Besimi i njësimit të Allahut në krijim
Besimi se vetëm Allahu është Zot i Vetëm, s’ka rival e as ndihmës – (rububije)
Zoti është Ai që krijon, posedon sundim dhe kontroll ndaj çdo gjëje.
Nuk ka krijues tjetër veç Allahut. S’ka sundues (pronar) veç Tij dhe e tërë çështja (urdhri) i takon Atij.
Allahu thotë: “Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi.” El Araf, 54.
Gjithashtu, Ai thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.” Fatir, 13.
Nuk dihet se ndonjë krijesë ka mohuar se Allahu është Zot, përveçse të ketë qenë mendjemadh dhe i pabindur në atë që ka thënë, siç kishte ngjarë me Faraonin, kur i tha popullit të vet:“Unë jam zoti juaj më i lartë!”En Naziat, 24.
Po ashtu, u tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” El Kasas, 38.
Porse, kjo nuk vinte nga besimi (bindja). Allahu thotë: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta.” En Neml, 14.
Allahu tregon se si Musai i kishte thënë Faraonit: “Tashmë ti e di se këto nuk i ka shpallur askush tjetër, përveç Zotit të qiellit dhe të Tokës, si prova të dukshme dhe Unë jam i bindur se ti je i dënuar në humbje.” El Isra, 102.
Prandaj, ndonëse idhujtarët i bënin shok Allahut në adhurim, pohonin se Ai është Krijuesi. Allahu thotë: “Thuaj: ‘E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?’ Ata do të thonë: ‘Të Allahut!’ E ti thuaju: ‘Vallë, a nuk po ia vini veshin?’ Thuaj: ‘Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?’ Ata do të thonë: ‘Allahu!’ E ti thuaju: ‘Vallë, a nuk keni frikë ju?’ Thuaj: ‘Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?’ Ata thonë: ‘Allahu.’ E ti thuaju: ‘Atëherë, përse magjepseni?!’” El Muminun, 84-89.
Po ashtu, thotë: “Nëse ti i pyet ata: ‘Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?’ Ata, me siguri do të thonë: ‘Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi.’” Ez Zuhruf, 9.
Dhe thotë: “Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: ‘Allahu!’ Atëherë, përse largohen prej Tij?!’” Ez Zuhruf, 87.
Urdhri i Allahut i përfshin ligjet e universit dhe të fesë.
Ashtu siç është Rregulluesi i gjithësisë, ku, me urtësinë e Tij, vepron si të dojë. Ai po ashtu është Gjykuesi (Ligjvënësi) i saj, ndaj, gjithnjë me urtësinë e Tij, i ligjëson adhurimet dhe dispozitat që kanë të bëjnë me veprimet ndërnjerëzore. Së këndejmi, ai që i shoqëron Allahut ligjvënës në adhurime ose (i shoqëron) gjykues në sjelljet ndërnjerëzore, e ka rivalizuar Atë, rrjedhimisht i tilli nuk ka iman të shëndoshë.
“Shpjegimi i bazave të besimit”
Muhamed ibn Salih el Uthejmin