BallinaAKIDEBidatiAgjërimi i Ashures tek Shiat e devijuar

Agjërimi i Ashures tek Shiat e devijuar

Agjërimi i Ashures tek Shiat

 

Bismilahi Rrahmani Rrahim!

 

Thuhet se Isai alejhi selam ka thënë: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t`ju masin të tjerët. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t`i thuash vëllait tënd: “Dale të të heq lëmishten nga syri”, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd. (Mateu 7:1-5)

Pak rëndësi ka nëse e ka thënë Isai alejhi selam këtë apo jo. Këto fjali në vetvete mbartin urtësi kushdo qoftë thënës i tyre. Nëpërmjet këtyre fjalëve unë doja t’u tregoja një mësim të mirë këtyre njerëzve të çuditshëm, këtyre shiave të cilët nuk lënë metodë pa zgjedhur për të përligjur bidatet e tyre të shëmtuara. Po ç’është më e keqe duan të zhvlerësojnë një normë të fesë, siç është agjërimi i ditës së Ashures duke u argumentuar nga librat e të krishterëve dhe të çifutëve! Do t’i këshilloja që para se t’ia fillonin kësaj pune t’i hidhnin një sy rreshtave të më sipërm, sepse ndoshta një nga gjërat që mund të përfitosh nga librat e tyre është pikërisht urtësia e mësipërme!

Në një material që u postua këtu u tentua të hidhet pluhur mbi vërtetësinë e haditheve sunnite që flasin për ligjërimin e agjërimit të ditës së Ashures në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem!).

Metoda objektive islame me të cilën dijetarët islam operojnë prej shekujsh me hadithet është ajo që quhet ‘nakd err-rriuajat’ (kritika e transmetimeve) dhe jo aludimet që nxirren nga librat e të krishterëve, çifutëve apo ateistëve! Shkenca e hadithit tek sunnijtë është zhvilluar në mënyrë të atillë saqë ai që e njeh apo e studion atë do të mahnitet me metodat tepër të kualifikuara dhe origjinale që dijetarët e hershëm të Islamit kanë ndjekur për ruajtjen e Sunnetit. Me mijëra muhadithinë kanë bërë atë që edhe sot e kësaj dite nuk e bëjnë as kompjuterët; kanë ruajtur, klasifikuar, kulluar, kontrolluar, verifikuar me qindra mijëra transmetime, për t’u bërë kështu argument i gjallë i mrekullisë Kuranore, i mrekullisë Muhamedane. Allahu premtoi, dhe premtimi i Tij është hak, se do ta ruaj këtë fe nëpërmjet ruajtjes së Uahjit, Kuranit, por edhe Sunnetit pasi ai është pjesë e pa ndarë dhe bashkëshoqërues i Kuranit. Ndaj me gjithë përpjekjet për ta deformuar këtë pjesë të Uahjit, nuk ia kanë arritur qëllimit.

Është e vërtetë se gjenden plotë hadithe jo autentike por kjo nuk do të thotë se këto hadithe kanë mundur t’u shpëtojnë dijetarëve dhe të depërtojnë madje edhe në librin më të saktë të haditheve, në atë të Buhariut! Tregohet se njëherë para Harun Rreshidit patën sjellë një njeri i cili akuzohej se kishte shpifur shumë hadithe dhe do ta dënonin për këtë. Ai duke mos gjetur rrugëdalje tjetër i thotë Harunit sesi do t’i gjesh ato katër mijë hadithe që unë kam sajuar nëse më vret?! Dhe Haruni i përgjigjet: Kush je ti para Ebu Is’hak El-fizarit dhe Adullah ibn Muberekut, që kanë për t’i nxjerrë ato një për një…

Subhan Allah! Këto fjalë të Harunit nuk ishin një hiperbolë por një realitet. Ai që lexon jetën e shumë prej muhadithënëve do të shoh edhe më tepër se kaq dhe do të bindet se ata qenë prej kolosëve të Islamit që ruajtën këtë fe.

Shiat janë nga sektet që marrin vesh më pak nga kjo shkencë dhe është dashur që transmetimet sunnite, konkretisht për agjërimin e ashures, t’i kritikonin në bazë të transmetimeve ashtu siç sunnijtë bëjnë me transmetimet e shiave apo edhe të vetë sunnijëve. Mirëpo siç e kam thënë edhe më parë dhe po e shpreh këtu ndryshe: ata janë njerëz që nuk janë në gjendje t’i hipin atij kali! Dhe a e dini përse? Jo sepse shkenca e hadithit është ndonjë lloj magjie që e mësojnë dhe e praktikojnë vetëm sunnijtë, por sepse po ta zbatojnë ata atë shkencë mbi librat e tyre, jo Buhariut që nuk i afrohen, por do të duhet sipas vetë fjalëve të dijetarëve të tyre të hedhin poshtë shumicën dërmuese të transmetimeve mbi të cilat ata bazojnë shiizmin e tyre! Ndaj nuk guxojnë t’i hyjnë kësaj loje të ”rrezikshme” që trondit ekzistencën e medh’hebit shiitë… nuk po zgjatem në këtë pikë pasi është një temë më vete që ndoshta do të kemi kohë ta trajtojmë, nëse Allahu na lehtëson dhe na jep forcë.

Le të shohim tani seç thonë vetë librat shiitë për agjërimin e Ashures:

Së pari duhet thënë, siç edhe e kam cekur më parë, që librat e tyre janë kontradiktorë me vetveten pasi në po të njëjtin libër madje; gjen dy transmetime që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe nuk është e mundur të gjendet pajtim mes tyre, përveç tekijes kuptohet. Kur dijetarët shia gjenden përball situatave të tilla ku disa transmetime lejojnë diçka dhe disa të tjera e ndalojnë, një nga përgjigjet e shpeshta që japin është se ato transmetime janë thënë në momente tekije! Paçka se shpesh herë vetë përmbajtja e tekstit e kundërshton këtë interpretim! Nëse tregon diçka kjo gjë, tregon pikërisht atë se këtyre njerëzve tekija iu rrjedh nëpër gjak. Ajo është shpëtimtarja e tyre me të cilën nuk e lënë të jap shpirt medh’hebi i tyre i pa themeltë.

Së dyti unë këtu do të paraqes vetëm ato transmetime shiite që flasin për agjërimin e Ashures. Dhe më duhet ta përsëris nuk e di për të satën herë, le të dali një shiitë të paktën dhe të argumentoj me fakte që këto transmetime nuk janë të vërteta, apo janë të dobëta, ashtu siç bëmë ne me transmetimet sunnite që shiat argumentoheshin me to! Nëse nuk ka nga ata burra mes jush, atëherë mbyllni gojën dhe heshtni sepse kjo është tekija më e mirë që mund të bëni dhe madje të merrni sevap për të!

Buhariu i shiave El-kulejni në librin e tij El-kafi (nr. 6 fq. 291) transmeton nga Ebu Xhafer se ai ka thënë: Allahu ka bërë obligim për njerëzit pesë gjëra, ata morën katër dhe lanë një. I thashë (transmetuesi): A do mi tregosh ato mua, u bëfsha kurban për ty? Dhe ai tha: Namazi. Njerëzit nuk dinin si të faleshin, zbriti Xhibrili, alejhi selam dhe tha: O Muhamed, tregoju atyre kohët e namazeve të tyre. Më pas zbriti zekati dhe tha: O Muhamed, tregoju atyre për zekatin e tyre ashtu siç u tregove për namazin e tyre. Më pas zbriti agjërimi dhe i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue alihi kur qe dita e ashures dërgoi (të lajmëronte) në fshatrat përreth dhe ata agjëruan atë ditë. Dhe zbriti (agjërimi) muaji i Ramazanit ndërmjet Shabanit dhe Sheualit. Më pas zbriti Haxhi…

Po kështu El-kulejni në kapitullin: ‘Uxhuh es-seum’ (llojet e agjërimit, fq. 86) transmeton një hadith të gjatë nga Ali ibn Husejn, (djali i Husejnit që mbeti gjallë nga masakra e Kerbelasë pasi ishte i sëmurë dhe nuk luftoi) i cili i shpjegon Zuhriut llojet a agjërimit dhe ndër të tjera i thotë: Ndërsa përsa i përket agjërimit të cilin i lejohet njeriut të zgjedhë (të agjërojë apo jo): është agjërimi i ditës së xhuma, ditës së enjte, agjërimi i ditëve të bardha, agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit pas muajit Ramazan, agjërimi i ditës së Arafatit dhe agjërimi i ditës së ashures, të gjitha këto njeriu është i lirë të zgjedhë; nëse do agjëron nëse do nuk agjëron.

Çudi vetë i biri i Husejnit nuk e konsideruaka si shpifje e umeuijëve agjërimin e ashures…! Ah harrova tekijen, sepse Zuhri ishte sunnij.

Tani hidhemi tek një libër tjetër i rëndësishëm i shiave dhe ky është: El-istibsar i Et-tusit, një nga katër librat bazë të shiave:

Nga Ebu Abdullahi (Husejni) transmeton nga Aliu alejhi selam se ai ka thënë: Agjëroni Ashuren, nëntën dhe dhjetën sepse ajo shlyen gjynahet e një viti. ( vëll.2, fq.134)

Nga Ebu El-hasan (Aliu) tha: I dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka agjëruar ditën e Ashures. ( po aty)

Nga Xhaferi nga i ati i tij alejhima selam tha: Agjërimi i ditës së ashures shlyen një vit. ( po aty)

Po kështu në një tjetër libër shiash: Mustedrek el-uesail të Et-tabersi (vol. 1 fq. 594) transmetohet nga Aliu radijallahu anhu se ka thënë: Agjëroni ditën e Ashures, nëntën dhe dhjetën, që të jeni brenda, sepse ajo shlyen vitin që ka qenë më parë edhe nëse ndonjëri prej jush nuk e di dhe ha le ta plotësojë agjërimin.[1]

Siç e shihni pra shiat janë tepër subjektiv dhe as fenë e tyre nuk e njohin dhe duan pastaj të na e shesin sapunin për djathë.

Këtu dy mundësi ka: ose këto transmetime nuk janë sakta dhe i kanë shpifur edhe këto Beni Umeje dhe shiat gabimisht i kanë futur nëpër librat e tyre! A e pranojnë vallë një gjë të tillë?! Ose transmetimet janë të sakta dhe atyre u ka humbur një rast i mirë për të shlyer gjynahet e një viti!

Ndërsa përsa i përket akuzës se sunnijtë janë ata që kanë sajuar lloj-lloj hadithesh për vlerën e kësaj dite dhe se në të, barka e Nuhut u ndal në Malin e Arafatit, se zjarri u bë i ftohtë dhe i padëmshëm për Ibrahimin dhe se Isai u ngjit në qiell, nuk tregon gjë tjetër vetëm se paditurinë e këtyre njerëzve si me medh’hebin sunnij po ashtu edhe me atë shiitë ose hedhje hi syve.

Dijetari shiitë Et-tusi në një nga katër librat bazë të shiave ‘Tehdhib el-ahkam’ transmeton nga Ebu Xhafer se ka thënë:Anija e Nuhut ka ngecur mbi El-xhudij ditën e ashures dhe Nuhu i urdhëroi ata që ishin me të, njerëz dhe xhin që ta agjëronin atë ditë. Ebu Xhaferi alejhi selam tha: A e dini se çfarë është kjo ditë? Kjo ditë është dita që Allahu beri të pendohej Ademi dhe Havaja dhe kjo është dita të cilën Allahu ka hapur detin për bijtë e Israilit dhe e mbyti faraoni dhe ata që qenë me të, kjo qe dita që Musai alejhi selam triumfoi mbi faraonin, kjo qe dita që në të lindi Ibrahimi alejhi selam, kjo qe dita që Allahu ia bëri të pendohej populli i Junusit, kjo qe dita që ka lindur Isai i biri Merjemes… (vëll.4, fq.300)

Po kështu shiiti Ebul Kasim Ali ibn Musa ibn Taus ka thënë: kanë ardhur transmetime të shumta që nxisin në agjërimin e kësaj (dite).[2] Këto transmetime i kanë përmendur dijetarë shia në librat e tyre si El-hur El-amilij[3], Jusuf El-bahrani[4]etj. Tani unë me të drejtë pyes, paçka se deri tani pyetjet e mia kanë ngelur pa përgjigje: pse na akuzoni ne sunnijtë për gjëra që nuk e dini nëse ne i konsiderojmë të sakta apo jo, ndërkohë që ju vetë i keni nëpër librat tuaj bazë të shiizmit ithnaasherij? A ka ndonjë që përgjigjet? (Fe la hajate men tunadii! Kulubuhum mejite!)

Dhe ç’është më e forta se transmetimet shiite që ndalojnë agjërimin e ditës së Ashures kanë rrugë transmetimi të dobëta ndërsa ato që e ligjërojnë atë janë të forta siç kuptohet kjo nga shiiti Muhamed Rida el-husejni El-hairi në librin e tij: ‘Shpëtimi i Umetit qëndron në ngritjen e ngushëllimeve për Husejnin dhe imamët”!!! (Nexhatul ume fi ikametul aza alel husejn uel eimetu) fq. 145, 146, 148. botuar në Kum të Iranit 1413 h.

O shia ka ndonjë njeri objektiv prej jush! A nuk e shikoni sesi ju janë verbuar sytë e zemrës para syve të ballit!

Ndërsa tani po u tregoj vetëm një transmetim, të shpifur natyrisht, nga Xhafer Es-sadik rahimehullah për mos agjërimin e kësaj dite që të shikoni vetë se çfarë besojnë këta njerëz për ne sunnijtë:

Nga Ubejd ibn Zirare i cili pyet Ebu Abdullahin (a) për agjërimin e ditës së ashures dhe ai i thotë: Kush e agjëron atë ka për të pasur kësmet nga agjërimi i asaj dite kësmetin e Ibn Merxhanes dhe familjes së Zijadit. I thashë: e ç’kësmet kanë ata nga kjo ditë? Ai tha: Zjarrin, Allahu na ruajt nga zjarri dhe nga punët që të afrojnë tek zjarri.[5]

A e morët vesh o sunnij naivë se çfarë shpërblimi keni ju, sipas shiave, që agjëroni këtë ditë?! Shpërblimin e atyre që vranë Husejnin radijallahu anhu!

Sa për pyetjen absurde që u bë se çfarë do të kishte bërë Profeti (salallahu alejhi ue selem) nëse do të kishte jetuar edhe në kohën kur u vra Husejni? Duke dashur me këtë pyetje të përligj bidatet që bëjnë shiat në ditën e ashures. Pyetje të kësaj natyre bëhen duke u bazuar në historinë jetës të një personi që e njeh mirë dhe duke bërë analogji me ngjarje të ngjashme në kohën e jetës së tij. Ngjarja e Husejnit nuk ka fare ngjashmëri me çfarë ka ndodhur në kohën e Profetit ndaj dhe përgjigjja e kësaj pyetje absurde është se nëse Profeti do të ishte gjallë as Husejni e as Aliu dhe as Uthmani (radijallahu ahum) nuk do të ishin vrarë dhe do të ishim rehat edhe ju edhe ne. Mirëpo nëse ka një farë ngjashmërie ajo ka me historinë vrasjes së Hamzait (radijallahu anhu) dhe kuptohet Profeti do të vepronte siç veproi me Hamzain. Nuk shpalli ditë zie të përvitshme dhe as nuk urdhëroi që njerëzit të rrihnin vetveten e bidate të tjera si këto…

Profeti (salallahu alejhi ue selem) ndërroi jetë dhe feja u vulos një herë e përgjithmonë. Gjithçka është e mirë apo e keqe do ta gjejmë përgjigjen në Kuran dhe Sunnet, ndaj pyetje të tilla janë të kota!

Ai që ka sy le të shohë! Ai që ka vesh le të dëgjojë! Ai që ka mendje le të logjikojë! Ai që ka zemër le të reflektojë! E ndërsa ai që nuk i ka të gjitha këto në errësirë le të vazhdojë!

 

Allahu na ruajt në fenë e tij!

 

Amin!

 

[1] Po ashtu shih edhe Xhamiu ehadith esh-shia 9/475.

[2] Ikbal el-amal fq.558, botim darul kutub el-islamije Teheran.

[3] Uesail esh-shia 7/337.

[4] El-hadaik en-nadhire 13/371

[5] El-kafi kapitulli Seum Arafe ue ashura fq. 146.

 

Burimi: http://jtopulli.wordpress.com/2008/12/31/agjerimi-i-ashures-tek-shiat/

 

Must Read