BallinaARTIKUJMuhamed s.a.v.sBindja ndaj të Dërguarit të Allahut është obligim

Bindja ndaj të Dërguarit të Allahut është obligim


Bindja ndaj të Dërguarit të Allahut është obligim

Shkruan: Dr. Mustafa as-Siba’i

Shokët e Profetit s.a.v.s. merrnin rregullat e tyre për çështje të ndryshme të jetës së tyre nga Kurani, të cilën e kishin mësuar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Në shumë raste, Kurani flet në përgjithësi pa u fokusuar në detaje. Ndonjëherë ajetet zbrisnin pa ndonjë lidhje ose kushtëzim nga koha, vendi, etj. si një rregull e përgjithshme. Një shembull për atë se çfarë është zbritur në Kuran si rregull i përgjithshëm është Namazi. Kurani nuk përmend sa rekate duhet të bëjmë, ose si të lëvizim gjatë namazit, apo kur janë kohët e namazit. Në mënyrë  të ngjashëm Kurani nuk përmend lartësinë e shumës minimale që jemi të obliguar ta japim për zekat, apo kushtet nga të cilat varet pagesa për zekat.

Shumë nga ibadetet (adhurimet) tona nuk mund të praktikoheshin, pa sqarimin e rregullave të tyre, shtyllave dhe kushteve të anulimit të tyre. Për këtë, është një domosdoshmëri kthimi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për t`i kuptuar dispozitat e kësaj feje në mënyre të qartë.

Shumë herë Sahabët (shokët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.) janë ndeshur me raste, për të cilat Kurani nuk përmbante ndonjë regull. Kështu, u paraqit nevoja që t`iu drejtoheshin të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për t`i mësuar rregullat në raste të tilla. Është i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili është autorizuar nga Allahu për ta mësuar njerëzimin dhe ai i cili është më i dituri në mesin e njerëzve se çfarë kërkon Allahu i Lartësuar nga ne.

Allahu na tregon lidhur me detyrën e të Dërguarit s.a.v.s. ndaj Kuranit, ku Allahu i Lartësuar thotë:
“(Të dërguarit i çuam) me prova të qarta dhe libra. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.”
(Kuran, 16:44)

Allahu na bëri të qartë se detyra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. përbëhej nga predikimi i së vërtetës njerëzve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes tyre:
“Ne ta kemi zbritur ty Librin, vetëm që ti t’u sqarosh atyre çështjet, për të cilat ata nuk pajtoheshin, si dhe që të jetë udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit që besojnë” (Kuran, 16:64).

Ne jemi të obliguar që të Dërguarin e Allahut ta pasojmë në çdo rregull dhe mosmarrëveshje:
“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”(Kuran, 4:65)


Allahu në Kuran gjithashtu përmend se të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu është dhënë Kurani dhe Urtësia që t`ua mësoj njerëzve rregullat e fesë:

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Kuran, 3:161).


Për këtë ajet të fundit, shumica e dijetarëve dhe ata që kanë grumbulluar shumë dituri kanë thënë se fjala e përmendur “Urtësi”  pranë fjalës “Libër” ka një kuptim tjetër. Është diçka që  Allahu i Lartësuar , të Dërguarit të Tij s.a.v.s. i ka dhënë nga dituria për çështje dhe regulla, që nuk mund të arrijnë pjesa tjetër e njerëzimit.
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë : “Allahu i Lartësuar e ka përmendur shpalljen, çfarë është Kurani dhe Urtësinë. Kam mësuar nga njerëzit e dijës se fjala “Urtësi” e përmendur këtu, aludon në Sunnetin (Traditën profetike) e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Kjo është nga mëshira e Allahut, që ka dërguar një mënyrë për të praktikuar atë çfarë është në Kuran”.

Allahu nuk ka përmendur vetëm Librin (Kuran, sh.p.) në ajetin e lartëshënuar, por në Kuran ka përfshirë edhe Sunnetin, që është një tregues për rëndësinë e Sunnetit dhe që jemi të obliguar ta pasojmë atë ashtu siç jemi të obliguar ta pasojmë Kuranin. Vazhdon Imam Shafiu duke thënë: “Fjala “Wa” ( “dhe” që qëndron mes fjalës “Libër” dhe “Urtësi” në ajetin e lartëshënuar) në gjuhën arabe është një lidhëse mes dy fjalëve, që janë të ndryshme. Në të kundërtën fjalia do të ishte e panevojshme dhe Allahu është larg diçkaje të tillë (së kotës, se panevojshmës, sh.p.).

 

Dhe kur Allahu thotë se Ai do t`iu jap besimtarëve Mëshirë të madhe, Ai nuk do të na jepte asgjë çfarë do të ishte jo e drejtë dhe e vërtetë. Për këtë arsye, kjo Urtësi (Sunneti, sh.p.) duhet të pasohet ashtu siç pasohet Kurani. Allahu asnjëherë nuk na ka ngarkuar të pasojmë dikë tjetër përveç Atë (Allahun) dhe të Dërguarin e  Tij s.a.v.s.
Kjo do të thotë se Urtësia është diçka, që na ka ardhur nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në formë të rregullave dhe thënieve të transmetuara lidhur me legjislacionin.

 

Për ta sqaruar konceptin e Sunnetit dhe detyrimin tonë për ta pasuar atë, Allahu i Lartësuar thotë:

Dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin(Muhamedin a s.) që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Kuran, 7:157)


Përshkak se ky mësim në këtë ajet është përmendur në përgjithësi, rrjedhimisht përfshinë rregullat nga Kurani dhe Sunneti.


Një tregues i fortë për të ndjekur Sunnetin, mund ta gjejmë në ajetet vijuese:

“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër” (Kuran, 59:7)

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut)” (Kuran, 3:132)

 

Allahu na ka obliguar që ta ndjekim çdo urdhër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:

O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë (drejt besimit)! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë! (Kuran, 8:24).


Allahu bëri bindjën ndaj Të Dërguarit s.a.v.s. bindje ndaj Tij. Dhe ai bëri që ndjekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. të jetë  shenjë e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar. Thotë Allahu:

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” (Kuran, 4:80)


“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë
.””(Kuran, 3:31)


Allahu na paralajmëron në rast se nuk pasojmë të Dërguarin e Tij s.a.v.s.:

“Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një denim i dhembshëm.” (Kuran, 24:63)


Jo vetëm kaq, por Allahu gjithashtu thotë se mosbindja ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.  shpie në Kufr (mosbesim):

“Thuaju: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!” Në qoftë se kthejnë shpinën, (dijeni se) Allahu, me të vërtetë, nuk i do jobesimtarët.”(Kuran, 3:32)


Allahu nuk ia lejoj asnjëherë besimtarëve që të jenë të pabindur ndaj të Dërguarit s.a.v.s. :
“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur” (Kuran, 33:36)

Dhe për të treguar se mospasimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në ndonjë mosmarrëveshje është hipokrizi, Allahu i Lartësuar thotë:
“Ata (hipokritët) thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në të Dërguarin dhe (u) bindemi (atyre).” Pastaj disa prej tyre shmangen, sepse nuk janë besimtarë aspak. Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin. Por, nëse e drejta është në anën e tyre, ata vijnë përulshëm. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre apo dyshojnë? Apo

kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët. Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” (Kuran, 24:47-51)

 

 

 

Përktheu: Dren Ajeti

Burimi: https://www.islamifejaevertete.com

Referencë: http://www.salaf.de



Must Read