BallinaARTIKUJHistori dhe TregimeA e keni ditur se kush janë dy mëkatet e para dhe...

A e keni ditur se kush janë dy mëkatet e para dhe kush janë autorët e tyre?!

Meditim! Dy mëkate
A e keni ditur se kush janë dy mëkatet e para dhe kush janë autorët e tyre?
Ato janë dy mëkate që bënë histori, ato dy mëkate që ndryshuan qasjen e pronarëve të tyre dhe gjithë njerëzimit, ato dy mëkate i bënë dy krijesa të veçanta të Allahut, të cilat për shkak tyre, u bënë edhe më të veçanta. Ato dy mëkate shkaktuan pasojat e para.
Ato janë dy mëkate të ndryshme, me rezultate të ndryshme.
I pari ishte mëkati i Iblisit që kundërshtoi urdhrin e Allahut për sexhde Ademit a.s. Mëkat ky që llogaritet i pari dhe që ia ndryshoi atij jetën dhe statusin.
Mëkat ky i shkaktuar qëllimisht nga mendjemadhësia, zilia dhe inati.
Mëkat ky që KURRË nuk u kërkua falje për të, e hapi derën e gjithë mëkateve tjera, vendosi qëndrimin e pronarit dhe pasuesëve të tij përgjithmonë në zjarr.
Pronari i këtij mëkati u dëbua nga xheneti si ndëshkim për të, por pastaj ai, megjithatë, bëri një dua, e cila njihet si duaja e parë e pranuar. Ai, Iblisi, jo që nuk u pendua e të ndalej nga mëkatet tutje, por kërkoi afat deri në Ditën e Kijametit, me qëllim të mashtrimit sa më të madh të krijesave të Zotit, nga zilia e tij….

Kurse mëkati i dytë, ishte ai mëkat që i ndodhi njeriut të parë, Ademit a.s. i shkaktuar nga dredhitë e Iblisit. Ai ishte mëkat që ndodhi gabimisht, nga joshja djallëzore, me stilin diplomatik, përmes këshillave cinike.
Ai ishte mëkat që Ademi a.s. e bëri duke shijuar pemën e ndaluar, me qëllim të mirë, por që ia ndryshoi jetën. Ademi a.s. u bë mëkatari dhe i penduari i parë nga njerëzit, ai ishte i pari që përjetoi rezultatin e hidhët të mëkatit, largimin e përkohshëm nga xheneti.
Për dallim nga shembulli i parë, Ademi a.s. shpejtoi në pranim të fajit, në pendim dhe kërkim falje, që iu pranua menjëherë.
Këto dy mëkate dhe pasojat e tyre, u regjistruan dhe ruhen mirë deri në Ditën e Kijametit, për të qenë mostër, mësim dhe këshillë për gjithë njerëzit.
Nuk është e lehtë për ne ta lexojmë shumë herë gabimin e Ademit a.s. në Kuran, edhe pse Allahu ia fali, ai prap mbeti aty, si mësim për ne.
Andaj vëlla e motër nga cila kategori dëshiron me qenë, nga tabori i Iblisit, që mëkatoi e nuk deshi të kthehet asnjëherë, apo nga tabori i Ademit a.s. i cili ndjeu keqardhje të madhe dhe u pendua, sëbashku me bashkëshorten e tij.
-Ademi me Haven, kërkuan falje qysh nga fillimi i jetës së kësaj bote, për një mëkat, që ne sot nuk e konsiderojmë asgjë, por i cili do të lexohet në Kuran përgjithmonë:
“Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!” El-A’raf:23.
Për dallim nga lutja e parë e Iblisit që ishte dëshirë për të vazhduar me të keqen, lutja e parë e njerëzve të mirë (Ademit e Havës) ishte për kërkim-falje.
Kujdes mëkatet, nuk ka lojë me to, mos nënçmo asnjë prej tyre, sa do të vogël qofshin ato, e kanë një kuptim: kundërshtimin e Allahut.
Edhe gabimi i Ademit në syrin tonë duket shumë i vogël, por ia humbi xhenetin.
E çfarë të themi ne për mëkatet tona!!!
Zot na fal!

Hoxhë Fazli Bunjaku

Must Read