Dita e Tepricës

 

Dita e Tepricës

 

Pyetja:


Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Allahu azze ue xhel ju shpërbleftë me të mirat e Tij në të dy botët për punën tuaj të palodhshme në mbartjen e amanetit dhe përhapjen e fjalës së Allahut dhe fjalës së mirë. Duke lexuar librin “Udhërrëfyesi i shpirtrave drejt vendit të gëzimeve” nga Ibn Kajjim el Xheuzije hasa në hadithe të shumta që tregojnë për Ditën e Tepricës, Jeumul Mezid. Për këtë kam lexuar edhe më parë, por në librin e lartpërmendur kishte shumë hadithe mbi këtë ditë, që me siguri çdokush prej nesh ëndërron ta arrijë me dëshirën e Allahut azze ue xhel, e sidomos ata që kanë lexuar librin. Këtu do të sjell vetëm një hadith mbi këtë ditë, që edhe lexuesit të kenë një pasqyrë të vogël, të imët nga ajo ditë madhështore: ( faqja 357-358 )

“Na ka treguar Ebu Salih Abdurrahman …. nga Enes Ibn Maliku se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut salaAll-llahu alejhi selam të thotë: “Më erdhi Xhibrili dhe në pëllëmbën e tij si në një pasqyrë e bardhë, kishte një njollë të zezë. E pyeta: – Çfarë është kjo gjë në dorën tënde? Ai u përgjigj: – Kjo është xhumaja. E pyeta: – Çfarë është Xhumaja? Tha: – Ju në këtë ditë do të keni mirësi të shumta. E pyeta: – Çfarë do të kemi? Tha: – Ajo do të jetë festë për ty dhe për popullin tënd që do të vijë pas teje; ndërsa çifutët dhe krishterët do të të ndjekin me (ditë) të tjera. E pyeta: – Çfarë na takon neve prej kësaj dite? Tha: – Në këtë gjendet një orë në të cilën, nëse njeriu i lutet Allahut për diçka që i takon ta marrë, Ai do t’ia japë atë, e nëse nuk do të ketë pjesë, Allahu do ta ruajë atë në botën tjetër, pjesë e cila është më e madhe se e para . E pyeta?- Çfarë është kjo njollë në të? Tha: – Kjo është ora, kur ne do t’i lutemi Atij Ditën e Tepricës. E pyeta?- Çfarë është kjo orë, o Xhibril? Tha: “Allahu ka zgjedhur nga Xheneti një luginë të mbushur me duna misku dhe kur të jetë dita e Xhuma, Ai subhanehu we Te a’ela do të zbresë nga Ilijjini dhe do të qëndrojë mbi karrigen (Kursijen) e Tij. Karrigia e Tij do të rrethohet me karrige të tjera prej drite. Më pas do të vijnë Pejgamberët, të cilët do të ulen mbi këto karrige. Karriget do të rrethohen me minbera prej drite dhe prej ari, të zbukuruara me xhevahire. Më pas do të vijnë njerëzit e vërtetë dhe dëshmorët, të cilët do të ulen mbi ato minberë. Më pas banorët do të zbresin prej dhomave të tyre, të cilët do të ulen mbi ato duna misku. Pastaj Allahu Tebareke we te a’ela do të zbulohet për ta dhe do të thotë: ” Unë jam Ai që ka mbajtur premtimin e dhënë për ju, që kam plotësuar mirësinë Time mbi ju dhe ky është vendi i Bujarisë Sime. Lutuni dhe kërkoni.” Ata do t’i luten Atij, derisa të mbarojnë dëshirat e tyre dhe do t’u shfaqet para syve një vend, ku ka gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk i ka shkuar nëpër zemër dikujt më parë. Kjo do të vazhdojë sa kohëzgjatja e largimit të tyre nga xhumaja. Më pas Allahu azze ue xhel do të qëndrojë mbi karrigen e Tij dhe bashkë me të do të qëndrojnë Pejgamberët dhe njerëzit e vërtetë (në vendet e tyre). Banorët do të kthehen nëpër dhomat e tyre, të cilat janë prej perle të bardhë, prej berili të gjelbër dhe margaritari të kuq. Të tilla do të jenë dhomat, dyert. Atje lumenjtë kanë rrjedhje të rregullt. Atje ka gra, shërbëtore dhe frutat janë të varura. Atje nuk do të ketë nevojë më të madhe për ta, sesa dita e Xhuma, për të parë sërish Zotin e tyre dhe për t’u nderuar sërish prej Tij.” Për vërtetësinë e hadithit Ibën Kajimi në vazhdim thotë: “Ky është një hadith i gjatë dhe me rëndësi të jashtëzakonshme. Atë e kanë transmetuar dhe pranuar imamët e Sunetit. Gjithashtu këtë hadith e ka transmetuar edhe Ibrahim ibn Muhamedi nga Musa Ibn Ubejde, e ky nga Ebu Ez’heri, e ky nga Abdullah Ibn Umeri, që ka dëgjuar Enesin dhe ka përmendur hadithin me tekstin e lartpërmendur.

Tash të kthehemi pas në realitetin tonë nga ky udhëtim shumë i bukur duke lutur të Lartmadhëruarin të na mundësojë edhe neve t’i përjetojmë këto momente dhe t’i kthehem pyetjes që del nga dhe në lidhje me këtë hadith:

-Kush do të jenë ata që janë më afër Zotit pas Pejgamberëve? Aty thuhet të mirët, por kush janë ata, a do të mundeni të cekni disa prej tyre?

-Cilët njerëz janë që do të shohin Allahun azze ue xhel në mëngjes dhe mbrëmje?

-Ku do të jenë gratë; a do të munden edhe ato të qëndrojnë atë ditë në Ditën e Tepricës duke u kënaqur me shikimin e Allahut më të Lartit në ato podiume prej drite, pasi në fund të haditheve mbi këtë ditë thuhet: “Dhe ato kthehen në shtëpitë e tyre ku gratë u thonë qenkeni zbukuruar edhe më tepër. Burrat ua kthejnë duke u thënë: Edhe juve u është shtuar bukuria.”

Inshallah jam e qartë në pyetjet e mia. Mbeteni të përshëndetur me përshëndetje nga zemra dhe me respekt. Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!


Përgjigje:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit! Pjesa që keni shkëputur është nga libri “Udhërrëfyesi i shpirtrave drejt vendit të gëzimeve” nga Ibn Kajjim el Xheuzije. Në këtë pjesë tregohet për gjendjen e xhenetlinjve dhe për mirësitë me të cilat do të begatohen. Ndërsa në lidhje me sqarimet që kërkoni, do të mundohemi të japim shpjegime për secilin radhazi.

-Kush do të jenë ata që janë më afër Zotit pas Pejgamberëve? Aty thuhet të mirët, por kush janë ata a do të mundeni të cekni disa prej tyre?

Njerëzit e vërtetë ose të mirë, që është përmendur në këtë pjesë të shkëputur nga libri, është përkthim i fjalës “Sidikinët”-“të sinqertët”. Këta njerëz të mirë me këtë term përmenden edhe në Kuranin Fisnik, kur Allahu i Madhëruar thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët (sidikinët), me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa, 69)

Ndërsa rreth asaj se me këtë epitet kush është për qëllim konkretisht, themi se termi kuranor i përdorur për epitetin “i sinqertë”, është fjala “siddîk”. Ajo nënkupton ata ndjekës të denjë të Profetëve, të cilët ishin më të parët që u besuan atyre. Sikurse havarijunët e Isait alejhi selam dhe sahabët e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Kjo është grada më e lartë që një besimtar mund të arrijë. Cilët njerëz janë që do të shohin Allahun azze we xhel në mëngjes dhe mbrëmje? Banorët e Xhenetit do të jenë ata të cilët do ta shikojnë Zotin atyre dhe kjo është begatia dhe kënaqësia më e madhe që do të përjetojë besimtari. Citatet që vërtetojnë shikimin e Allahut në xhenet janë të përgjithshme dhe në të hyjnë të gjithë banorët e xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë. Dhe Zotin e tyre do të shohin. Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta, duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes.” Gjithashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Ju do ta shihni me të vërtetë Zotin tuaj ashtu siç shihni këtë Hënë.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)

Ky citat është i përgjithshëm dhe në të hyjnë të gjithë banorët e xhenetit, madje edhe mëkatarët. 

-Ku do të jenë gratë; a do të munden edhe ato të qëndrojnë atë ditë në Ditën e Tepricës duke u kënaqur me shikimin e Allahut më të Lartit në ato podiume prej drite; pasi në fund të haditheve mbi këtë ditë mund të kuptohet se është vetëm për burra. 

Nuk kemi ndonjë argumentim se kjo është vetëm specifikë e burrave, pasi hadithet të cilat flasin për këtë janë të përgjithshme dhe në të hyjnë edhe burrat edhe gratë ashtu si sqaruam më lart. Allahu e di më së miri! 


Alaudin Abazi

Burimi: http://www.klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com

 

Must Read