Së pari themi se ëndrra në Kur’an është përmendur shtatë herë në gjashtë vende në Kur’an. Katër ëndrra janë cekur në suren Jusuf kjo e Jusufit alejhi selam e para, pastaj dy ëndrrat e dy shoqëruesve të tij në burg dhe së katërti ëndrra e mbretit. Pastaj një ëndërr është cekur në suren Enfalë, në ajetin 43, ku Allahu ua shfaqi në ëndërr muslimanëve idhujtarët e Mekës natën e Bedrit, sikur ishin të paktë në numër, por në realitet ata ishin shumë. Ëndrra tjetër është në suren Saffat, në ajetin 102, në tregimin e Ibrahimit alejhi selam, kur pa ëndërr se do ta therë birin e tij Ismailin për kurban. Dhe e fundit është ëndrra që pa Pejgamberi alejhi selam, se do të hyjë në Mekë si çlirimtar, e cila jepet në suren Fet’h, ajeti 27.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “…ëndrra e muslimanit është një e 45-ta pjesë e profetësisë (e frymëzimit nga Allahu xh.sh.). Ëndrrat janë tri llojesh: ëndrra e mirë, që është myzhde (apo përgëzim) nga Allahu; ëndrra e mërzitshme, që nga shejtani dhe ëndrra që njeriu preokupohet me diçka gjatë ditës e pastaj e sheh atë natën. Njeriu nëse sheh diçka jo të mirë në ëndërr, le të çohet e le të falet dhe mos t’i tregojë askujt për të.”(Muslimi, nr. 2263)
Ky hadith na tregon qartë se ëndrrat janë tri llojesh.
Ëndrra e mirë: Është prej Allahut. Atë ëndërr mos ia trego askujt, vetëm atij që e do, ngase të tjerët mund të të xhelozojnë për të, ashtu siç pati frikë Jakubi alejhi selam për birin e tij Jusufin alejhi selam, prandaj e këshilloi që mos t’ia tregojë askujt.
Ëndrra nga nefsi: Ëndrra për çështjet me të cilat njeriu preokupohet gjatë ditës dhe pastaj natën e sheh në ëndërr, për shembull studenti tërë ditën mëson dhe bëhet merak për provimin, që ka të nesërmen, kurse natën sheh ëndërr se hyri në provim.
Ëndrra e mërzitshme: Është nga shejtani i mallkuar. Në këtë rast duhet vepruar si vijon:
1. Kërkohet mbrojtje prej Allahut nga ajo ëndërr dhe nga sherri i shejtanit.
2. Pështyhet tri herë në anën e majtë.
3. Ndërrohet krahu në shtrat, kthehesh në krahun tjetër.
4. Zgjohesh dhe merr abdest dhe pastaj fal namaz aq sa mundesh, sa ta lehtëson Allahu xh.sh..
5. Nuk i tregohet askujt për atë ëndërr.
Ebu Selemete radijallahu anhu thotë: “Shihja ëndrra dhe sëmuresha, derisa dëgjova një ditë Ebu Kataden duke thënë: “Edhe unë kam parë ëndrra më herët dhe jam sëmurë prej tyre derisa kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: “Ëndrra e mirë është nga Allahu xh.sh., ashtu që nëse dikush nga ju sheh në ëndërr diçka të mirë, le t’i tregojë atij që e do, ndërsa nëse sheh diçka të mërzitshme, le të kërkojë nga Allahu që ta ruajë nga sherri i saj dhe sherri i shejtanit, pastaj le të pështyjë tri herë, mos t’i tregojë askujt për të, që ajo të mos mund t’i bëjë asgjë dëm.”
(Transmeton Muslimi, 2261)
Burimi:
“Djaloshi më i bukur në botë”
Hoxhë Shefqet Krasniqi