Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Atij që merr abdes duke e përsosur atë, e më pas shkon për në namazin obligativ dhe e fal me xhemat, Allahu ia fal mëkatet.”
(E shënon Muslimi, numër 233)
Komenti:
Në këtë hadith i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) lajmëroi për një vepër madhështore, të cilën, kush e punon, Allahu e nderon me shpërblim bujar, shpërblim ky i cili është se Allahu ia fal mëkatet.
Kjo vepër ka të bëjë me namazin dhe ngërthen në vete tri gjëra që i bën muslimani, për t’u afruar tek Allahu i Lartmadhëruar.
I pari: Isbagul vudu, që d. m.th. ta përsosë dhe ta plotësojë abdesin sipas normave, kësisoj uji të përshkojë sigurt çdo gjymtyrë të abdesit.
I dyti: Që të shkojë në xhami duke synuar ta falë namazin obligativ, pra, namazin farz.
I treti: Që namazin farz (obligativ) ta falë me xhemat.
Andaj, ai që e bën tërë këtë, respektivisht ai që merr abdes në mënyrë të plotë, pastaj shkon në xhami dhe falet me xhemat, e arrin këtë shpërblim bujar: Allahu ia fal mëkatet. Ndërkohë, atij që Allahu ia fal mëkatet, ai është i shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.
Burimi:
Libri: “Dyzet hadithë për fëmijë”
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema