A lejohet urimi i Vitit të Ri Hixhri?
Lavd-falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve ndërsa lavdërimi dhe paqja qoftë mbi vulën e lajmëtarëve dhe të pejgambereve.
Urimi bëhet në disa situata:
1. Ose për atë që e gëzojnë myslimanin nga gjërat e lejuara që i ndodhin, sikurse shtimi i një mirësie, largimi i një fatkeqësie, urimi i martesës, urimi i të porsalindurit, urimi i suksesit në punë a shkollë apo rastësi tjera të ngjashme që nuk lidhen ngushtë me ndonjë kohë të caktuar. Urimi në kësi raste është pjesë e traditës që nuk prishë gjë, madje uruesi në asi raste ndoshta shpërblehet për gëzimin që futë te vëllai musliman. Meqë gjërat e lejuara – siç thotë shejhul islam Ibën Tejmije – “me nijet të pastër bëhen të mira dhe me nijet të ndyrë bëhen të këqija”. Pra, këto urime janë midis të lejuarës (mubah) dhe të pëlqyerës (mustehab).
2. Ose bëhet në kohë të veçuara, sikurse bajramet, vitet, muajt apo ditët. Këtu duhet sqarim.
Sa i përket bajrameve – fitër bajramit dhe kurban bajramit – është e qartë se nuk është problem, sepse është vërtetuar urimi që kanë bërë nga një numër sahabesh.
Kurse sa i përket viteve, siç është urimi i vitit të ri Hixhri; muajve, siç është urimi për ardhjen e Ramazanit, kjo e fundit ka mbështetje megjithëse mospajtimi (hilafi) i dijetarëve është i njohur; ditëve, siç është urimi për ditën e lindjes së Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, për ditën e Israsë dhe Miraxhit etj. – dispozita për këto është e njohur, se ato janë bidate meqë kanë të bëjnë me raste (ndodhi) fetare të shpikura. Për të gjitha këto urime – me përjashtim të parës – nuk është vërtetuar asgjë nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, as nga shokët e tij dhe as nga dikush prej gjeneratave të para. Shkaqet për tu bërë urimet e atilla u gjetën në kohën e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe në kohën e shokëve të tij dhe asgjë nuk i pengonte të bëjnë ndonjë nga urimet e atilla, megjithatë nuk përcillet se ndonjëri nga ata ka bërë diç nga ato, ata u mjaftuan me urimin e dy bajrameve veç.
Lidhur me urimin e ditës së parë të vitit të ri Hixhri, dijetarët janë ndarë në dy mendime:
Mendimi i parë: Lejohet sepse është pjesë e traditës. Prej tyre është Muhamed ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, që ka thënë: “Mendoj se të fillosh urimin e ardhjes së vitit të ri nuk prishë gjë, mirëpo nuk është e ligjëruar d.m.th. nuk u themi njerëzve: Pëlqehet t’ia uroni njëri-tjetrit. Mirëpo nëse e urojnë nuk prishë gjë. Është e udhës që nëse ia uron dikush vitin e ri dhe e lutë Allahun që të jetë vit mirësie dhe bereqeti, njeriu t’ia kthejë urimin. Ky është mendimi im për këtë çështje, sepse kjo bën pjesë në traditë dhe jo në adhurime”. (Likaul Babil Meftuh). Ai, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu në një rast tjetër shprehet ndryshe: “Nëse dikush ta uron përgjigju urimit por ti mos e fillo. Kjo është e sakta në këtë çështje. Pra, nëse dikush të thotë p.sh.: Ta urojmë vitin e ri Hixhri, ti përgjigju: Allahu të dhëntë të mira dhe e bëftë vit mirësie dhe bereqeti. Mirëpo, mos e fillo ti sepse unë nuk di që ndonjëri nga gjeneratat e para uronte vitin e ri Hixhri, pastaj ju kujtoj se data 1 Muharem nuk shënonte vitin e ri tek ata, përveçse në kalifatin e Omer ibën Hatabit, radijallahu anhu”. Në librin “Ed Dijau Lamië” fq. 702 ka thënë: “Nuk është sunet shpikja e një feste që shënon hyrjen e vitit të ri Hixhri apo t’i bëjmë zakon urimet kur ai vjen”.
Disa, lidhur me lejimin e këtij veprimi kanë sjellë fjalë të pa studiuara nga el-Kamuli, Sujutiu (dijetarë të vonshëm shafij) dhe Ebul Hasen Mekdisiu (dijetar hanbelij) mirëpo nuk do t’i përmendi nga frika e zgjatjes.
Mendimi i dytë: Ndalohet rreptësisht dhe ky është mendimi më i vërtetë. Këtë mendim e përkrahë dijetari Salih el-Feuzan, i cili kur u pyet për urimin e vitit të ri Hixhri u përgjigj: “Nuk di të ketë ndonjë mbështetje urimi i kësaj feste. Me kalendarin Hixhri nuk synohet kjo, që fundi i vitit të bëhet festë, të gjallërohet dhe atë ditë të ketë biseda, festë dhe urime. Kalendari Hixhri u bë me të vetmin qëllim: njohja e kohës. Atë e bëri Omeri radijallahu anhu, kur u zgjerua kalifati gjatë kohës së tij dhe filluan t’i vijnë letra pa datë, prandaj kishte nevojë të vejë një kalendar me çka do të shënohen letrat dhe shkrimet. Për këtë i konsultoi sahabet dhe ata i dhanë mendimin që Shpërnguljen (Hixhretin) ta bëjnë fillim të kalendarit Hixhri. Nuk e deshën kalendarin gregorian edhe pse ishte i pranishëm atëbotë. Ashtu që, morën si bazë Shpërnguljen dhe e bënë fillim të kalendarit të muslimanëve vetëm për shkak të njohjes së dokumenteve dhe letrave, jo me qëllim që të bëhet ditë e dalluar ku do të bisedohet. Ajo radhitet tek bidatet. Pyetje: Nëse një person më thotë: “Ardhtë çdo vit dhe ju gjettë në mirësi”, a është e ligjëruar kjo fjalë në këto ditë? Përgjigje: Nuk është e ligjëruar dhe nuk lejohet.” (el Ixhabat elmuhimme fil meshakilil mulimme fq.229).
Ai që vëren këtë çështje, do ta gjejë se mendimi që e ndalon urimin ndihmohet nga disa aspekte:
a. ai është një urim i një dite të veçuar gjatë vitit që përsëritet çdo vit. Ky urim atë e bën festë, ndërsa ne jemi ndaluar të kemi festë tjetër përveç dy bajrameve. Nga ky aspekt pra ndalohet urimi.
b. me këtë urim ne u ngjajmë çifutëve dhe të krishterëve ndërsa jemi urdhëruar të jemi ndryshe nga ata. Çifutët urojnë njëri-tjetrin me fillimin e vitit hebraik, i cili është në muajin Tetor dhe ai është muaji i parë tek hebrenjtë, atë ditë e kanë të ndaluar punën ashtu siç e kanë ditën e shtunë. Kurse të krishterët urojnë njëri-tjetrin me fillimin e vitit gregorian.
c. në këtë urim ka ngjasim me zjarrputistët dhe politeistët arabë. Zjarrputistët urojnë njëri-tjetrin në festën e Nevruzit, e cila është dita e parë e vitit tek ata. Nevruz d.m.th. dita e re. Kurse arabët gjatë injorancës i uronin mbretërve të tyre në ditën e parë të muajit Muharem. Këtë e ka përmendur El-Kazuini në librin “Axhaibul Mahlukat – Çudirat e krijesave”. Gjithashtu shih librin “El A’jad ue etheruha alel muslimin – Festat dhe pasojat e saj te muslimanët” nga Dr. Sulejman Suhajmi.
ç. Të thuash se lejohet, ky urim ka pasojat e saja. Do të shtohen sms-të, kartelat festive, urimet në gazeta dhe media në përgjithësi. Madje, ndoshta do t’i bashkëngjiten vizita të posaçme për urime, manifestime dhe pushime zyrtare siç edhe ndodhë në disa vende. Ai që e lejon këtë urim dhe e numëron si traditë, nuk do të gjejë pastaj asnjë argument për t’i ndaluar njerëzit nga kjo kur të bëhet zakon. Prandaj, e udhës është mbyllja e këtij shtegu.
d. Urimi i vitit të ri Hixhri, në realitet nuk ka asnjë kuptim, sepse në thelb urimi nënkupton shtimin e mirësive apo largimin e fatkeqësive. Çfarë mirësie u fitua me mbarimin e vitit? Më parësore do të ishte të mendojmë rreth asaj se jeta po na harxhohet dhe exheli po afrohet. Është çudi muslimanët t’ia urojnë njëri-tjetrit vitin e sosur ndërsa armiku po okupon tokat, po vret vëllezërit dhe po grabitë pasuritë! Çka po i urojnë vetvetes?!
Sipas kësaj që u tha, mendimi se ky urim ndalohet është më parësor dhe më i drejtë. Nëse dikush ta uron, më e udhës do të ishte ta këshillosh dhe ta mësosh atë, sepse nëse ia kthen shpreh pajtimin me të. Ai që këtë e krahason me përshëndetjen e zakonshme ka bërë krahasim të gabuar!
Mirëpo, pasi çështja është ixhtihadije, nuk është mirë të ashpërsohet qortimi, sepse nuk është i drejtë qortimi në meselet ixhtihadije.
Allahu e di më së miri. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Alevij AbdulKadir Sekaf
Përktheu: Omer B.
Burimi: http://albislam.com