Imam Shafi’iu mbi rëndësinë e të mësuarit të mjekësisë
Imam Dhehebiu shkruan në Et-Tib En-Nebevi (Dâr Ihjâ’ul-‘Ulûm, Bejrut, fq. 228-229):
Kapitulli: Lidhur me inkurajimin e mësimit të mjekësisë
Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë Allahu nuk ka zbritur sëmundje, veçse ka zbritur edhe ilaçin e saj.” tashmë ka paraprirë. Ne themi: Ky (hadith) e bën të nevojshëm mobilizimin, shqetësimin dhe nxitjen e përcaktimit të njerëzve për të mësuar mjekësinë. Tashmë ka paraprirë (tek dijetarët) se mjekësia është një aftësi. Imam Shafi’iu ka thënë: “Nuk di për ndonjë dituri më fisnike -pas hallallit dhe haramit- se mjekësia.” Ai ishte i shqetësuar (dhe hidhëruar) mbi atë çfarë muslimanët kishin lënë pas dore nga mjekësia dhe thoshte: “Ata kanë lënë pas dore një të tretën e dijes dhe ia kanë besuar atë çifutëve dhe të krishterëve.” Dhe thoshte: “Vërtët Ithtarët e Librit na kanë dominuar sa i përket mjekësisë.” Imam Shafi’iu, përkitazi madhështisë së tij në njohjen e Sheriatit dhe aftësive të mëdha në gjuhën arabe, ishte gjithashtu mendje-mprehtë në mjekësi. Autori (dmth. Dhehebiu) thotë: Unë e kam parë hoxhën tonë, Shejh Ibrahim Err-Rrakij, të jetë mendje-mprehtë në mjekësi. Gjithashtu edhe hoxhën tonë, Shejh Tekiud-Din Ibn Tejmijje dhe Shejh Imadud-Din El-Vasiti (Allahu i mëshirofte, qenë mendje-mprehtë në mjekësi). Hipokrati dhe të tjerë kanë thënë: “Mjekësia është e frymëzuar nga Zoti”, e, Hipokrati është prijatar në këtë disiplinë. Shkolla e tij e të menduarit në lidhje me mjekësinë, është shkollë e shëndoshë dhe e saktë e të menduarit. Ai u pasua nga Galeni, i cili po ashtu është shkencëtar kryesor i kësaj disipline dhe që të dy respektohen shumë nga ana e mjekëve.
Ka disa përfitime të mira nga ky citim, prej tyre:
-Që një musliman duhet të përpiqet ta edukojë veten lidhur me atë në të cilën mbështetet shëndeti dhe mirëqenia e tij dhe të jetë i njohur me bazat e mjekësisë. Një pikë e mrekullueshmë për të filliuar këtë është nxënia e njohurive themelore mbi biokiminë dhe mbi të ushqyerit. Këto duhet të bëhen e njohuri të zakonshme.
-Që dijetarët e mëdhenj të Islamit ishin mendje-mprehtë dhe të dijshëm mbi mjekësinë, prej tyre Aishja (radiallahu anha), Imam Shafi’iu, Ibn Tejmije dhe të tjerë.
-Që ka pasur nga dijetarët muslimanë, të cilët kanë qenë të hidhëruar për faktin se muslimanët nuk ishin prijatarë të mjekësisë dhe se ia kishin lënë këtë disiplinë të tjerëve, duke u mbështetur në ta në lidhje me to.
-Që dijetarët muslimanë pranojnë se medhhebi (shkolla e mendimit) i saktë dhe i shëndoshë në lidhje me mjekësi (në bazat e saj themelore) mund të gjendet në mësimet e Hipokratit dhe Galenit.
-Vazhdim i pikës së fundit; që parimi kryesor i mjekësisë themelohet mbi ushqim dhe stil të shëndetshëm të jetesës, siç thotë fjala “ushqimi është mjekësi dhe mjekësia është ushqim.” Lloji i dietës dhe jetesës së dikujt, gjithashtu përcakton llojin dhe natyrën e sëmundjeve që ai iu dorëzohet. Jetë të thjeshtë natyrale, dieta të shëndosha (që ofrojnë ushqim të shëndetshëm), që i përshtaten vendit dhe mjedisit, çojnë në sëmundje të thjeshta, të cilat janë jetëshkurtër e shërohen me lehtësi dhe mund të trajtohen me ilaçet më të thjeshta (natyrore).
Dietat e ndërlikuara, të përbëra nga ushqimet e përpunuara -çfarë në të vërtetë edhe nuk mund të quhet ushqim-, që nuk sigurojnë lëndët e kërkuara ushqyese për të cilat trupi ka nevojë në mënyrë që të funksionojë siç duhet në nivelin biokimik, çojnë në sëmundje (afat-gjate) kronike të ndërlikuara, të cilat kërkojnë ndërhyrje të ndërlikuara. Përkujdesja në dietë, është themeli i gjithë mjekësisë dhe, kjo është ajo që të gjitha kombet, civilizimet dhe kulturat kanë pohuar (përmes shekujve të përvojës), dhe secila prej tyre i ka zhvilluar format e veta të mjekësisë natyrale mbi këtë themel bazë.
Përshtati: Driton A. Xhezairi
Referenca: www.healthymuslim.com
Burimi; www.islamifejaevertete.com