e lumturisë dhe të haresë.
Por kjo ëndërr ka mundësi që të mos vazhdojë gjatë pas martesës, sidomos kur çifti përballet me realitetin e jetës, me përgjegjësinë për të pasur një jetë të qëndrueshme, me çështjet ekonomike dhe me edukimin e fëmijëve. Në këtë periudhë disa mund të qëndrojnë të palëkundur përballë këtij realiteti dhe të vazhdojnë në mbrojtjen e shtëpisë së tyre të vogël. Nga ana tjetër shumë të tjerë mund të dështojnë dhe të kthehen në armiq, ku secili prej tyre i qëndron në pritë tjetrit, pasi më parë kanë qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Studimet dhe statistikat që ka kryer Qendra Kombëtare për Kërkimet Sociale dhe Penale në Egjipt kanë qartësuar, se përqindja e divorceve gjatë vitit të parë të martesës arrin deri në 50%, pas vitit të dytë arrin deri në 40% dhe pakësohet deri në 10% pas tetë vjetëve martesë. Këto studime konfirmojnë gjithashtu se çdo 6 minuta ndodh një divorc dhe çdo 12 minuta ndodh një prishje përfundimtare e martesës.
Ueb faqja IslamToday ka publikuar mendimet e disa specialistëve mbi shkaqet e suksesit dhe vazhdimësisë së martesës, që në vitin e saj të parë dhe pengesat më kryesore që çojnë në dështimin e saj, duke i shoqëruar ato me disa këshilla që janë të dobishme për të sapomartuarit, për të ruajtur stabilitetin e jetës dhe lumturinë e saj.
Objektivat e martesës
Doktori dhe thirrësi musliman Abdulhalik Sherif thotë: “Është detyrë e të rinjve, meshkuj apo femra qofshin, që të njihen me objektivat e martesës përpara se të ndërmarrin këtë hap. Kjo do t’i ndihmojë ata që të shmangin problemet deri në masën 80%. Hapi i parë ka të bëjë me mënyrën e përzgjedhjes. Bukuria, pasuria dhe pozita sociale mund të jenë të gjitha dukuri të përkohshme dhe nuk tregojnë thellësinë e shpirtit. Problemet më të mëdha që ndodhin, të cilat mund t’i quajmë irracionaliteti në njohje dhe përpjekjet për të tërhequr vëmendjen e palës tjetër në mënyrë jo-realiste, të gjitha këto bien ndesh me realitetin e jetës, i cili i ngjan goditjeve elektrike vrastare për të dyja palët, sidomos për gruan, e cila për nga natyra i mëshon më tepër imagjinatës dhe ëndrrave. Për këtë arsye kur ajo zgjohet përpara këtij realiteti, kjo bën që të prishen familjet.
Ai shton se martesa ka një anë tepër të rëndësishme, që është marrëdhënia tepër e veçantë mes bashkëshortëve, gjë të cilën e ka lejuar Allahu i Lartësuar. Por martesa e suksesshme nuk qëndron vetëm mbi një marrëdhënie të suksesshme seksuale, por edhe mbi prehjen, qetësinë e zemrës, mbi stabilitetin financiar, emocional dhe shpirtëror. Seksi nuk përbën një objektiv kryesor në martesë, por qëllimi më i lartë është formimi i familjes, që ngrihet mbi bazat e kësaj feje, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Rum 21).
Deti i borxheve
Doktor Sherifi konfirmon domosdoshmërinë e përmirësimit të përzgjedhjes në martesë. Në këtë mënyrë nuk mjafton që djali i ri të jetë me mjekër, të falet në xhami dhe të mos lëshojë nga dora tespijen. Gjithashtu nuk mjafton që vajza të veshë nikab apo hixhab dhe të kryejë të gjitha ritet, por duhet gjithashtu që kjo paraqitje e jashtme të shoqërohet me sjelljen, vlerat dhe parimet e shëndosha, me zbatimin e saktë dhe të ndërgjegjshëm të parimeve të Islamit tolerant, të cilat përhapin mirësinë mes njerëzve dhe që paraqesin imazhin e shëndoshë të fesë, dhe nuk japin një imazh të shtrembëruar për ata që e ndjekin.
Shpenzimet e tepërta rëndojnë mbi të dy bashkëshortët. Ato janë shpenzime me të cilat ata fillojnë jetën e tyre dhe i mbysin ata në borxhe që me kalimin e muajit të parë, ku përfshihen dhuratat, vizitat dhe traditat që kërkohet që të përmbushen nga familja e dhëndrit dhe e nuses. Por pas kthimit në realitet ëndrrat fillojnë të zbehen dhe dielli i realitetit fillon të shfaqet. Nxehtësia e tij, që nuk pritej fillon të përfshijë ata dhe kjo pasqyrohet në borxhet e shumta, këstet e papaguara, në kursimet për të përmbushur nevojat, në planet për të menaxhuar fondin e shtëpisë, në përgjegjësinë që rëndon mbi gruan brenda shtëpisë kur burri është jashtë saj etj. Në këtë mënyrë shtëpia nuk përjeton qetësi dhe lumturi.
Doktori thotë: “Një nga arsyet e dështimit të martesës që në fillimet e saj është ndërhyrja e familjarëve dhe përhapja e sekreteve të jetës familjare nëpër shokë, një dukuri kjo për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Ato janë veshje për ju dhe ju jeni veshje për to.” Veshja ose tesha përdoren për zbukurim dhe gjithashtu për mbulimin e trupit. Në këtë mënyrë që të dy bashkëshortët janë mbulesë dhe veshje për njëri-tjetrin. Sikur kjo të bëhej realitet, nuk do të kishte ndodhur asnjë problem mes tyre, por ajo që ndodh është se secili prej tyre thërret familjarët e tij, të cilët ndërhyjnë me emocione të zjarrta, që i ngjajnë më tepër tifozllëkut.
Gjithashtu ai sqaron se burrëria e vërtetë dhe e plotë do të thotë ruajtja e ekuilibrave mes të drejtave të ndryshme. Burri është njeriu ku gruaja gjen afërsi dhe ai ka shumë të drejta karshi saj, edhe kur e luan këtë rol. Kur i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem po qëndronte në itikaf, ai ia nxirrte kokën Aishes radijallahu anha që t’i krihte flokët. Kjo bën pjesë në zgjuarsinë e burrit, sepse gruaja rrëmbehet nga emocionet dhe kërkon butësi dhe burri ka mundësi ta vendosë atë në zemrën e tij me mënyrat më të thjeshta, por ndonjëherë burrat nuk dinë sesi të shprehin ndjenjat që kanë përbrenda karshi grave të tyre. Pra, ndonjëherë një fjalë e mirë dhe e butë mund të jetë gjëja më e bukur, që mund të dalë nga zemra, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe thuaji njerëzve fjalë të mira”, “Thuaji robërve të Mi, që të thonë atë që është më e mirë” dhe fjala e Profetit sal-lallahu alejhi ue selem: “Fjala e mirë është sadaka.”
Më tej ai shton: “Nga e gjitha kjo nxjerrim si përfundim, se që të realizohet martesa në mënyrë të shëndoshë duhet që të rinjtë të njohin se më kë të martohen, kur dhe si ta bëjnë këtë dhe si të jenë të kujdesshëm për shtëpinë e tyre. Babai, nëna dhe ambienti e luajnë këtë rol. Të gjitha këto probleme kanë nevojë për zgjidhje, për vendosjen e të cilave ka nevojë që të marrë pjesë shteti përmes organizimit të seminareve edukues për bashkëshortët, të cilët janë në prag martese, në mënyrë që të njihen me objektivin e martesës, me mënyrën e të komunikuarit, me edukimin e fëmijëve, si të zgjedhin, si të martohen dhe si t’i trajtojnë problemet e ndërsjella familjare.
Përputhja shpirtërore
Nga pikëpamja shpirtërore Dr. Suzan Fajd, eksperte e parë e psikologjisë në Qendrën Kombëtare për Kërkime Sociale dhe Penale shprehet: “Ne duhet të trajtojmë dhe të sqarojmë normat e martesës së saktë dhe të suksesshme për t’u përballur me dështimet gjatë vitit të parë. Procesi i martesës fillimisht duhet të funksionojë mbi një metodikë të saktë dhe mbi një mendim të shëndoshë. Zgjedhja është një hyrje që të çon drejt rezultateve dhe nëse ajo është e shëndoshë, atëherë edhe rezultatet do të jenë të suksesshme.
Ajo konfirmon se vizioni shkencor duhet të jetë baza e përzgjedhjes dhe baza e parë është përputhja sociale, e cila sjell sukses në martesë, sepse midis dy bashkëshortëve nuk ka asnjë diferencë kulturore, sociale dhe as kontradikta dhe përplasje, ndërsa niveli i tyre ekonomik dhe social mes tyre është i arsyeshëm pa diferenca të thella. Në këtë mënyrë ekziston një proces i përputhjes shpirtërore midis dy bashkëshortëve përsa i përket tendencave dhe dëshirave. Në këtë mënyrë midis tyre nuk ka velitje dhe këtë ne e quajmë plotësim dhe jo njëllojshmëri. Kjo formë realizon përputhjen dhe komunikimin e përbashkët midis tyre.
Ajo shton se pengesat lidhen me institucionet e formimit social, siç është shtëpia, shkolla, media, institucionet fetare në lidhje me shpjegimin e saktë të martesës, sepse familja vuan që në zanafillë nga botëkuptimi i saktë i martesës, gjë për të cilën të sapomartuarit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për të, kur lidhen me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë ata nuk do të ndikohen nga tendencat emocionale dhe nga hamendja se martesa nuk është gjë tjetër veçse shëtitje, falsitet dhe një jetë aromatike.
Llastimi i tepruar:
Ajo bën me dije se përkëdhelja e tepruar e fëmijëve, plotësimi i gjithë dëshirave të tyre dhe largimi i tyre i plotë nga përgjegjësitë çon në dështimin e tyre, kur bëhet fjalë për të mbajtur mbi supe përgjegjësinë e tyre në martesës. Për këtë arsye duhet që fëmijët të ushtrohen në lidhje me përzgjedhjen dhe në mundësinë për të mbajtur përgjegjësi. Kjo është ajo që u mungon fëmijëve dhe familja këtu luan një rol të rëndësishëm, sepse është ajo që i kthen fëmijët në njerëz egoistë, që kanë frikë të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet bujarisë së tepruar dhe plotësimit të të gjitha kërkesave. Në këtë mënyrë ata nuk arrijnë të mbajnë përgjegjësitë e martesës dhe dështojnë që në fillim në këtë mision.
Ajo i kritikon institucionet arsimore, të cilat i përqendrojnë energjitë e tyre vetëm në edukatën seksuale, gjë e cila përfaqëson vetëm një anë të dimensioneve të shumta të martesës. Në këtë mënyrë ato duhet të edukojnë fëmijët edhe me anë të tjera të jetës martesore të suksesshme, siç është bashkëpunimi, sakrifica, vlera e një strukture të vetme, forca për të toleruar, këmbëngulja në vlerat brenda familjes, e cila funksionon mbi bazat e një marrëdhënieje të shëndoshë.
Ajo shton se divorci ndodh si pasojë e inatit, sfidimit dhe mungesës së tolerancës midis dy palëve dhe neglizhencës së anëve të tjera emocionale dhe vlerësimit të tepërt të vlerave materiale, të cilat shpeshherë janë ato përcaktueset në këtë lidhje. Por nëse parimeve islame i jepet vendi i duhur, atëherë kjo ndihmon në ndërtimin e një marrëdhënie të shëndoshë, përhap vlerat, ndihmon formimin e vërtetë të familjes dhe askush prej palëve nuk vendoset në pozicionin e gabuar.
Ajo shprehet se problemet e shoqërisë nuk përfaqësohen vetëm nga divorcet e hershme, por ato përfshijnë edhe tejkalimin e moshës së martesës dhe pengimin e të rinjve për t’u martuar, poligaminë me gra të njoma në moshë me burra që kanë moshën e babait apo të gjyshit, ose të ashtuquajturën kriza e mes-moshës. Të gjitha këto vijnë si pasojë e mungesës së ndërgjegjësimit dhe mungesës së kualifikimit të fëmijëve për të mbajtur përgjegjësi. Në këtë mënyrë duhet të rishihen politikat e këtyre institucioneve, në mënyrë që të marrin kahen pozitive dhe të luajnë rolin e ndihmëtarit të familjes.
Ajo bën të qartë se realiteti ku jetojmë nuk mund të shmanget dhe për këtë duhet që të dominojë dija, media dhe mësimdhënia fetare, të kthehemi tek Allahu i Lartësuar në raste problemesh, sepse këto që përmendëm thonë të vërtetën dhe mbajnë qëndrimin përfundimtar. Jeta martesore nuk duhet të mbarojë që në përplasjen e parë, por duhet që familja të vazhdojë dhe të kapet fort pas marrëdhënieve të mira bashkëshortore. Kjo tolerancë do të çojë në krijimin e një bagazhi tek bashkëshortët, bagazh i cili do të ketë peshë e vlerë, dhe do të çojë në përballimin e vështirësive, drejt tolerancës dhe mirëkuptimit.
Huda Sejid
Burimi: albislam.com