BallinaAKIDEAkide të ndryshmeCILI ËSHTË KUPTIMI VËRTETË I FJALËS “LA-ILAHE ILALLAH ” !?

CILI ËSHTË KUPTIMI VËRTETË I FJALËS “LA-ILAHE ILALLAH ” !?

Dëshmia se: Nuk ka të denjë për adhurim përveç Allahut.(La ilahe il-LAllah)

Ky deklarim përmban dy kushte: I pari: “Nuk ka të denjë për adhurim”,që do të thotë të mohosh çdo denjësi reale të kujtdo a çka do tjetër, përveç Allahut.
I dyti: Deklarimi i denjësisë reale për adhurim vetëm për Allahun e Madhëruar.
Allahu i Madhëruar thotë: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: “Në të vërtetë, Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe që do të më udhëzojë.” EZ-ZUHRUF: 26-27.
Nuk mjafton vetëm të adhurohet Allahu, por duhet që të mos adhurohet askush tjetër përveç Tij. Kështu që teuhidi është i saktë vetëm nëse bashkojmë mes njësimit të Allahut në adhurim dhe largimit nga shirku dhe ithtarët e tij.
Është transmetuar se: Çelësi i Xhenetit është “La ilahe il Allah” (Nuk ka të denjë për adhurim përveç Allahut), por vallë çdokush që e pohon atë e meriton t’i hapen dyert e Xhenetit?
Vehb bin Munebihut i thanë: A nuk është “La ilahe il-la Allah” çelësi i Xhenetit? Tha: Po, gjithsesi, por nuk ka çelës pa dhëmbë. Nëse sjell një çelës me dhëmbë dera të hapet; nëse jo, ajo nuk të hapet.
Nga Pejgamberi ynë ( sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kanë ardhur shumë hadithe, që së bashku sqarojnë dhëmbët e këtij çelësi; siç është fjala e tij: “Kush thotë: “La ilahe il Allah me sinqeritet…”, “Kush thotë: “La ilahe il Allah duke besuar me gjithë zemër…”, “Kush thotë: “La ilahe il Allah, duke e thënë vërtetë me zemër…” etj. Këto hadithe e lidhin futjen në Xhenet me ndërgjegjësimin rreth kuptimit të kësaj fjale, ndërtimin e jetës në bazë të saj deri në vdekje, me nënshtrimin ndaj kuptimeve të kësaj fjale etj. Nga tërësia e argumenteve, dijetarët kanë nxjerrë disa kushte që duhet të përmbushen patjetër dhe të tjera që duhet të shmangen, në mënyrë që fjala “La ilahe il Allah” të shndërrohet në çelës të Xhenetit dhe t’i sjellë dobi pohuesit të saj.
Këto kushte janë dhëmbët e çelësit; ato janë:
1) Dituria – Çdo fjalë ka një kuptim, kështu që ti duhet të dish mjaftueshëm kuptimin e fjalës “La ilahe il Allah”. Kjo fjalë mohon që dikush apo diçka tjetër përveç Allahut të jetë i denjë për adhurim dhe deklaron denjëjësinë për adhurim vetëm për Të. Domethënë: se nuk ka te denjë për adhurim përveç Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Përveç atyre që dëshmuan për të Vërtetën dhe e dinë mirë (se s’ka Zot tjetër të vërtetë veç Allahut).” EZ-ZUHRUF: 86. Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush vdes duke e ditur se nuk ka zot përveç Allahut do hyjë në Xhenet.” Muslimi.

2) Bindja – Domethënë të besosh pa u lëkundur në domethënien e saj, sepse ajo fjalë nuk pranon dyshime, as hamendësime, as mëdyshje, por duhet të besohet gjithmonë patundshëm. Allahu i Madhëruar teksa përshkruan besimtarët thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë.” EL-HUXHURAT: 15. Kështu që nuk mjafton vetëm pohimi i saj, por ajo duhet të besohet bindshëm me zemër. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë kjo është dyfytyrësi e pastër. Pejgamberi ( sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Allahut. Nuk ka rob që e takon Allahun me këto dy dëshmi (pa dyshuar në to dhe duke i besuar patundur), që të mos futet në Xhenet,” Muslimi.

3) Pranimi – Pasi të dish dhe të besosh në mënyrë të patundur, kjo dituri dhe ky besim duhet të lënë gjurmë. Kjo realizohet duke pranuar kërkesat e kësaj fjale me zemër dhe gjuhë. Ai që e refuzon dhe nuk e pranon thirrjen monoteiste (teuhidin) është mohues (jobesimtar), pa marrë parasysh nëse mospranimi vjen nga mendjemadhësia, inati a smira. Allahu i Madhëruar për mohuesit, që nuk e pranuan atë nga mendjemadhësia thotë: “Sepse kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj.” ES-SAFFAT: 35.

4) Nënshtrimi – Të nënshtruarit e plotë ndaj kësaj dëshmie. Ky është kriteri i vërtetë dhe manifestimi praktik i besimit. Ky nënshtrim përmbushet duke vepruar në bazë të asaj që ka ligjëruar Allahu i Madhëruar, si edhe duke lënë atë që Ai e ka ndaluar, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.” LUKMAN: 22. Ky është nënshtrimi i plotë.
5) Vërtetësia – Dëshmia duhet të pohohet me çiltërsi dhe ajo nuk e pranon gënjeshtrën. Kush e thotë vetëm me gjuhën e tij, ndërkaq zemra e përgënjeshtron është dyfytyrësh(munafik). Argument është fjala e Allahut të Lartësuar, kur i qorton dyfytyrakët(munafikat): “Ata thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.” EL-FET’H: 11.

6) Dashuria – Muslimani e do këtë fjalë dhe do të punojë sipas saj. Ai gjithashtu, i do ata që punojnë sipas saj. Shenja të dashurisë së robit ndaj Zotit të tij janë: dhënia përparësi e gjërave që Allahu i do, edhe nëse bien ndesh me dëshirat e veta; dashuria për ata që e duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ( sal-lallahu alejhi ue sel-lem) urrejtja ndaj atyre që e urrejnë Atë; ndjekja dhe pranimi i udhëzimit të të Dërguarit të Tij( sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

7) Sinqeriteti – Sinqeritet është që me pohimin e dëshmisë të synosh kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Ai thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit).” EL-BEJJINE: 5. I Dërguari i Allahut ( sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë Allahu ia ka bërë të ndaluar Zjarrin atij që pohon “La ilahe il Allah” me synimin për të fituar kënaqësinë e Allahut.” Buhariu.
Krahas këtyre kushteve, gjithaq duhet që t’u qëndrohet me vendosmëri këtyre fjalëve deri në vdekje.

Must Read