Na përcillet nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe lëvdatat e Zotit qofshin mbi të, se ka thënë: “Kush mëson diçka nga astrologjia[1], duke pretenduar se përmes asaj dije mund t’i njohë të fshehtat e së ardhmes ai ka mësuar pjesë nga magjia, sa më shumë që e shton këtë dituri, aq më shumë zhytet në mëkat(magji)” .
Zinxhiri i hadithit: Hadithin e lartpërmendur e përcjell Ibën Abasi, radijallahu anhu, dhe e shënon imam Ahmedi në Musnedin e tij, 1/277, 311, Ebu Davudi në “Sunen”, nr. 3905. Këtë hadith e saktëson Abdurrahman ibën Hasen ibën Muhamed ibën Abdulvehab në librin e tij: “Fet-hul mexhid”, fq. 292, ndërsa shejh Albani këtë hadith e konstaton si hadith hasen (të mirë), pra shkallë kjo pak më e ulët se ajo, por mjaft e mjaftueshme për t’u bazuar dhe për të punuar me të. Nuk dua të lë pa përmendur faktin se shejh Albani hadithit e lartpërmendur e ka gjykuar vetëm nga ana e zinxhirit të tij, kurse shejh Abdurrahmani e saktëson bazuar në metnin (tekstin) e hadithit. Tekst ky i cili për nga kuptimi i tij është mjaft i njohur dhe i mbështetur në argumente të sakta fetare, qofshin ato nga Kurani apo Suneti.
Komentimi i hadithit:
Ky hadith flet për rrezikun të mësuarit të ndonjë diturie përmes së cilës njerëzit pretendojnë se mund ta njohin të ardhmen apo gjërat e fshehta. Ata i mësojnë këto gjëra me pretendimin se janë duke mësuar pjesë nga shkenca e astronomisë dhe kështu mundohen të arsyetohen para të tjerëve, kurse në fakt mësimet e tyre, siç thotë edhe vetë Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk janë asgjë tjetër veçse magjia vetë. Me këtë hadith nuk kemi si qëllim të flasim për shkencën e astronomisë në përgjithësi, por me të kemi si qëllim shtjellimin e çështjes, se përmes njohjes së pozitave të yjeve apo planetëve, njeriu: a mund ta mësojë të ardhmen e tij dhe a i lejohet ta mësojë këtë pjesë të kësaj shkence, e cila pretendon njohjen e së ardhmes. Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë: “Me fjalën “astrologji” këtu kemi si qëllim argumentimin dhe pretendimin, se përmes gjendjes së yjeve në qiell njeriu mund të dijë të ardhmen e tij në tokë” (Marrë nga Fet-hul mexhid, fq. 290).
Fjala e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem:
“Kush mëson diçka nga astrologjia”
Dija e yjeve ndahet në dy pjesë, ajo e lejuara dhe tjetra e ndaluar. Pjesa e lejuar (astronomia) është të mësuarit përmes saj pozitën e yjeve apo planetëve në qiell, e përmes saj të mësohen rrugët dhe drejtimet për të udhëtuar si ditën ashtu edhe natën, si në tokë ashtu edhe në det. Të mësohen drejtimet e tokës, lindja, perëndimi, veriu dhe jugu e kështu të mësohet drejtimi i kibles. Njohjen e lëvizjes së diellit dhe hënës që përmes saj të mësohen kohët e adhurimit, si p.sh. koha e namazeve, ajo e agjërimit, dita e bajramit etj.
Ndërsa pjesë e ndaluar në këtë shkencë konsiderohet mësimi i çështjeve, nga të cilat pretendohet se përmes tyre mësohet e ardhmja e njeriut, kur do të lindë ai, sa do të jetojë, kur do të vdesë… apo pretendimeve se përmes saj mund ta marrin vesh njerëzit se kur do të ndodhin luftërat, ku do të ulen apo ngrihen çmimet e tregut… etj.
Bazuar në shpjegimet e lartpërmendura arrijmë në përfundimin, se teksti i hadithit të mësipërm ka si qëllim kritikën dhe ndalimin e asaj pjese të dijes së yjeve, e cila edhe pse pretendohet se është pjesë e shkencës në fakt është magji e qartë, apo e thënë më saktës futet në llojet e magjisë sipas kuptimit të gjerë të kësaj fjale të fundit.
Fjala: “duke pretenduar se përmes asaj dije mund t’i njohë të fshehtat e së ardhmes”
Njeriu vetëm mund të pretendojë se i njeh të fshehtat e së ardhmes. Ai sado të mësojë dhe sado të arrijë të jetë i suksesshëm dhe i ditur në këto lëmi, apo edhe lëmi të tjera çfarëdo qofshin ato, përmes të cilave mund të pretendojë një gjë të tillë, ai vetëm se e ka mashtruar veten e tij dhe i ka mashtruar ata që i besojnë atij. Pra, pa marrë parasysh dituritë sa mund të përparojnë, shkencat të lulëzojnë dhe teknologjia të përparojë, prapë se prapë e ardhmja për njeriun mbetet e panjohur dhe pjesë e së fshehtës, të cilën nuk mund ta zbulojë me asgjë. Njerëzit që merren me mësimin e këtyre çështjeve përmes të cilave pretendojnë se mund ta dinë të ardhmen para se ajo të ndodhë ndahen në dy grupe:
a) Ata që besojnë se me të vërtetë përmes asaj diturie e njohin të ardhmen, pra, e mësojnë, praktikojnë dhe ua tregojnë të tjerëve, duke besuar se ajo që thonë është e vërtetë.
b) Ata që në fakt nuk e besojnë një gjë të tillë në vetvete, por megjithatë u japin lajme të tjerëve dhe parashikojnë për ta. Ajo që i nxit për të vepruar gjëra të tilla në shumicën e rasteve këtë lloj njerëzish janë interesat ekonomike, ngase tek të tjerët gjejnë terren të lirë për shkak të besimit të dobët që kanë këta të fundit.
Fjala: “ai ka mësuar pjesë nga magjia”
Të mësosh astrologjisë me pretendimin se përmes saj mund të arrihet deri tek njohja e së ardhmes, atëherë kjo lloj diturie futet në rrethin e dijeve të ndaluara mësimi i të cilave është haram, bile shpeshherë kufër. Magjia është disa llojesh, por ne nuk do të ndalemi të flasim për të. Neve në këtë rast na intereson të dimë se prej kujt lloji të magjisë është edhe pretendimi i atyre që thonë se e dimë të ardhmen, ku më e zakonshmja është se parashikuesit e së ardhmes përmes shenjave dhe riteve të tyre mundohen ta njohin të ardhmen. Parashikuesit e së ardhmes ndahen në dy grupe kryesore:
-Ata që vërtetë kanë kontakte me xhinët dhe inspirohen prej tyre për të parashikuar gjëra, të cilat xhinët mundohen t’i dëgjojnë në qiell, duke hipur njëri mbi tjetrin. Këta të fundit ndodh që të dëgjojnë ndonjë lajm nga Allahu dhënë melekëve e pastaj ta sjellin atë lajm deri tek veshi i magjistarit. Por ndodh që në shumicën e rasteve Allahu i gjuan me yje këta shejtanë e kështu i djeg para se ata ta sjellin lajmin e qiellit deri në tokë. Nuk duhet harruar, se edhe atëherë kur xhinët arrijnë të sjellin ndonjë lajm nga qielli deri tek veshi i magjistarit, këtij lajmi i shtojnë edhe nëntëdhjetë e nëntë gënjeshtra. Njerëzit kur e dëgjojnë këtë lajm dhe arrin ai lajm të realizohet duke u bazuar në një lajm të saktë i harrojnë nëntëdhjetë e nëntë të tjerat që nuk janë realizuar dhe fillojnë të krijojnë bindjen, se parashikuesi realisht thotë të vërtetën. Pra, e krijojnë bindjen vetëm nga një përqindëshi i saktësisë së lajmit të tij e nuk e krijojnë bindjen nga nëntëdhjetë e nëntë përqindëshi i gënjeshtrave të tij.
Lloji i dytë i parashikuesve janë: Ata që në fakt nuk kanë kurrfarë lidhje me botën e xhinëve, por bindjet e tyre i ngrejnë mbi mësime të kota, si shenjat e duarve, mbeturinat në filxhanin e kafesë, zogjtë që fluturojnë apo ulen në vende të caktuar, lëvizja dhe pozitat e caktuara të yjeve, ku kjo e fundit bën pjesë në shkencën e astronomisë etj.
Dua të përmend edhe një dallim mes parashikuesit që bashkëpunon me xhinët dhe atij që parashikon vetëm përmes yjeve, se i pari mund t’ia qëllojë ndonjëherë për ndonjë çështje. Kurse ky i fundit nuk mund t’ia qëllojë asnjëherë, përveç nëse ka folur kot dhe rastësisht mund të ndodhë që të vërtetohet parashikimi i tij, gjë e cila ashtu ka qenë e shkruar nga Allahu të ndodhë, ku në këtë rast mund të jetë fitne apo sprovë, si për parashikuesin ashtu edhe për atë që e dëgjon apo i beson atij.
Dispozitat e sheriatit mbi të mësuarit e këtyre dy llojeve të parashikimit:
Të mësuarit e llojit të parë pa kurrfarë dyshimi është kufër. Disa nga dijetarët kanë thënë se edhe të mësuarit e magjisë për ta kundërshtuar atë konsiderohet kufër, prandaj sipas tyre nuk duhet të guxojmë t’i afrohemi në asnjë mënyrë magjisë.
Sa i përket llojit të dytë të parashikimit të fatit dijetarët kanë disa mendime për këtë çështje; disa e ndalojnë dhe e konsiderojnë atë pjesë të kufrit. Ca të tjerë fillimisht ndalen nga një gjykim i tillë, nëse njeriu i mëson këto gjëra për t’i kundërshtuar apo për kuriozitet duke mos i besuar dhe duke mos punuar me to. Por që të dy palët në fund janë të pajtimit, se ai që i mëson këto lloj kotësish duke i besuar, apo duke punuar sipas mësimeve të tyre, apo edhe vetëm duke i mashtruar të tjerët vetëm që të përfitojë prej tyre, edhe pse mund të mos i besojë ai vetë, ky lloj njeriu del nga Islami dhe konsiderohet qafir. Lind pyetja: pse të konsiderohet qafir, kur ai vetë nuk i beson ato gjëra? Themi se nuk na intereson besimi i tij i fshehtë; neve na intereson se ai me punën e tij është duke i nxjerrë të tjerët nga Islami dhe po bëhet shkaktar për fesat në tokë. Po ashtu mund të lindi dyshimi pse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, të mësuarit e astrologjisë për qëllimin e njohjes të së ardhmes e futi në llojin e magjisë, duke mos lënë rrugë për dyshim në këtë çështje, kur ne e dimë se kjo lloj dije fillimisht nuk ka të bëjë me kufrin, sepse të mësuarit e pozitës së planetëve nuk është kurrfarë kufri?
Këtu themi se mësimi i kësaj dije me qëllimin e njohjes të së ardhmes vetvetiu futet në llojin e magjive, edhe pse kjo futje në magji fillimisht është sipas kuptimit të gjerë të fjalës magji, kuptim ky i cili do të thotë se: çdo dije, fjalë, vepër apo gjest përmes të cilit krijohet bindja se njeriu mund të njohi të ardhmen konsiderohet magji, sado që i shtohen bindje më të mëdha, apo qëllime dhe dëme më të rrezikshme përmes të cilave largohet nga Islami, atëherë edhe më tepër futet në magji apo thënë ndryshe në kufër.
A lejohet t’i pyesim parashikuesit e fatit apo t’i lexojmë shkrimet e tyre:
Nuk lejohet pyetja e tyre, as leximi i parashikimeve të tyre. Kjo dispozitë vlen për të gjithë muslimanët pa marrë parasysh a e pyet duke i besuar apo duke mos i besuar. Edhe pse ta pyesësh parashikuesin për fatin e tij, duke mos i besuar aspak, nuk mund ta fusim fillimisht në gradën e qafirëve, por ky person konsiderohet mëkatar me mëkat të madh, i cili më pas mund të kalojë edhe në kufër. Rreth kësaj çështje ndër të tjera transmetohen edhe këto dy hadithe të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem:
Na përcillet nga disa prej grave të Pejgamberit (Hafsës), se ai ka thënë: “Kush shkon tek ndonjë parashikues (fati) dhe e pyet atë për diçka nuk i pranohet namazi dyzet ditë”. (Muslimi, nr. 2230) dijetarët e përmendin këtë hadith për njeriun që e pyet parashikuesin duke mos i besuar.
Na përcillet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shkon tek parashikuesi dhe i beson asaj që ai thotë, ai e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit (Kuranin)”. (Ebu Davudi, nr. 2230, Tirmidhiu, nr. 135, Nesaiu në librin e tij “Sunen el-Kubra”, 10/124. Hadithi është sahih).
***
-Askush nuk ka të drejtë t’i keqpërdorë yjet për interesa të tij, apo përmes tyre t’i sprovojë njerëzit dhe kështu t’i nxjerrë nga Islami. Allahu i Lartësuar u ka dhënë yjeve detyra të caktuara dhe i ka krijuar me urtësi, gjëra të cilat janë përmendur në Kuran dhe assesi nuk duhet të krijohen bindje të caktuara, se yjet vlejnë për diçka tjetër pos tri gjërave.
imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, shënon se Katade ka thënë: “Allahu i krijoi yjet për tri gjëra: Zbukurim për qiellin, për të gjuajtur shejtanët dhe shenja për t’u udhëzuar udhëtarët. Kush pretendon se yjet kanë ndonjë funksion tjetër ai ka gabuar ka dalë (nga Islami) dhe ka marrë përsipër të flasë rreth gjërave për të cilat nuk ka aspak dije”. (Fet-h el-Bari, 2/295) Argument për fjalën e Katades janë fjalët e Allahut: “Jua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë.” (Mulk, 5).
“Ai ka vënë edhe shenja të tjera, si dhe yjet, nëpërmjet të cilëve njerëzit orientohen.” (Nahël, 16).
Nuk duhet ta keqkuptojmë fjalën “orientim”, e cila vjen nga fjala arabe “hidaje”, që do të thotë “udhëzim” e kështu të mendojë dikush se me këtë udhëzim është si qëllim udhëzimi tek e mira për gjërat e ardhshme. Por sipas të gjithë ajeteve kuranore, haditheve profetike dhe komenteve të dijetarëve apo gjuhëtarëve me fjalën “udhëzim” është si qëllim udhëzimi në rrugët e kësaj bote. Pra, udhëzimi nëpër male, dete, shkretëtira etj.
Fjala: “sa më shumë që e shton këtë dituri aq më shumë zhytet në mëkat (magji)”
Fillimisht e kuptuam se të merresh me diçka të tillë është e ndaluar, është mëkat i madh, i cili kalon në kufër. Ndërsa kjo fjalë na mëson se njeriu sa më shumë që thellohet në këso diturish, në këso punësh, aq më shumë zhytet ai në kufrin e magjisë.
Vërejtje: Këtu nuk dua të lë pa përmendur një sprovë të kohëve tona me të cilën mediat, si të shkruara ashtu edhe të dëgjuara dhe të shikuara i kanë sprovuar njerëzit në përgjithësi, e kjo është horoskopi. Këtë sprovë mund ta gjesh në çdo cep të secilës gazetë apo reviste, në radio apo televizion dhe kudo tjetër. Në kohën tonë zakonisht ata që e mësojnë astronominë për këso qëllimesh mendimet e tyre për parashikimin e së ardhmes i vendosin në këso shkrimesh, pra, në horoskop.
Njerëzit përmes tij përfitojnë vetëm humbje kohe, dehje të trurit, mashtrim të qartë, marrje të vendimeve të ngutshme dhe të gabuara bazuar në horoskop e jo në arsye dhe argumente të fesë; dhe në fund përfitimi më i madh i tyre është dalja nga feja. Në këtë mënyrë hartuesit e këtyre lloj rubrikave arrijnë të luajnë me njerëzit duke i urdhëruar të punojnë apo të largohen nga vepra të ndryshme, arrijnë që njerëzit t’i bindin për t’i besuar më shumë horoskopit, se sa fjalës së Allahut apo asaj të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. Shpesh e kam pyetur veten, se çfarë përfitojnë këta njerëz nga këto publikime, ku në shumicën e rasteve përfitimet materiale janë jo edhe aq të mëdha, por pa kurrfarë dyshimi, se qëllimi i shumicës së hartuesve të këtyre rubrikave nuk është përfitimi material, sa është nxjerrja e njerëzve nga Islami dhe t’i mbajnë sa më larg tij.
Shpesh në këtë sprovë bien edhe njerëzit e shkolluar, të cilët nëpër seminare apo tubime të ndryshme i kundërshtojnë besëtytnitë dhe e refuzojnë çdo lloj falli duke bërtitur me gojën plotë se gjërave të tilla i besojnë vetëm injorantët dhe ata të prapambeturit e në anën tjetër ai vetë i beson horoskopit. Mjerë ky njeri i “shkolluar”, i cili nuk i beson besëtytnitë e prapambetura, por i shkreti nga ana tjetër i beson besëtytnive “bashkëkohore”.
Këta lloj njerëzish shpesh i kundërshtojnë edhe disa parime bazë të fesë, të cilat flasin për shumë lajme të së ardhmes, siç janë xheneti dhe xhehenemi, duke pretenduar se janë diçka e panjohur për neve dhe kështu i kundërshton argumentet e sakta nga Kurani dhe Suneti e në anën tjetër i pranon fjalët e kota të mashtruesve bashkëkohorë. Prandaj në fund e këshilloj veten time dhe çdo njeri që të largohet nga këto mashtrime, të cilat e dërgojnë njeriun në kufër, të besojë fjalët e mashtruesve, të cilët pretendojnë se dinë diçka që nuk e ka ditur as më i dashuri i Allahut, Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem, pra, njohjen e fshehtësive të së ardhmes. Për të ardhmen neve duhet të besojmë, aq sa na është treguar prej saj në Kuran apo hadithet e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, as më pak e as më shumë. Kush beson diçka më shumë apo mohon vetëm pak nga ato lajme del nga feja!
[1] Astrologji – Dituri e rreme, që përpiqet të parashikojë ngjarjet dhe fatin e njerëzve, duke vëzhguar vendosjen e trupave qiellorë. E kundërta e saj është astronomia, e cila bazohet mbi fenomenet fizike dhe vëzhgimet e bazuara në shkencë. Fillimisht astrologjia përfshinte në vetvete edhe studimin e yjeve për efekte shkencore, por më pas u nda në astrologji dhe astronomi, edhe për faktin e luftës së ashpër që iu bë nga të gjithë dijetarët muslimanë pa dallim, si dhe prej mashtrimeve të vazhdueshme të astrologëve që i demaskuan në popull (shën. red.).
Lulzim Mehmet Susuri
Burimi: www.ehlihadithi.com
http://www.islamifejaevertete.com