Kushtet për vlefshmërinë e namazit
-Nuk bën të jesh xhunub – i (e) pa-pastruar nga përjetimi seksual ose (vlen vetëm për femrat) e pa-pastruar nga periudha mujore. Që të pastrohesh, duhet ta lash tërë trupin.
-Nuk bën ta kesh kryer nevojën (qoftë të madhen ose të voglën) dhe të mos e kesh larë vendin me ujë. Nëse je stërpikur (ndotur) me nevojë, duhet ta lash teshën ose të veshish tjetër.
-Namazi nuk vlen pa marrë abdest. Abdesti merret kështu: Duke patur për qëllim marrjen e abdestit, thua Bismil-lah dhe i lan nga tre herë: duart, gojën, hundën, fytyrën, krahët deri në bërryl, i fërkon me dorë të lagët flokët dhe veshët, dhe i lan këmbët deri te nyjet. (Gjatë larjes së gjymtyrëve binjake si duart dhe këmbët, së pari ia nis duke larë gjymtyrën e djathtë.)
-Me një abdest mund të falen disa namaze, ndërsa abdestin e prishin kryerja e nevojës, lëshuarja e gazit, gjumi, etj.
-Gjatë faljes mashkulli duhet ta ketë të mbuluar trupin së paku prej kërthizës deri te gjunjët, ndërsa femra duhet ta mbulojë tërë trupin, pos fytyrës dhe duarve.
-Para se ta fillosh faljen, kthehesh kah Kabja dhe vendosesh para ndonjë sutre (sutre mund të jetë muri, druri, shpina e njeriut, guri pak më i madh ose ndonjë objekt tjetër jo i gjallë).
-Gjatë faljes ndalohet të folurit, të qeshurit, të shikuarit lartë ose anash dhe e gjithë kjo ka për qëllim koncentrimin sa më të madh të falësit, sepse ai vendos kontakt me Krijuesin e tij, i Cili meriton lavd-falënderim dhe frikërespekt të denjë.
-Para se të fillosh faljen, duhet të kesh për qëllim faljen e kohës së caktuar. Nëse të ndodh që ta falish ikindinë, ndërsa për qëllim ke patur faljen e drekës, duhet ta përsërisish namazin.
-Namazin e falë në kohën e vetë.
Marrë nga “Falja e namazit për fillestarë” – http://www.faljaenamazit.com