BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeA dihet saktë nata e Kadrit ?

A dihet saktë nata e Kadrit ?

A dihet saktë nata e Kadrit ?

A dihet saktë nata e madhe e Kadrit në muajin e shenjtë të Ramazanit?

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ajo që konsiderohet e saktë në këtë çështje është se nuk dihet saktë në formë të prerë se cila natë është e Kadrit.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fillim e ka ditur se cila natë është e Kadrit, por pastaj për shkak të urtësive që i di Allahu i Lartësuar e bëri që ai ta harrojë atë natë.

Në një hadith të saktë që gjendet në koleksionin e Buhariut transmetohet se Ubade bin Samit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Me një rast i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) del të na tregojë për natën e Kadrit, por ai takon dy nga muslimanët duke u ngatërruar dhe grindur, pastaj thotë: “Kam dal t’ju tregoj për natën e Kadrit (se kur është) por u grindën filani e filani dhe u ngrit kjo dituri, është e mundur që kjo të jetë për të mirën tuaj, prandaj kërkojeni atë në ditët njëzet e nëntë, njëzet e shtatë, dhe njëzet e pesë.”

Ekziston edhe një hadith ku këshillohet muslimani ta kërkojë atë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, pasi edhe Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) gjatë këtyre netëve e shpeshtonte adhurimin dhe hynte në itikaf.

Prandaj themi se kjo natë është njëra nga dhjetë netët e fundit të muajit, më e sakta është se kjo natë është njëra nga netët tek, pra e njëzet e një, njëzet e tre, njëzet e pesë, etj.

Kurse më mundshmja është se ajo është nata e njëzet e shtatë, këtë mendim e kanë një numër i sahabëve dhe dijetarëve.

Sido që të jetë, është më e saktë dhe mirë që ne ta pasojmë këshillën dhe vetë praktikën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) pasi ai na këshilloi ta kërkojmë gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit dhe ai vetë e shpeshtonte adhurimin gjatë këtyre netëve, ashtu si u përmend më lartë.

Allahu e di më së miri, por është e mundur se shkaku i fshehjes së kësaj nate është që muslimanët mos të mbështeten me adhurime vetëm këtë nate dhe t`i kalojnë netët tjera, por ata ta japin mundin gjatë këtyre dhjetë ditëve dhe kush është i sinqertë, serioz dhe e jep mundin në kërkimin e saj, ta arrij atë dhe të shpërblehet për të. Allahu e di më së miri.

Hoxhë Alaudin Abazi

Must Read