BallinaPse ISLAMI?Ekzistenca e Krijuesit AbsolutBesimi në Allahun - Argumenti i mendjes

Besimi në Allahun – Argumenti i mendjes

Besimi në Allahun – Argumenti i mendjes

Argumenti i mendjes për ekzistencën e Allahut të Lartësuar është se për të gjitha këto krijesa, që kanë kaluar e që vijnë, patjetër duhet të ketë një Krijues që i ka krijuar, sepse nuk ka mundësi që ato të jenë vetëkrijuar, e aq më pak të jenë krijuar rastësisht.

Është e pamundur që ta kenë krijuar vetveten, sepse asgjë nuk mund të jetë krijues i vetvetes, kur para se të krijohej, nuk ekzistonte fare. Ndaj, si ka mundësi të jetë krijues(e)?!

Gjithashtu, asgjë nuk ka mundësi të ekzistojë rastësisht. Kështu, çdo gjë që ndodh, medoemos duhet ta ketë vepruesin (shpikësin) e asaj ndodhie, dhe se ekzistimi brenda këtij sistemi të mrekullueshëm, brenda kësaj konsistence të harmonishme kaq precize dhe pas gjithë kësaj lidhjeje shkak-pasojë, lidhje ekzistencash në mes vete, është e pamundshme që të ekzistojë vetvetiu, rastësisht. Kjo për faktin se ekzistimi i diçkaje rastësisht është jashtë rregullit qysh në fillim të ekzistimit të vet. E si mund të përshtatet brenda rregullave të veçanta edhe pasi të krijohet e të zhvillohet?!

Meqë krijesat nuk mund ta krijojnë vetveten dhe nuk mund të ekzistojnë vetvetiu, kjo tregon se ekziston një Krijues. E, Ai është Allahu, Zoti i botëve.

Allahu i Lartësuar këtë argument logjik dhe fakt të prerë e ka përmendur në suren Et Tur, kur thotë:

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” Et Tur, 35.

Kjo nënkupton se ata nuk janë krijuar pa Krijues dhe nuk e kanë krijuar vetveten. Atëherë, kjo medoemos aludon se Krijuesi i tyre është Allahu i Lartmadhërishëm. Kur Xhubejr ibn Mutimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam tek lexonte suren Et Tur dhe, ndërsa arriti tek ajetet:

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” Et Tur, 35-37. Xhubejri, i cili atëherë ishte jobesimtar, tha: “Thuajse zemra më fluturoi. Ky ishte momenti i parë kur imani m’u ngulit thellë në zemër.” (Shënon Buhariu)

Le të sjellim një shembull që e sqaron këtë:

Nëse ndonjë person do të të fliste për një kështjellë të fortë, të rrethuar me kopshte, në të cilën rrjedhin lumenj, e që është plot e përplot me mobile e me shtretër dhe është e zbukuruar me shumë lloje zbukurimesh, nga më të ndryshmet e nga më të bukurat, duke të të thënë se kështjella, dhe ç’ka në të, është krijuar vetvetiu, ose është gjendur rastësisht, pa krijues. Sigurisht, do ta përgënjeshtroje, kurse bisedën e tij do ta quaje një budallallëk.

Pas kësaj, a ka mundësi që gjithë ky univers i gjerë e madhështor me Tokën, qiejt, planetet dhe sistemin e tij të përsosur ta ketë krijuar veten e tij apo të jetë krijuar rastësisht, pa u krijuar nga askush?!

“Shpjegimi i bazave të besimit”
Muhamed ibn Salih el Uthejmin
BurimiJetës.info

Must Read