BallinaARTIKUJHadith dhe SunetDetyra e mbajtjes së lidhjeve me të afërmit.

Detyra e mbajtjes së lidhjeve me të afërmit.

Detyra e mbajtjes së lidhjeve me të afërmit.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet risku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta, atëherë të mbajë lidhjet me të afërmit.”

Transmetuesi i hadithit

Ai është sahabi i madh Enes ibnu Malik El Ensari, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, shërbyesi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). I shërbeu dhjetë vite. Ka transmetuar shumë hadithe dhe ka qenë nga fukahatë dhe dijetarët e sahabëve. Vdiq në vitin 92 h.( Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Kuptimi i përgjithshëm

Mbajtja e lidhjes me të afërmit është prej shkaqeve që sjellin kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut në ahiret, si dhe shtimin dhe zgjerimin e riskut në dynja. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në këtë hadith na orienton se kush do që Allahu t’ia shtojë furnizimin e t’ia zgjasë dhe t’ia bekojë moshën, ai duhet t’i ruajë lidhjet me të afërmit, të cilët janë të afërmit nga prejardhja dhe të afërmit nga martesa. Gjithashtu, duhet të tregohet me ta i mirë, i mëshirshëm, i butë me të dobëtit dhe të mos ndërpresë lidhjet me asnjë prej tyre. Sadakaja për të varfrit është sadaka, ndërsa për të afërmit sadaka dhe mbajtje lidhjesh.

Dobitë e hadithit

-Nxitja për ruajtjen e lidhjeve me të afërmit dhe se kjo është prej shkaqeve që sjellin kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij në ahiret.

-Ajo është shkak për shtimin dhe zgjerimin e riskut në dynja.

-Ruajtja e lidhjeve me të afërmit është prej shkaqeve të zgjatjes dhe begatisë së jetës.

Referenca: Libri “Hadithi”, f. 13-14.
Përktheu: A. Ruka
burimijetes.info

Must Read