LIDHSHMËRIA NDËRMJET AKIDES DHE DAVETIT
SA’D EL GANNAM
Biseda rreth davetit është bisedë e gjerë, e degëzuar, sepse në të gjurmojmë rrugën e Musatafasë, sal-lallahu alejhi ue selem, në punën kryesore rreth të cilës angazhohej-udhëzimi i njerëzve drejt hairit. Shumë njerëz pretendojnë se e ndjekin traditën profetike edhe në imtësitë me të vogla. Të njëjtët, kur bisedohet për lëvizjet e tij brenda shoqërisë me qëllim të davetit, për brengën e tij kryesore që sa më tepër njerëz të përqafojnë Islamin, për takimet e tij me fise të ndryshme, janë larg asaj që duhet ditur dhe praktikuar.
Ajo që më së shumti na intereson është të nënvizojmë lidhjen e fortë mes akidës dhe besimit. Me shembuj konkretë do të mundohemi të forcojmë këtë lidhje mes këtyre dy çështjeve që janë boshtet e angazhimit të muslimanëve.
Fillimisht fjala akide ashtu si kuptohet nga gjuha arabe e ka kuptimin lidhje dhe shtërngim.
Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim.” (El Maide, 89)
“O besimtarë! Plotësoni detyrimet!” (El Maide, 1) në të dy ajetet përmenden fjalët që kanë për rrënjë foljen akade që dmth. diçka e lidhur dhe e shtrënguar fortë
Si ka mundësi që një njeri të fillon me davet nëse besimi I tij nuk është vendosur dhe forcuar dukshëm në zemrën e tij.
Daveti edhe pse në esencë është nderim dhe përzgjedhje në të njëjtën kohë ai është ngarkim me obligime të cilët nuk i zbaton dot ai që nuk është edukuar me edukatë që ka rrënjosur fortë besimin në zemrën e njeriut.
Allahu, subhanehu ue te’ala, pasi urdhëron namazin e natës thotë:
“Sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë.” (El Muzzemmil, 5)
Ja një rast i mirë që të kujtojmë një nga udhëtimet e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, me qëllim të davetit. Në betejën e Uhudit dolën në shesh qëndrimet burrërore të atyre me besim të fortë. E njëjta betejë tregon se si vjen dështimi dhe humbja atëherë kur dobësohet besimi (akideja)
Ibn Tejmijje, duke e përshkruar momentin e kthimit të kokës së mynafikëve, Abdullah ibn Ubejj thotë: Me të u mashtruan shumë njerëz, madje kishte edhe të tillë që më herët nuk kishin shfaqur nifak. Këta ishin muslimanë dhe imani i tyre ishte dreitë ashtu si tregohet në shembull. Po të kishin vdekur para sprovës do të vdisnin si muslimanë.
Pra rruga e davetit është rrugë e gjatë e cila kërkon besim të thellë dhe përgatitje për vështirësi.
Nëse thirrësi nuk e ka të qartë akidën e tij atëherë në çfarë do ti thirr njerëzit. A do ti thërret në çështje të paqarta të imagjinuara, në çështje që janë kontradiktore?!
Sa bukur ka thënë Allahu, xhel-le she’nuhu: Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë.”(Jusuf, 108)
Për këtë shkak i Dërguari i Allahut, kur e dërgoi Muadhin çështjet i renditi sipas asaj që është më e rëndësishme duke filluar me dëshminë se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
Kjo renditje sipas parimeve fetare rezulton me pranim të thirrjes dhe me punë në pajtim me ligjet dhe dispozitat fetare. Besimi është sikur rrënjët e pemës ndërsa puna është trungu, degët dhe gjethet e drurit. Sa më të thella rrënjët aq më e fuqishme rritja.
Për këtë shkak Kurani bën lidhjen mes rrënjëve të besimit dhe praktikës së dispozitave fetare.
Allahu, subhanehu ue te’ala thotë: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen në një Ditë të madhe.” (El Mutaffifin, 1-5)
Nga ajeti mësuam se nuk mundet të arrihet kontrolli i sjelljes pa e ndier ndonjë çështje të rëndësishme të besimit si ringjallja.
Shiko se çfarë shkroi Ibn Kajjimi në Zadul Mead kur foli për agjërimin:
“Obligimi me agjërim u vonua deri ka mesi i misionit të Muhammedit, sal-lallahu alejhi ue selem, sepse largimi i njerëzve nga gjërat që i pëlqejnë është e vështirë. Por pasi u vendos teuhidi në zemrat dhe pasi u stabilizua akideja erdhi obligimi i agjërimit.”
Në ajetet e Kuranit që kanë të bëjnë me periudhën Mekase dominon ngjyra e akaidit, besimit, teuhidit ndërsa në ajetet e periudhës Medinase kemi të bëjmë me dominim të ajeteve legjislative-dmth. dispozita praktike pasi është rrënjosur besimi.
Thirrja e njerëzve në çështje dytësore, me rëndësinë që e kanë, para se të rikujtohen çështjet e akidës është sikur të lëvrosh ujin ose të mbjellësh në ajër.
Kujtimi i akidës e rehaton thirrësin nga shumë çështje që e brengosin. Është mërzitur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selam, deri sa i erdhi ajeti: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?” (El Kehf, 6)
Allahu qartë thotë se udhëzimi është në dorë të Tij ndërsa ne kemi obligim vetëm të thërrasim në Islam dhe të publikojmë atë që besojmë.
Detyra jote është sikur detyra e gjithëve ta kumtosh Islamin, në mënyrën më të qartë me metodë e cila afron dhe nuk largon ndërsa çështja e zemrave është në dorë të Krijuesit, subhanehu ue te’ala.
Këto ishin disa aspekte të lidhjes mes akides dhe davetit edhe pse ka edhe shumë tjera. Suksesi ynë varet prej Allahut, Atë e lusim të na e bëjë të dashur imanin dhe të mos lejojë që zemrat tona të shmangen nga e vërteta. Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve.
Përktheu: M-r. Talha Kurtishi
Referenca: http://www.albislam.com