BallinaAKTUALEOpinioneDiletantizmi dhe konspiracioni anti-islamik i Enver Robellit

Diletantizmi dhe konspiracioni anti-islamik i Enver Robellit

Diletantizmi dhe konspiracioni anti-islamik i Enver Robellit
Shkruan: Justinian Topulli

 

Detyra e një teologu apo e një hoxhe është ndër të tjera edhe mbrojtja e fesë, karshi keqinterpretimeve të qëllimshme ose jo, që i bëhen Islamit dhe normave të tij.
Ky detyrim bëhet edhe më i prehtë, kur interpretime të tilla vijnë nga njerëz që me vetëdije duan t’i imponojnë muslimanëve një tjetër Islam nga Islami burimor, nga Islami që ata kanë trashëguar që nga koha e Profetit e deri më sot. Një rast i tillë flagrant është edhe ky i Enver Robellit (Rrahja e një teologu Islam, Shekulli, 09 Dhjetor 2008) dhe orientalistit Schulze që ai e citon si referencë fetare Islame.

Para se t’i jap përgjigje disa nga broçkullave që ka thënë ky gazetar tendencioz dhe aspak objektiv, më duhet të pohoj se dija mbi të cilën Islami bazohet është Kur’ani dhe Tradita Profetike, por veç kësaj ekziston edhe një burim i tretë për të cilin është rënë dakord mes dijetarëve Islam dhe që është unanimiteti i dijetarëve të Islamit dhe që në fakt nuk është gjë tjetër vetëm se të interpretuarit dhe të kuptuarit unik i dy burimeve të mëparshëm. Nuk është vendi këtu tani të shtjellojmë me hollësi secilin nga këto burime dhe raportet që ato kanë mes tyre, pasi ka dije të veçanta Islame që e trajtojnë këtë, por duhet të them se për çdo teolog Islam këto burime janë mjaft të qarta dhe të njohura, mes tyre nuk përjashtohet as Dr. Hamiti.

Një fakt që të revolton së tepërmi, veçanërisht një teolog Islam, është mënyra sesi operohet me citatet Kur’anore, traditën e Islame dhe interpretimin e tyre. Trajtimi është kaq parcial, subjektiv dhe jashtë kontekstit, saqë nëse do t’i bëja ndonjë krahasim, do ta shëmbëlleja me një dritare që rri në hava dhe nuk mbështet askurrkund, as shtëpi ku ajo ndodhet dhe as mure që ta mbajnë! Ajo i ngjan më së shumti një vegimi mashtrues apo një shkarravine në rërën e bregut të detit, që nga çasti në çast dallgët do ta fshinë. Ndaj zotërinj u duhet të largoni “detin” nga rëra –nëse mundeni- që shkarravinat tuaja të jetojnë për njëfarë kohe në rërën e lagur!

Nëse një njeri do të pohonte se është i aftë të ndërtojë një pallat thjesht sepse ka lexuar disa faqe të një manuali ndërtimi apo se ai ka fantazi, askush nuk do t’ia vinte veshin dhe as nuk do ta çonte nëpër mend të pranonte se ky njeri gjithsesi është një inxhinier që i duhet dëgjuar fjala. Dijet Islame ashtu si çdo dije tjetër në këtë botë, duhet të trajtohen me objektivitet dhe nga njerëzit kompetent, pasi faktet që i përbëjnë këto dije janë me qindra apo edhe me mijëra dhe ndërthuren mes tyre nga një konfiguracion që formonë një strukturë solide dhe që një diletant është e pamundur ta shpërbëjë atë duke shkëputur disa elementë që ai i përzgjedh sipas hamendjes.

Nëse një njeri nuk është kompetent në një fushë të dijes i duhet të pyesë njerëzit kompetent të saj, që njihen dhe pranohen si të tillë dhe jo të kap çdo profesor apo doktor që i vjenë për hosh midesë së tij, edhe nëse këta profesorë japin mësim në universitetin e Bernës apo diku tjetër në perëndim. Po zaten siç i thonë një fjalë e urtë “në errësirën e natës edhe një gjarpër të duket shkop për dru zjarri” e jo më një bollë që mund të të duket si tra!

Robelli në shkrimin e tij thotë:

“Madje, profesor Hamiti, në një intervistë për gazetën “Java”, me të drejtë ka theksuar se është kundërshtar i atyre që po mundohen ta keqpërdorin shaminë dhe ta rendisin atë në listën e prioriteteve fetare Islame.”

Do të ishte mirë që ky gazetar ta citonte Dr. Hamitin në ligjëratë të drejtë dhe duke e ndarë qartazi nga pohimet e orientalistit zviceran, që lexuesi i cili nuk e ka lexuar këtë artikull, të mos krijoj përshtypjen se dy këta njerëz, njëri mysliman dhe tjetri jo, ndajnë të njëjtin mendim për një problem të tillë siç është problemi i shamisë për femrën myslimane. Megjithatë thjesht duke u nisur nga ky citim i cunguar më duhet të pohoj se vërtetë shamia nuk është nga shtyllat bazë të Islamit, dhe njerëzve më parë u kërkohet të njësojnë Zotin dhe të pranojnë Muhamedin (paqja e Zotit qoftë mbi të) si Profet, por ajo ama, sipas të gjitha burimeve Islame, është detyrim fetar (ose fard nga arabishtja) për femrën e rritur myslimane dhe këtë nuk besoj se mund ta mohojë as vetë Xhabir Hamiti, pasi do të ishte vërtetë diçka absurde.

Më pas gazetari Robelli bën një pohim të çuditshëm: “E vërteta është se shamia ka shumë pak të bëjë me traditën Islame.” Dhe këtë pohim kaq pompoz dhe me vetësigurinë që i karakterizon diletantët e çdo fushe e mbështet tek “Reinhard Schulze nga Instituti i Shkencave Islame dhe i Filologjisë Orientale në Universitetin e Bernës” profesor ky, i cili paska “theksuar në një referat se, shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze.”

Jetojmë në kohën e çudirave! O tempa! O mores!- do të bërtiste latini!

Sipas këtyre fjalëve, por edhe siç e shtjellon ai më poshtë, shamia na qenka thjesht një traditë e disa njerëzve apo popujve epshor, të cilët për të frenuar epshet e tyre karshi femrave kanë ligjëruar mbulimin e tyre! Dhe akoma më e habitshme është fakti se këta njerëz ia kanë atribuar fesë dhe Zotit një gjë të tillë! Sipas Schulze-it as vetë Profeti i Islamit nuk e paska urdhëruar këtë gjë si një urdhëresë religjioze! Nuk e di se në çfarë mënyre e argumenton ky njeri që urdhëresa e Profetit për mbulesën e femrës nuk paska domethënie religjioze? Dhe për më tepër si rezultat kjo traditë Profetike gabimisht na qenka bërë për shekuj me radhë pjesë e fesë Islame! Kësaj i thonë të tallesh me intelektin e mijëra e mijëra dijetarësh dhe miliarda myslimanësh, që kanë jetuar që nga koha e Profetit e deri më sot! A thua sikur Islami të ishte një fe e zhdukur, pa ndjekës dhe pa një traditë dhe trashëgimi të gjallë, të cilën papritmas na e zbuloi “arkeologu” Schulze nga Zvicra.

Më poshtë ai duke u argumentuar thotë:

“Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin “rrobat e devotshmërisë”. Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: “Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme”. Tani mund të pyesim: A është koka pjesë e turpshme e trupit?”

Kaq e thjeshtë paska qenë dhe ne nuk e paskemi ditur? Dhe paskemi ngelur ne padije që diletanti i vogël të na mësojë me këtë arsyetim amator? Por çfarë thuhet në Kur’an? Pjesën e ajetit që ai citon është pjesë nga ajeti 26 i sures së shtatë të Kur’anit ku thuhet:

“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri.”

Këtu duket qartë se ajeti u drejtohet të gjithë njerëzve, madje nëse do të lexojmë edhe ajetet e mëparshme do ta kuptojmë këtë akoma më mirë se për kë bëhet fjalë. Shikoni me vëmendje sesi ajeti bashkon në një normë të vetme dy veshje, atë fizike dhe atë morale, duke mos përjashtuar as njërën dhe as tjetrën. Fakti që veshja e moralit, e devotshmërisë, është më e mira nuk ka vend për diskutim, pasi është ajo që e shtyn njeriun të mbart edhe rrobën fizike. Në jetë, por edhe në Islam njeriu nuk mund të pranojë pretendime apo besime të cilat nuk shoqërohen me vepra. Pa dyshim që thelbi që në këtë rast është devotshmëria, është ajo që kërkohet, por petku i devotshmërisë nuk mund të qëndroj në ajër pa petkun e praktikës religjioze, pse është një lloj si të thuash se njerëzit në këtë botë mund të jetojnë si shpirtra pa trup. Fjala arabe që përkthehet si devotshmëri në këtë ajet është fjala takua që literalisht në shqip do të thotë të vendosësh diçka në mes teje dhe diçkaje tjetër për tu mbrojtur.[1] Fetarisht takua (devotshmëria) përfshin të gjitha obligimet fetare që njeriu duhet të kryejë për tu mbrojtur nga ndëshkimi i Zotit. Ndaj kjo lloj devotshmërie fetare Islame nuk ka të bëjë thjesht me mbulimin e vendeve të turpshme siç thotë Schulze, por është një kompleks veprimesh me karakter thellësisht religjioz, ndër to edhe mbulesa, para se ato të jenë një normë sociale. Në ajetet që vinë më poshtë thuhet:

“27. O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë. 28. Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu”. Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?”

Në librat e traditës Islame dhe në veçanti në komentet e shumta të Kur’anit tregohet se arabët e para Islamit, një pjesë e tyre, i kryenin ritet e vizitës së Qabesë të zhveshur, lakuriq pa asnjë rrobë në trup, për shkak të një risie që kishte shpikur fisi Kurejsh, që kishte nën kujdes Shtëpinë e Shenjtë, sipas së cilës askush veç tyre nuk mund të vizitonte Qabenë me rrobat e tij! Ai ose duhet ta kryente ritin lakuriq ose duhet t’ua merrte hua rroba këtyre njerëzve ose duhet të përdorte rroba të reja të cilat më pas i duhej t’i flakte dhe askush të mos i përdorte më.[2] Ajetet e mësipërme kanë ardhur për të kritikuar pikërisht këtë praktikë të shëmtuar të cilën ata ia atribuonin paraardhësve të tyre dhe madje vetë Zotit. Ndërkohë vetë Zoti ua hedh poshtë këtë pretendim duke u thënë se Ai nuk urdhëron gjëra të shëmtuara. Ndaj ajetet ndonëse u drejtohen të gjithë njerëzve ato u drejtohen në veçanti jomyslimanëve, pasi muslimanët nuk pajtoheshin me këta njerëz në pikat më themelore të besimit dhe jo më me një praktikë të tillë të shëmtuar, e cila për asnjë çast të vetëm nuk ka qenë e lejuar për besimtarët muslimanë dhe as nuk është praktikuar prej tyre. Ndërkohë fjala “vendet e turpshme” në gjuhën arabe e përdorur këtu dy herë, është seuatikum që nënkupton në mënyrë eksplicite organin gjenital dhe vithet. Nga këtu kuptojmë sesa nonsens del pyetja: “A është koka pjesë e turpshme e trupit?”

Në këto ajete nuk flitet për normën e mbulimit të gruas, por kritikohet një praktikë pagane e lakuriqësisë dhe ku minimalja e mbulimit të trupit, qofshin këta njerëz gra apo burra është të mbulojnë pjesët më intime të tyre dhe të mos bien preh e nxitjeve djallëzore për t’u zhveshur, nxitje e cila synon t’i dërgojë deri në ekstremin maksimum të lakuriqësisë. Natyrisht që është mungesa e frikës ndaj Zotit ajo që i shtynte njerëz të vepronin kështu. Për këtë ata kanë nevojë që t’u kujtohet se ruajtja nga ndëshkimi i Zotit me takua-në, e përkthyer shqip si devotshmëri, është më mira. Ndaj dhe ligjërimi triumfalist i gazetarit që bën një pyetje të tillë pakuptim, dhe që gëzohet se ka gjetur disa argumenteve të pakundërshtueshme, i ngjan asaj shprehjes popullore “tralala zura një galë”! Ndaj do t’i thoshim këtij gazetari “ndalu beg se ka hendek”! Në këtë hendek të tillë thyejnë qafën këta gazetarë “gjitholog”, që marrin përsipër të bëjnë edhe teologun dhe hoxhën! Mirëpo këtë hendek, këtyre dhe frymëzuesve të tyre, duhet t’ua tregojnë në radhë të parë ata teolog, emrat e të cilëve përdoren si mbulesë për të infiltruar ide të tilla në mesin e njerëzve, paçka se hiqen si dashamirës ndaj tyre.

Ai vazhdon e thotë:

“Në Librin e Shenjtë, po ashtu thuhet se femrat duhet të bartin një lloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta.”

Ndërkohë gazetari nuk na përmend se ku e mbështet orientalisti jomysliman këtë që thotë. Ndërkohë që në Kur’an asnjë gjë të tillë nuk ka, as edhe në një varg të tij!

Ajo mbi të cilën aludon ky njeri është pjesë e ajetit 31 të Sures En-nur, i cili është përkthyer kështu nga Hasan Nahi: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës).”[3] Ngjashëm me këtë e ka përkthyer edhe Sherif Ahmeti. Fjala në arabisht e përdorur në këtë rast është khumurihine shumësi i fjalës khimar që do të thotë mbulesë koke.[4] Ndërsa fjala që është përkthyer si kraharor në arabisht është xhujubihine shumësi i fjalës xhejb që në shqip do të thotë xhep, qoftë kjo për hapjen e rrobës ku futet koka si dhe për xhepin ku mbajmë sende personale. Tani çoni nëpër mend një veshje pa mëngë, që ka tre të çara, një tek koka dhe dy tek krahët, të tria këto të çara në gjuhën arabe quhen xhejb-e.[5] Pra ajeti do të thotë le të mbulojnë me mbulesat e kokës vendet e xhejb-eve dhe që këtë rast i bie të mbulojnë gushën dhe vendet e sqetullave, sepse pikërisht këto janë vendet e trupit ku ndodhen xhejbe-t. Nga përkthyesit shqiptarë është parë më e përshtatshme që kuptimin e këtyre vendeve e zëvendëson fjala kraharor, sepse praktikisht një gjë të këtillë kërkohet nga ajeti në fjalë. Për ta pasur më të qartë i kthehemi traditës Islame dhe do të shohim se ajeti nuk flet drejtpërdrejtë për mbulimin e kokës, pasi muslimanet e mbulonin kokën, por ato i lëshonin shamitë pas shpine dhe kështu mbeteshin të zbuluara disa pjesë për të cilat Zoti i urdhëroi që t’i mbulonin në këtë mënyrë, duke lëshuar shaminë nga përpara, pra mbi kraharor.[6] Pra që këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë shall apo mbulesë tjetër, por për shami koke. Kush nuk beson në saktësinë e fjalëve që po them dhe më konsideron manipulator, unë e sfidoj të më paraqes argumentet që vërtetojnë se unë po gënjej.

Po veç kësaj a është logjike që Zoti t’i urdhëroj gratë besimtare se: “nuk mund të ecin me gjinj përjashta” siç thotë orientalisti zviceran? Sipas tij po! Dhe këtë ai e mbështet me këtë arsyetim:

“Ky rregull i veshjes dallon nga periudha paraIslame, kur femrat bartnin pak rrobe. Sipas profesor Schulze, në ilustrimet e para nga shekulli i 10-të, valltaret e Profetit Muhamed shihen gjysmë lakuriq.”

Sipas këtij jomyslimani fakti se gratë në kohën paraIslame në Arabi lëvizkan lirshëm madje edhe vallzokan në sy të Profetit gjysmë lakuriq, u vërtetuaka nga tablotë e shekullit të 10-të që e tregojnë këtë?

Edhe njëherë latini do të kishte ulëritur tashmë: O tempa! O mores!

Dhe të mos harrojmë që artikullshkruesi e cilëson këtë njeri si profesor Schulze. Këtë injorancë skandaloze që shfaq ky i ashtuquajtur profesor i vjen për hosh dhe i duket argument edhe gazetarit shqiptar, që është më i paditur se frymëzuesi i tij. Së paku këtë të mos e kishe përmendur, pasi “argumentet” e mëparshme i kam lexuar edhe nga pseudostudiues të tjerë të sotëm, ndërsa me këtë “argument par exellence” e vulos më së miri injorancën e tij ndaj së vërtetës, madje një “argument” i tillë, saqë edhe një fëmije mysliman do t’i vijë për të qeshur kur ta dëgjoj, më shtyn të mendoj se përçmimi i intelektit të muslimanëve nga këta njerëzve, ka mbërritur deri në këtë pikë, saqë të tallen deri në këtë fare feje.

Ndonëse ky palo argument nuk ia vlen të merresh me të, i duhet kujtuar së paku gazetarit që e citoi, se pikturat halucinative të jomyslimanëve, që bëhen tre shekuj mbas vdekjes së Profetit të Islamit, bëni mirë që as fëmijëve tuaj të mos ua tregoni si përralla… e jo më të na i paraqisni si fakte akademike.

Nuk e di se çfarë e shtyri këtë gazetar që mbrojtjen që ai i bën rrahjes së një teologu Islam, ta përziejë me idetë e një orientalisti jomysliman. A mos vallë me këtë ai kërkon të aludoj se ky është edhe opinioni i vetë Xhabir Hamitit? Ky shkrim këtë përshtypje të lë! Ndaj është në nderin dhe në përgjegjësinë e këtij teologu, që t’i sqarojë këtij artikullshkruesi, sesi qëndron e vërteta e shamisë së gruas në Islam me argumentet teologjike Islame, disa prej të cilave unë përmbledhtazi i shtjellova edhe këtu. Dhe të mos lejojë që emri të tij të përdoret për të promovuar një Islam që nuk i përket asnjë tradite të asnjë populli mysliman në botë.

Pretendimet e Robellit se shaminë e propagandojnë vetëm “njerëzit me mjekra”, të cilët sipas tij vetëm veten e tyre e konsideruakan si muslimanë të vërtetë, është një thikë me dy presa me të cilën ai kërkon të hap një të çarë në mesin e muslimanëve të thjeshtë, teologëve tradicional shqiptarë dhe atyre që ai i identifikohen si ekstremistë. Kjo në njërën anë, ndërsa në anën tjetër duke i paraqitur këto detyrime fetare siç është shamia, vetëm si pjesë e propagandës së këtyre ekstremistëve, ai kërkon t’u japë indirekt si mesazh njerëzve, urrejtjen dhe mospranimin e këtyre praktikave Islame. Nuk më habit një fakt i këtillë, pasi ka vite që në qarqet islamofobe perëndimore qarkullojnë teza të tilla dhe studime si ai i Sheri Bernard, që për të ndërtuar një Islam siç u pëlqen atyre, duhet të mos lejohet bashkimi në mes atyre që ajo i quan tradicionalistë me ata që ajo i quan fundamentalistë, konspiracion që mesa duket paska mbërritur edhe në veshët e islamofobëve shqiptarë.

 

Dhjetor 2008

Burimi: jtopulli.wordpress.com

www.islamifejaevertete.com

 

———————————————————————–

J. Topulli eshte teolog i diplomuar në të njëjtin universitet ku është diplomuar edhe Xhabir Hamiti. ·

[1] Mekajis el-Luga 6/99.

[2] Komenti i Kuranit nga Ibn Kethiri, Tabariu etj.

[3] Botimi i A.I.I.T.C-së.

[4] Muxhem el-Uesit, Lisanul Arab, …etj.

[5] Ibid.

[6] Komenti i Kur’anit nga Ibn Kethiri, Komenti i Eth-thalebiut,..etj në shqip mund ta ndeshni tek “Mbulesa e gruas myslimane” e Muhamed Nasirudin Albanit.

Must Read