ÇFARË DHE PËR KË DUHET TË SHPENZOJMË?!
Thotë i Lartësuari: “Të pyesin ty se çfarë duhet të japin për sevap. Thuaju: ‘Çfarëdo bamirësi që bëni, bëjeni për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për të varfrit dhe për udhëtarët. Për çdo të mirë që bëni, s’ka dyshim se Allahu e di në imtësi’.” El Bekare, 215.
Shpjegimi i ajetit
– “Të pyesin ty se çfarë duhet të japin për sevap.”
Kuptimi: Të pyesin ty rreth shpenzimeve, domethënë, çfarë duhet të shpenzojmë dhe për kë duhet të shpenzojmë. Për të dyja pyetjet, Allahu i Lartësuar kthen përgjigje:
– “Thuaju: ‘Çfarëdo bamirësi që bëni, bëjeni për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për të varfrit dhe për udhëtarët’.”
Për sa i përket përgjigjes së pyetjes se çfarë duhet shpenzuar e dhënë, Allahu i Lartësuar ka përdorur një fjalë, që i përfshin të gjitha llojeve të mirësive, shumë apo pak qofshin ato. Pastaj i Madhëruari na tregon kategoritë më të rëndësishme të njerëzve që duhet të përfitojnë nga shpenzimet e tua:
1. Të parët që meritojnë bamirësinë tënde janë prindërit e tu. Bamirësia ndaj tyre është detyrim dhe padrejtësia ndaj tyre është gjynah i madh. Një nga bamirësitë më të mëdha ndaj tyre është shpenzimi i pasurisë për t’i kënaqur ata, ashtu sikurse edhe një nga padrejtësitë më të mëdha që mund të bësh ndaj tyre është mosshpenzimi i pasurisë për kënaqësinë e tyre. Shpenzimi dhe mbulimi i nevojave të tyre financiare është detyrim për çdo fëmijë që e ka mundësinë ta bëjë këtë.
2. Pas prindërve, njerëzit që meritojnë më shumë shpenzimet dhe përkujdesjen tënde janë të afërmit, sipas shkallës së tyre të afërsisë, duke filluar me më të afërmit, pastaj më të largëtit, dhe duke marrë në konsideratë nevojat e tyre. Bamirësia ndaj të afërmve ka dy lloje shpërblimesh: Shpërblimin për sadakanë dhe shpërblimin për ruajtjen e lidhjeve farefisnore.
3. Jetimët, në kategorinë e të cilëve hyjnë minorenët që nuk kanë njeri të përkujdeset për ta, ndërkohë që as vetë nuk mund ta sigurojnë jetën e tyre. Kështu, ata janë në nevojë dhe shpenzimi për ta është i domosdoshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i ka porositur adhuruesit e Tij që të tregojnë kujdes e mëshirë ndaj tyre. Kjo është butësia dhe mëshira e Allahut me krijesat e Tij.
4. Të varfrit. Këtu hyjnë njerëzit të cilët, nga varfëria e madhe, nuk kanë as gjërat më të domosdoshme për jetën e tyre. Edhe këtyre duhet t’u krijohet mundësia për të jetuar, duke u plotësuar nevojat e tyre të domosdoshme, në mënyrë që ata mos detyrohen të lypin e të përçmohen.
5. Udhëtarët. Flitet për ata udhëtarë që, për ndonjë arsye të caktuar, kanë mbetur në mes të rrugës dhe nuk kanë mundësi që të kthehen në vendin e tyre apo atje për ku janë nisur. Edhe këta duhen ndihmuar që të arrijnë në destinacionin e tyre.
Allahu i Lartësuar i ka veçuar këto kategori, për shkak të nevojës së tyre të madhe për ndihmë. Më pas, Allahu i Lartësuar jep një gjykim më gjithëpërfshirës për bamirësinë:
– “Për çdo të mirë që bëni, s’ka dyshim se Allahu e di në imtësi.”
Çdo lloj sevapi që bëni ndaj këtyre kategorive, edhe të tjerëve veç tyre, Allahu i Lartësuar e di shumë mirë. Madje, jo vetëm shpenzimet tuaja, por edhe çdo vepër të mirë që kryeni për t’u afruar tek Allahu dhe për të fituar kënaqësinë e Tij, Ai e di shumë mirë, sepse kështu kuptohet nga fjalët e përdorura në ajet.
Deklarimi se Allahu di gjithçka që ata bëjnë do të thotë për besimtarët se Ai do të shpërblejë gjithçka të mirë që ata kanë bërë ose që kanë patur për qëllim të bëjnë. Ai do t’i shpërblejë ata në varësi të qëllimit dhe të sinqeritetit të tyre. Allahu i Lartësuar e di shumë mirë se kush shpenzon më shumë e kush më pak, kush shpenzon për çështjet më të domosdoshme e kush jo.
Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli