BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiCilësitë e njerëzve të devotshëm sipas Kuranit

Cilësitë e njerëzve të devotshëm sipas Kuranit

Cilësitë e njerëzve të devotshëm sipas Kuranit

E pyeti Omer ibn Hatabbi nje ditë Hudhejfen dhe i tha: Çfarë është devotshmëria. I është përgjigjur Hudhejfe: A ke ecur ndonjëherë në tokë me gjemba. Tha Omeri: Po. I tha Hudhejfe: Dhe çfarë ke bere? Omeri tha: Kam ngritur rrobën time, dhe kam zgjedhur vendin më të mirë në mënyrë që të mos më shpojnë gjembat. I tha Hudhejfe: Kjo pra është devotshmëria!

All-llahu [subhanehu ve teala] në Kur’an thotë:

“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kushi i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj e aty do rrijnë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë”. (Ali Imran: 133-136).

Cilësitë e tyre që janë përmendur në këtë ajet janë:

1- shpenzimi në bollëk dhe vështirësi,

2- frenimi i mllefit,

3- falja njerëzve,

4- kërkimi falje për mëkatet e veta,

5- dhe mosinsistimi në mëkate.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ndërsa besimtarëve të ruajtur Xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohet për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë”. (Kaf: 31-33).

Dhe:

“Të devotshmit janë në kopshte e burime. Të kënaqur se kanë shtënë në dorë atë që u dha Zoti i tyre, ata edhe më parë (në dunja) ishin mirëbërës. Ata qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkate. Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp)”. (Edh-Dharijat: 15-19).

Në këto dy ajete u përmendën këto cilësi të njerëzve të devotshëm:

1- pendimi dhe kthimi te All-llahu [subhanehu ve teala] duke u larguar nga mëkatet,

2- ruajtja e besës dhe mosthyerja e saj,

3- frika nga All-llahu në vetmi, kur nuk i sheh askush përveç Tij,

4- zemra e pastërt dhe e nënshtruar ndaj All-llahut,

5- zbatimi i obligimeve që ua ka dhënë Zoti,

6- vepërmirësia,

7- namazi gjatë natës,

8- kërkimi i faljes para agimit të mëngjesit,

9- dhënja e zekatit të varfërve dhe nevojtarëve.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekat, sadaka etj.). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme) në botën tjetër (ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit”. (El-Bekare: 1-5).

Cilësitë që janë përmendur në këto ajete janë:

1- besimi në gajb me fjalë dhe bindje. Këtu hynë besimi në All-llahun, melekët, pejgamberët, librat, ditën e Kijametit, xhennetin dhe xhehenemin, takimin me Të, jetën pas vdekjes, ringjalljen, besojnë në Kada dhe në Kader,

2- e falin namazin duke e plotësuar rukunë, sexhden, leximin, të drejtuar nga kibleja, duke u kujdesur për kohën e tyre, abdestin dhe tehijatin,

3- shpenzojnë nga ajo që u ka dhënë All-llahu, duke dhënë zekatin dhe duke u dhënë nevojtarëve,

4- i besojnë Kur’anit dhe çdo gjëje që ka sjellur Muhammedi [alejhis-selam] nga Zoti i vet,

5- i besojnë shpalljeve që u kanë ardhur pejgamberëve të mëparshëm,

6- janë të bindur në ringjallje, kijamet, xhennet e xhehenem, llogari dhe peshojë.

Këta njerëz që i posedojnë këto cilësi, sigurisht se janë në dritë dhe qartësi, janë të shpëtuar në dunja dhe ahiret.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të vërfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”. (El-Bekare: 177).

Ky ajet i ka përmbledhur cilësitë e burrave të vërtetë dhe të devotshëm:

1- besimi në All-llahun, përveç të cilit ska hyjni Tjetër,

2- besimi ne ekzistimin e melekëve, të cilët janë ndërmjetësuesit mes All-llahut dhe pejgamberëve,

3- besimi në librat e All-llahut, të cilat kanë zbritur mbi pejgamberët deri sa janë përfunduar me Kur’anin, i cili i përmban të gjitha të mirat dhe që i ka dërguar vendimet e librave të mëparshme,

4- besimi në pejgamberët, nga i pari deri te Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], duke mos bërë asnjë dallimi mes tyre,

5- dhënia e pasurisë duke pasur lakmi ndaj saj, duke shpresuar pasurimin dhe duke u frikësuar nga varfëria, i shëndoshë dhe i pasur. I jep përparësi farefisit, pastaj jetimëve, pastaj nevojtarëve, pastaj atyreve që kanë mbetur në rrugë, lypsave dhe njerëzve për tu liruar nga robëria,

6- falja e namazit dhe kryerja e tij ashtu siç kërkohet,

7- dhënia e zekatit dhe pastrimi i shpirtit nga veset e ulëta,

8- përmbushja e premtimit dhe marrëveshjes,

9- durimi në varfëri, sëmundje, luftë dhe fatëkeqësi.

Këta janë të vërtetë në besimin e tyre, kanë realizuar imanin e zemrës me fjalë dhe vepra dhe këta njerëz janë të devotshëm, të cilët i kanë zbatuar adhurimet dhe janë larguar nga ndalesat.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Thuaj: “A t’ju kumtoj për diç shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e dunjasë)? Për ata që janë ruajtur, ata kanë te Zoti i tyre Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra, dhe kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i kujdesshëm për robtë. Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne vërtet besuam, na i falë mëkatet tona dhe na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit!”. Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshmëm e dorëdhënës, dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë”. (Ali Imran: 15-17).

Në këtë ajet u përmendën disa cilësi tjera të njerëzve të devotshëm:

1- kërkimi i faljes nga All-llahu,

2- kërkimi i mbrojtjes nga zjari i xhehenemit,

3- durimi në adhurime dhe ndalesa,

4- vërtetësia në fjalët dhe lajmet e tyre,

5- nënshtrimi ndaj All-llahut dhe qëndrimi i gjatë në këmbë për adhurim,

6- dhënja lëmoshë nga pasuria e tyre, ku do që kërkohet,

7- kërkimi i faljes para agimit, pasiqë kjo është koha kur më së shumti shpresohet pranimi i lujtes. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “All-llahu zbret në qiellin e dunjasë dhe thotë: “Kush kërkon që ti jap, kush lutet që ti përgjigjem dhe kush kërkon falje që tia fali”. (Buhariu dhe Muslimi).

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Atë, vend të përjetshëm (Xhennetin) u kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut”. (El-Kasas: 83).

Në këtë ajet janë përmendur dy cilësi të njerëzve të devotshëm:

1- Lëniaa e kryelartësisë dhe tiranisë mbi ruzullin tokësor dhe

2- Largimi nga mëkatet dhe prishja, sepse transmeton imam Muslimi nga Ijad ibn Himari [radijall-llahu anhu], i cili tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “All-llahu më shpalli që të jemi modest; që mos të mburremi ndaj njëri tjetrit dhe mos të bëjmë padrejtësi njëri ndaj tjetrit”.

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

“Nuk hy në xhennet ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë e mendjemadhësisë”. Një njeri i tha: nëse njeriu ka dëshirë që të ketë veshmbathjen e mirë? Tha: “All-llahu është i bukur dhe e do të bukrën, mirëpo mendjemadhësi është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. (Muslimi).

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Të cilët edhe pasi i goditi plaga iu përgjegjën All-llahut dhe të dërguarit. E për ata prej tyre që bënë, mirë dhe u rujtën, është një shpërblim i madh. E atyre (shokëve të pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra keni frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!”. Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh”. (Ali Imran: 172-174).

Këto ajete flasin për ditën e betejës së Hamraul-esedi, kur mushrikët i dëmtuan muslimanët, kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i nxiti muslimanët që të shkojnë pas mushrikëve që ti frikësojnë dhe tu tregojnë se janë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, edhe pse janë të lënduar. Muslimanët iu përgjigjen kërkesës së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e mushrikët u kthyen mbrapa, andaj edhe ky rast kosniderohej betejë, për të cilën edhe flasin këto ajete, ku i kanë cilësuar besimtarët e devotshëm se nuk i frikësohen askujt përveç All-llahut, i Cili i mjafton dhe Ndihmësi më i mirë është. Njeriu që e ka me vehte All-llahun dhe vetëm All-llahut i mbështetet, nuk i frikësohet askujt, bile kthehet në dhuntitë e All-llahut, pasiqë All-llahu ia largoi brengat dhe kurthet e armikut.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ndërsa ai që është më i devotshëm do të jetë larg tij. Ai që e jep pasurinë e vet e pastrohet, E jo për ta shpërblyer ndokë që i ka bërë mirë më parë. Por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të lartit, Për Zotin, ai do të gëzojë atë kënaqësi!”. (El-Lejl: 17-21).

Këto ajete flasin për njerëzit e devotshëm, të cilët do ti mbrojë All-llahu nga zjari i xhehenemit, i cili është i nxehtë dhe ku e kanë vendin njerëzit e këqinj. Ky njeri përshkruhet në këto ajete si njeri që jep pasurinë e tij në shenjë respekti ndaj All-llahu dhe për të pastruar vetveten dhe pasurinë e tij. Këtë vepër nuk e bënë që tia kthejë të mirën që ia ka bërë ndokush më herët, por e bënë nga shpresa për ta parë fytyrën e All-llahut [subhanehu ve teala] në ditën e gjykimit. Kurse All-llahu [subhanehu ve teala] do të kënqet me ata njerëz që i posedojnë këto cilësi.

Dhe se fundi lusim Allahun e Lartmadheruar dhe Fuqiplote qe te na i mundesoje te jemi prej roberve te devotshem dhe te na i lehtesoje rrugen per ne xhenet dhe All-llahu është i fuqishem per cdo gje.

Must Read